Epilogu

Në Lin, Pogradec, gjurmë vendbanimesh palafite 7,500-vjeçare, zbulimi në bashkëpunim me Universitetin e Bernës, në Zvicër.

Ka hyrë në fazën e dytë, puna për zbulimin e vendbanimit palafit, që mendohet të ketë ekzistuar në Lin, Pogradec, rreth 7,500 vjet më parë. Projekti “Lin 3″, po zbatohet nga Instituti i Arkeologjisë Shqiptare në bashkëpunim me Universitetin e Bernës, në Zvicër.

Ardian Anastasi, drejtuesi shkencor për punimet, pas fazës së parë të zbulimit të vendbanimit në ujë, ka të dhëna të forta, se ai shtrihej edhe në bregun e liqenit.

“Fazën e parë, e kemi kryer vitin e kaluar dhe ishim të përqendruar në tre sondazhe, që i bëmë nën ujë. Duke qenë se sipërfaqja e këtij vendbanimi është e madhe, vendosëm që në fazën e dytë të bënim disa verifikime lidhur me perimetrin e këtij vendimi, në pjesën tokësore”, – u shpreh ai.

Po aq të surprizuar, sa edhe të kënaqur me bashkëpunimin dhe zbulimet, paraqiten edhe zvicerianët. Martin Hinz është shumë optimist.

“Bashkëpunimi ynë, me kolegët shqiptarë, është pjesë e një projekti të rëndësishëm europian, që ka të bejë me banesat në rrethinat e liqenit të Ohrit. Jemi shumë të kënaqur me koleget shqiptarë dhe gjithashtu, duam të shkëmbejmë përvojat tona edhe këtu.

Situata duke shumë premtuese. Mendoj se mund t’ krahasojmë dhe zgjerojmë rezultatet që kemi arritur më parë, në pjesën maqedonase. Aktualisht, në këtë projekt po gërmojmë nën ujë, prej 2 vitesh dhe tani po përpiqemi të zbulojmë sesi ka vijuar të shtrihet ky vendbanim, drejt bregut të liqenit”, – u shpreh ai.

Në përfundim të projektit, synohet të arrihet rindërtimi i palafitit, në një rreze prej 30 km.

“Synojmë që të krijojmë një pesisazh të vendbanimit, si ka qenë dhe si është zhvilluar – thekson, Anastasi.

Vendbanimi palafit i Linit rezulton më i madhi në Ballkan, mbase edhe në Europë. Rreth 7,500 vjet më parë, banorët zhvillonin bujqësinë, zejtarinë dhe peshkimin. Gjendet edhe një tjetër vendbanim palafit në palën maqedonase, por shumë herë më i vogël në sipërfaqe sesa ai i Linit.

Më shumë për vendbanimet palafite

Vendbanimet buzë lumenjsh a liqenesh në platforma dërrase mbi pilota druri, dëshmohen që në fillesat e kësaj gjinie. Ndër ta palafiti i Neolitit të Mesëm (5500/5000 p.e.s.) në Dunavec (Korçë), është më i vjetri në Ballkan dhe një ndër më të vjetrit në Europë. Palafitet lindin dhe vazhdojnë të jetojnë edhe në Neolitin e vonë (Ripac: Bosnje Hercegovinë), Eneolit (2600-2100 p.e.s: Maliq, Sovjan, Strugë) dhe deri Bronzin e Vonë dhe Hekurin e Hershëm (Donja Dolina/Bosnje, Peshtan/ Maqedoni).

Vazhdimësia pa këputje në kapërcyellin eneolit/ bronz, që përkon me valën e të ardhurve të rinj dhe nisjen e procesit të fermentimit të etnosit Ilir, dëshmon përzierjen e butë midis parailirëve dhe të ardhurve të rinj.

Përshkrimin plastik të këtyre palafiteve, të fundit shek. VI p.e.s., e sjell Herodoti. Sipas tij “Paionët e rretheve të malit Pangaion edhe Doberët, Agrianët dhe Odomantët dhe vetë liqenit Prasiada, nuk u nënshtruan asnjëherë nga Megabazi, ndonëse ai tentoi t’i pushtonte banorët e liqenit. Shtëpitë e tyre janë ndërtuar në këtë mënyrë: Në mes të liqenit, majë pilotave të larta, është fiksuar një platformë dërrase që lidhet me tokën nëpërmjet një ure. Pilotat, mbi të cilët qëndrojnë shtrojat, në kohët e shkuara i vendosën bashkërisht tërë banorët.

Më vonë, i vendosnin kështu: Secili nga ata që martohej, sillte nga mali që quhet nga Orbel, tre trarë për secilën nga tri gratë që merrte dhe i vendoste atje. Secili burrë mbi platformën kishte një kasolle që banonte dhe nga kasollja të çonte poshtë në liqen, një qepen i lidhur mirë.

Fëmijët e vegjël i lidhnin për këmbe me litarë, nga firka se mos binin poshtë në liqen. Kuajt dhe bagëtitë i ushqenin me peshk. Peshku kapet me shumicë aq të madhe sa që nëse ndonjëri hap qepenin dhe lëshon me litar koshin e zbrazët, koshi mbushet plot me peshk. Kishte dy lloje peshku: njëri që quhet paoprakes dhe qetri tilones (Herod. 5. Terpsichore). Nisur nga toponomia e Herodotit (Dober/Dibër, Prasiada/Prespë, mali Orbel/ Mali Herbel), liqenin Prasia nuk do ta identifikonim me liqenin Doiran në afërsi të Selanikut, por me atë të Prespës.

Më mirë struktura e palafiteve dhe banesave në to njihet nga vendbanimet në Donia Dolina mbi lumin Sava dhe Ripac mbi lumin Una, afluent po i Savës. Palafiti në Ripac, minimalisht me sipërfaqe 4,000 m2, është një nga palafitet e mëdhenj neolitikë. Platforma prej dërrase e palafitit mbështetej në rreth 2,500 pilota të ngulura thellë në taban.

Platforma ndahej në 5 njësi drejtkëndëshe me sipërfaqe rreth 800m2 (14 x 60 m), mes të cilave kalonin kanale 3 m të gjerë dhe mbi to, urat drunjta që i lidhnin me njëra-tjetrën (fig. 20). Nisur nga sipërfaqja e kasolleve (rreth 30 m2) dhe rrugët, rruginat dhe sheshet mes tyre, rezulton se çdo platformë mund të mbart te rreth 15-17 kasolle dhe familje, përkatësisht 500- 600 banorë.

Palafiti i Donja Dolinës, i fundit të bronzit/fillimit të hekurit (shek. 13- 6 p.e.s.), ndodhet në një bërryl të lumit Sava. Nga lumi ai mbrohej prej një gardhi me trinë të thurur mes pilotave, ndërsa një gardh i dytë po me trinë, e qarkonte nga toka për ta mbrojtur nga sulmet e kafshëve të egra.

Banesat (40-55 m2) rreshtoheshin platformave paralele, perpendikulare me rrjedhën e lumit. Në ballin nga toka, rruginat mes banesave ishin të pajisura me shkallë që lejonin komunikimin me bregun. Krahas banesave, në platformat kishte një sërë tarracash dhe sheshesh për grumbullimin dhe kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. Midis platformave kalonin kanale të gjerë të veshur me parete dërrase, që shkarkonin ujërat e vërshimeve. Mbi kanalet kalonin urate e drunjta, si lidhëse të platformave me njëra-tjetrën.

Përqëndrim të veçantë, vendbanimet palafitet patën në pellgun e 4 liqeneve Ohrit, dy Prespave dhe Maliqit, që në këtë kohë ende nuk kishte nisur të degjeneronte në kënetë. Prej tyre përreth liqenit të Ohrit janë zbuluar 6 palafite (Lin, Vrbnik, Strugë, Peshtan, Trpejca, Shën Naum), 3 të tjerë përreth liqenit të dikurshëm të Maliqit (Maliq, Sovjan, Dunavec) dhe nga një në brigjet e Prespës së Madhe (Nikolec) dhe në takimin e lumit Shumi me Drinin (Vrbnik).

Palafitet e zbuluar i qëndrojnë 2.5- 6 km larg njëri-tjetrit, çka supozon se numri i tyre në këtë pellg, ka qenë së paku, dy herë më i madh. Shkak për këtë dendësi është begatia e liqeneve dhe lumenjve me peshk, fauna e pasur ujore dhe tokat e mira livadhore të kafenjta, që siguronin prodhim të lartë bujqësor. Prej tyre, më i lexueshëm është ai i Peshtanit (1,500-700 p.e.sonë) Platforma e tij prej 8,500 m2 mbahej nga rreth 6,000 pilota lisi a pishe, me diametër kryesisht 30 cm dhe lartësi 3-5 m. Nisur nga dendësia e palafiteve të tjera, rreth 3 banesa/100 m2 platforma e mësipërme duhet të mbante rreth 250 banesa.

Si i tillë, Peshtani me rreth 1,500 banorë, është një nga palafitet e mëdha europiane. Shpërndarja e pilotave tregon se platforma lidhej me bregun nëpërmjet një ure druri, ndoshta e lëvizshme.

Exit mobile version