Epilogu

Në kohën e Isa Mustafës kishte rritje ekonomike më së shumti, pastaj në të Hashim Thaçit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një projeksion për bruto-produktin vendor pret që Kosova të rritet për vetëm 2.8 për qind këtë vit (2022). Nga projeksioni i mëhershëm në muajin tetor të vitit 2021, parashihej që rritja të ishte 4.5 për qind.

Raporti i edicionit të muajit prill do të jetë veçanërisht i rëndë për t’u përjetuar e lexuar nga qeveritarët e Kosovës, të cilët duke harruar krejtësisht inflacionin tepër të lartë që e ka rënduar jetën e qytetarëve dhe varfëruar buxhetin e tyre familjar, ‘fryheshin’ me të dhënat e rritjes së buxhetit.“Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social”, u shpreh kryeministri Albin Kurti më 12 prill, kur kishte vendosur të ndante nga 100 euro për shumë kategori sociale në vend.

Vitin e kaluar, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 9.5 për qind sipas raportit, por fatkeqësisht njëjtë kishte ndodhur edhe me rritjen e çmimeve bazike (po 9.5 për qind) sipas FMN-së.

20 VJET ‘SHKATËRRIM’

Që 20 vjet del se nuk është shkatërruar ky vend sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në fakt, rritja e projektuar për Kosovën gjatë Qeverisjes Kurti për vitin 2022 është më e vogla ndonjëherë në histori të Kosovës së pavarur, përveç vitit 2012.

Në vitin 2019 ishte 4.8 për qind [Qeveria Haradinaj];

Në vitin 2018 ishte 3.4 për qind [Qeveria Haradinaj];

Në vitin 2017 ishte 4.8 për qind [Qeveria Mustafa/Qeveria Haradinaj];

Në vitin 2016 ishte 5.6 për qind [Qeveria Mustafa];

Në vitin 2015 ishte 5.9 për qind [Qeveria Mustafa];

Në vitin 2014 ishte 3.3 për qind [Qeveria Thaçi/Qeveria Mustafa];

Në vitin 2013 ishte 5.3 për qind [Qeveria Thaçi];

Në vitin 2012 ishte 1.7 për qind [Qeveria Thaçi].       

Sa i përket inflacionit, Kosova sipas FMN-së nuk ka vuajtur nga inflacioni i lartë si tash asnjëherë në histori përveç vitit 2008 – kur ishte shpallur e Pavarur – e i cili kishte qenë në shifrat 9.3 për qind.

Në vitin 2019 – një vit para se Kurti të merrte pushtetin për herë të parë – shkalla e inflacionit kishte qenë 2.7 për qind. Në vitin 2018, 1.1 për qind. Në vitin 2017, 1.5 për qind. Në vitin 2016, 0.2 për qind. Dhe në vitin 2015 -0.5 për qind.

Nuk dihet se cila do të jetë përgjigjja qeveritare për qytetarët nëse edhe rritja e buxhetit të Kosovës nuk shkon sipas projeksioneve të tyre por sipas projeksioneve të FMN-së.

Kujtojmë që Albin Kurti, para se të bëhej kryeministër, kishte kontestuar vazhdimisht shifrat e brutoproduktit vendor duke u shprehur se ato nuk po ndërlidheshin edhe me rritjen e mirëqenies qytetare. Sidoqoftë, kjo retorikë ka ndryshuar pasi ai është ulur në karrigen e kryeministrit më 3 shkurt 2020. 

Exit mobile version