Pas kryeministrit Albin Kurti, edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka thënë “po” formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë sot se Kosovës i duhet një formë e re e Asociacionit.
Si duket kryekuvendari Konjufca ka harruar se çka ka thënë më herët për këtë çështje.
Në emisionin Debat Plus, ai e kishte refuzuar formimin e Asociacionit në çfarëdo mënyre.
Sipas tyre, “Zajednica” nuk do të formohej kurrë në Kosovë.
“Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, kishte thënë Konjufca.
Kur autori i emisionit, Ermal Panduri, e kishte pyetur nëse ai mund të bëhet pa kompetenca ekzekutive, Konjufca e kishte mohuar në mënyrë kategorike.
“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrfarë asociacioni, as kësi, as asi. Sepse nëse është bashkim i komunave serbe, në çfarëdo mënyre, unë mendoj se nuk duhet të ndodh kurrë. Kështu besoj se edhe do të jetë”, kishte thënë Konjufca”, kishte thënë Konjufca.
Sikurse Kurti, edhe Konjufca sot ka ndryshuar qëndrim për Asociacionin.
Në një prononcim për “Ekonomia Online”, ai ka thënë se tani duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.
“Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet implicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit.” – ka theksuar ai.
Madje, ai e ka pranuar edhe rrezikun që mund t`i vije Kosovës nga ky Asociacion.
“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Unë po mundohet ta ndajë me juve pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejt por në mënyrë të tërthortë, çka i bjen kjo, nuk i bjen që pranohet prej një akti shtetëror të Serbisë por përmes një marrëveshje me BE, pra përmes një rruge të tërthortë pra është vetëm de-facto.” – ka thënë ai.
“Po”-ja e Kurtit me kushte
Kryeministri Albin Kurti ka befasuar të gjithë kur javën e kalua i tha “po” formimin të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me disa kushte.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri ka thënë se për formimin e Asociacionit i ka gjatë kushte.
Kushti i parë, sipas tij, është që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5). 3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, ka thënë Kurti.
Si kusht të katërt, Kurti ka përmendur zhbërjen e strukturave paralele.
Sipas tij, para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
Në kushtin e pestë, ai përmend njohjen reciproke, por në kuadër të planit frnako-gjerman.
“5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. 6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”, ka thënë Kurti.
Këto kushte nuk janë parë si serioze nga opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend. Sipas tyre, këto kushte janë përfshira në planin frnako-gjerman.