Insajderi: Përveç ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e ish kryeparlamentarit Kadri Veseli, edhe ish-ministra e klerikë fetar shqiptarë ishin pjesë e listave për ekzekutim të organizatës së dyshuar kriminale “Syri i Popullit”.
Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim ishin vendosur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në Kosovë, dy liderët e partive shqiptare në Maqedoninë Veriore: Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, dhe politikanët shqiptarë në Preshevë: Riza Halimi e Shqiprim Arifi.
Në dosjen e përpiluar nga hetuesit policor dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilën e ka siguruar Insajderi, zbulohen lista për ekzekutimin e njerëzve të përpiluara nga organizata “Syri i Popullit”. Ato përfshijnë njerëz të padëshiruar për këtë organizatë nga të gjitha vendbanimet me shqiptarë.
Dosja e Prokurorisë zbulon detaje se atentatet ndaj qindra shqiptarëve, të cilët nga “Syri i Popullit” konsideroheshin tradhtarë të kombit, ishin të planifikuara e organizuara. Ishin planifikuar edhe vendet ku do t’i varnin trupat e të vrarëve.
“Syri i Popullit”, organizatë e cila në mesin e udhëheqësve kishte edhe Murat Jasharin – të akuzuarin për tentim vrasjen e Azem Vllasit -, planifikoi që Hashim Thaçin e Kadri Veselin t’i varnin në oborrin e shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit në Prizren.
“Kapet Kadri Veseli dhe dërgohet te shtëpia e Shaban Shalës në Prizren. E marrin në pyetje para kamerës. Pasuria i konfiskohet. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit. Kapet Hashim Thaçi dhe dërgohet tek shtëpia e Behjadin Allaçit në Prizren. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit”, thuhej në dokumentet sekrete të organizatës “Syri i Popullit”.
Plan të njëjtë kishte edhe për vëllezërit e presidentit Thaçi. “Syri i Popullit” pretendonte t’i vriste tre vëllezërit e ish-kryetarit të PDK-së: Ganiun, Blerimin dhe Idrizin dhe pasurinë e tyre t’ia kalonte Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Insajderi.
“Kapen vëllezërit e Hashimit. Pasurinë e patundshme ta kalojnë në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së dhe mjetet financiare në xhirollogari të Fondit Humanitar “Atdheu” dhe pastaj vriten”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Në listën për ekzekutim të kësaj organizate, ndodheshin edhe dy kryenegociatorët e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë: Edita Tahiri dhe Blerim Shala. Plani për ta ishte që të vriteshin “në të njëjtën ditë”.
E në listat për ekzekutim të “Syrit të Popullit” figuronin edhe ministra e ish-ministra të Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, në listë ndodhet edhe Hajredin Kuqi, ish-ministër i Drejtësisë, i cili sipas organizatës “Syri i Popullit”, cilësohet si “përgjegjës për sistemin e dështuar të drejtësisë”.
“Të vriten në një ditë ministrat e Arsimit mbas vitit 2008. Të vriten ministrat e Shëndetësisë mbas vitit 2008, për një ditë”, thuhet në dokumentet e përpiluara nga kjo organizatë e dyshuar kriminale, të cilat i ka siguruar Insajderi.
“Të gjithë klerikët t’i hjekin mjekrat, në të kundërtën vriten”
Në mesin e politikanëve e të ashtuquajturve tradhtarë të kombit, “Syri i Popullit” kishte listuar edhe klerikë fetarë. Kishte urdhëruar vrasjen e njërit prej tyre, ndërkaq kishte vendosur ultimatum për të gjithë.
Organizata e dyshuar kriminale, në listat e saj kishte vendosur emrin e imamit nga Prizreni, Irfan Salihu.
“Vritet imami i Prizrenit, Irfan Salihu”, theksojnë dokumentet e “Syrit të Popullit”, që ishin përgatitur në mbledhjet e kësaj organizate në vitin 2017.
E përveç planifikimit për atentatin ndaj Irfan Salihut, planifikohej vendosja e një ultimatumi për të gjithë klerikët fetarë. Planifikohej t’i kërkohej klerikëve fetarë të hiqnin mjekrat.
“Lëshohet komunikata duke theksuar se brenda një muaji në gjithë hapësirën shqiptare të gjithë klerikët fetar t’i hjekin mjekrat, në të kundërtën vriten”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Po ashtu, planifikohej të vendosej urdhër ndaj klerikëve fetarë. T’i imponohej atyre që të lexojnë 15 romane në gjuhën shqipe brenda vitit.
“Predikuesit e feve ta mësojnë historinë shqiptare aq sa e mësojnë nxënësit e shkollave të mesme. Të lexojnë së paku 15 romane shqip në vit”, theksojnë dokumentet të klasifikuara si top sekrete të kësaj organizate.
Planet e “Syrit të Popullit” për Xhavit Halitin dhe Remin
Xhavit Haliti duhej të varej tek oborri i Lidhjes së Prizrenit, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”, të cilat i ka siguruar si dëshmi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në këto dokumente planifikohej që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të dërgohej në një bazë në Prizren dhe të merrej në pyetje; të xhirohej me kamerë dhe një kopje e xhirimit t’i dërgohej televizioneve.
“Kapet Xhavit Haliti dhe dërgohet në një bazë në Prizren. Pasuria i konfiskohet. Varet tek oborri i shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit në Prizren. Kopja e xhirimit i dërgohet televizioneve. Kapet Azem Syla dhe veprohet njëjtë sikurse me Xhavit Halitin”, thuhet në dokumentet e “Syrit të Popullit”.
Ndërkaq, plan kishte edhe për konfiskimin e pasurive të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Musdtafa – Remi dhe vëllezërit Muja.
“Vëllezërve Muja, Rrustem Mustafa-Remi dhe të gjithë atyrëve si këta, i kërkohet që pasurinë e patundshme me notar ta kalojnë tek Shoqata e Veteranëve të Luftës, kurse mjetet financiare tek Fondi Humanitar ‘Atdheu’”, thuhet në dokumente.
Lëvizja “Syri i Popullit” organizohej në Grupe Guerrile (GG). Grupet Guerrile kishin nga 4 vetë. Përgjegjësit e Grupeve Guerrile nuk parashiheshin të merrnin pjesë në operacione, por të jepnin detyra-urdhra.
Rreth një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtarë të kësaj organizate kriminale.
Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”. /Insajderi.com