Gjilani mund t`i jap fund krizës së ujit të pijshëm, me të cilën po përballet prej vitesh, vetëm atëherë kur të përfundojë projekti i Qeverisë zvicerane për shtimin e resurseve ujore, vlerësohej para 12 vitesh.
Hulumtuesit e ujërave nëntokësore kishin thënë se kanë identifikuar burime të mjaftueshme, prej nga Gjilanit do t`i shtohen edhe 90 litra ujë në sekondë.
Kuvendi Komunal i Gjilanit e kishte shpallur interesit të përgjithshëm zonën nga duhet të realizohet projekti, që ka vlerën mbi 4 milionë €uro.
Përndryshe, në viti n 2007 në Gjilan kishte filluar reduktimi i ujit të pijshëm dhe drejtues të ujësjellësit rajonal “Hidromorava” kishin tërhequr vërejtjen për mundësinë reale të përballjes me krizën e ujit të pijshëm.
Në pendën e Përlepnicës, që është burimi kryesor i furnizimit me ujë dhe ku ndodhet edhe Fabrika për përpunimin e ujit, niveli kishte rënë në 19 metra dhe kjo, sipas drejtuesve të kompanisë, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Nëse niveli i ujit zbret në 14 metra, që njihet si “vëllim i vdekur” më nuk mund të shfrytëzohet për pije, kishin tërhequr vërejtjen ata.
Me krizën e ujit, Gjilani është përballur në mënyrë serioze edhe sivjet, 12 vite më vonë, kur penda në Përlepnicë ka rënë gati në nivelin e papërdorshëm, shkaku i thatësisë dhe mungesës së gjatë të reshjeve.
Komuna i ka ndërmarrë të gjitha masat, në bashkëpunim me kompaninë Hirdromorava, për të përballuar këtë gjendje. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili njihet për aftësitë e tij në menaxhimin e krizave, ka organizuar një konferencë të madhe mbi sfidat dhe alternativat e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, prej nga doli vlerësimi se nevojiten 460 mijë euro për gjendjes emergjente, por projekti u bllokuar shkaku i dorëheqjes së qeverisë dhe shpërbërjes së Kuvendit, prandaj Komuna u detyrua të ndajë 200 mijë, së bashku me kompaninë, për hapjen e puseve të reja te lokacioni i FSK-së dhe lagja Fidanishte, të cilat pritet ta zbusim sado pak gjendjen.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin e pijshëm për ta përballuar gjendjen.
Drejtori i kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi beson që shumë shpejtë do të aktivizohen këto brime, për të vazhduar me shpime të reja në lagjen Fidanishte, në anën e kundërt të kazermës së FSK-së, ku mundësitë për t`u injektuar në rrjetin kryesor të ujësjellësit janë më të lehta.
Aktualisht, Gjilani po furnizohet prej katër burimeve, nga penda e Përlepnicës, burimi “Guri i Hoxhës”, “Baja” dhe puset në Velekincë, të cilat janë hapur me investimet zvicerane.
Një zgjidhje afatgjatë e problemit të ujit të pijes duhet të kërkohet tek lumenjtë Llapushnica dhe Krivareka, derisa për një zgjidhje të përhershme, duhet orientuar te lumi Ibër-Lepenc, nëse projekti mbështetet në të ardhmen nga Banka Botërore ose ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare. /MediaFokus/nga dy kosovarë.