Nevojitën të paktën 10 mijë nënshkrime që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale.
E përmes kësaj, veteranët e luftës së UÇK-së po synojnë ta ndryshojnë ligjin për Specialen përmes një peticioni që kanë nis që tri ditë.
Ky peticion do të përfundo nesër në ora 10:00 dhe Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati për Indeksonline ka thënë se afër 10 mijë nënshkrime janë mbledhur deri tani ndërsa pret që me 12 mijë nënshkrime ta dorëzojë atë në Kuvend.
“Nuk e di saktë shifrën, po dikund 10 mijë nënshkrime janë mbledh. Plus ende ka peticione, ka disa rajone që jam duke i pritur listat, por që edhe nesër deri në ora 10:00 do të këtë nënshkrime të cilat do të arrijnë në 12-13 mijë. Jemi të siguritë që me 12 mijë apo 13 mijë nënshkrime do të dorëzojmë peticionin në Kuvend”, ka thënë Gucati.
Ai është shprehur se peticioni është pritur mirë dhe është përkrahur mjaftë shumë nga qytetarët.
Por Gucati beson se këtë përkrahje do ta gjejë edhe të deputetët në Kuvend.
“Kemi pas përkrahje nga ana e qytetarëve, kanë ardhur e kanë nënshkruar atë. Besojmë që edhe në Kuvend do të gjejmë përkrahje”, ka shtuar ai.
Edhe nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, beson se peticioni në Kuvend do të dorëzohet me 12 mijë nënshkrime, ndonëse sipas tij, po punohet shumë kundër peticionit.
“Besojmë se e kem kalu 10 mijëshen me ditën e nesërme që menjëherë më dorëzu në Kuvend, mos me pritë sa ma shpejtë me dorëzua se me prit deri në fund të javës i kishim bo 20 mijë. Ka shumë hamendje, po punohet shumë kundër kësaj në kuptim politik. Përmes këtij peticioni, ne ju ndihmojmë ndërkombëtarëve që të korrigjojnë gabimin, se ata me Gjykatën Speciale kanë bërë një gabim të madh”, ka thënë ai.
Ky peticion do të përfundoi nesër në ora 10:00 ndërsa në ora 15:00 mund të publikohen rezultatet finale të peticionit me nënshkrime.