Forcat serbe i përdorën edhe uniformat e UÇK-së për të vrarë, përndjekur e maltretuar shqiptarët e serbët, me të vetmin qëllim, dëmtimin e imazhit të UÇK-së.
Demokracia.com ka raportuar para pak ditësh për disa raste ku ishte keqpërdorur uniforma e UÇK-së për të dëmtuar imazhin e UÇK-së.
Por, në një intervistë të disa shqiptarëve të Bitisë së Poshtme, fshat afër Shtërpcës, të dhënë më 7 tetor 1998 për gazetën “Bujku”, ata i denoncojnë edhe me emra disa policë serbë të tjerë, të cilët kishin veshur uniformat e UÇK-së për t’i maltretuar, dëbuar dhe për t’i vënë flakën shtëpive të tyre.
27 anëtarët e familjes Fetahaj e Aliaj ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre
“Në Biti të Poshtme u dogjën shumë shtëpi, stalla, makina të ndryshme, u dëgjua britma e bagëtive që digjeshin në flakë. Bashkë me flakën u dëgjuan edhe krisma të mëdha, breshëri të automatikëve. Të dëbuarit me dhunë në orët e vona të natës në motin e ftohtë e me shi, i kaluan nën qiellin e hapur“, shkruante Bujku më 7 tetor 1998.
Demush Aliu, elektricist, kishte treguar tmerrin që kishte përjetuar, transmeton Demokracia.com.
“Në shtëpinë time, tha ai, u futën 6 policë të cilët mu drejtuan me fjalët: “Pse s’po ikë, e kërkon shtetin e Kosovës, a! Ua ktheva: Unë s’jam politikan, ka kush merret me politikë. Derisa po digjej shtëpia e Halim Aliut një polic mbante në duar një videorekorder dhe na tha: “Merreni këtë video…” por ne kundërshtuam: “s’na duhet gjë videoja, ju po na i ndezni shtëpitë”. Në shtëpinë e Halimit pëlciste çdo gjë: dyert, dritaret, orenditë shtëpiake, televizori. Edhe nga këtu policët të veshur me uniforma të UÇK-së, ndër të cilët ishin edhe Ceka Staletoviq, Mija Dimiq etj., na përzunë duke u kërcënuar se do të na vrasin“, kishte treguar Demush Aliu.
Më tutje, banorët që përjetuan tmerrin treguan si policët serbë përpos uniformave të UÇK-së kishin edhe shirita të kuq në krah.
“E pashë kushëririn tim Osman Hysenin (67), i cili solli bagëtinë nga mali. Atij i ra të fikët. Vëllai i Demushit, Tahiri (1958) ndërhyri: në një përrockë mbetëm unë dhe nëna ime Arifja (70). Aty pashë dy pleq të rraskapitur: Ibish e Bedrie Tahirin, që i kanë shkelur të 80-tat. Me Demushin i kemi bartur në shpinë nja 500 metra. Na ka ndihmuar edhe Bajram Fetahu për të vazhduar rrugën tek turma e njerëzve. Më pastaj Demushi tregoi se si është kthyer edhe njëherë në shtëpinë e tij për t’i marrë rrobat e vajzës, Adelinës dyvjeçare, por rrugës ia mori një polic dhe ia hodhi përtokë. Bashkëshortja e Demushit, Sahidja, sqaron: milicët serbë pos emblemës së UÇK-së mbanin edhe shiritat e kuq në krah“, raportonte gazeta “Bujku” atë kohë. /Demokracia.com/