Epilogu

Në test u rendit i 544, djali i eprorit pranohet në polici

Procesi i intervistimit në konkursin e fundit për policë në Policinë e Kosovës është shfrytëzuar për rritjen e pikëve të familjarit të një polici dhe një personi që ka të publikuar foto me Sami Lushtakun.

Duke krahasuar listat e rezultateve nga procesi i rekrutimit në polici KALLXO.com zbulon se djali i eprorit të Policisë në Mitrovicë, Ahmet Xhosha, Bujar Xhosha kishte arritur që në testin me shkrim të renditet i 544 me 80% të pyetjeve të sakta. Situata kishte ndryshuar pas intervistës, përkundër që intervistimit peshonte vetëm 40% të totalit të pikëve përballë testit me shkrim që ishte 60%.

Xhosha kishte arritur të dal në pozitën e 148 pas intervistimit, apo duke u përmirësuar në rangim për 396 pozita. E në fund, në mënyrë të pashpjegueshme, djali i eprorit të policisë në Mitrovicë është renditur i 120, vend ky që i garanton një pozitë në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës me anë të një përgjigje drejtuar KALLXO.com ka sqaruar se pse ishte bërë një renditje e tillë për djalin e komandantit Xhosha.

“Në rastin e kandidatit B. Xh. ne listën e publikuar të rezultateve të testit me shkrim, i njëjti ka qenë i renditur në vendin e 544 (në testin me shkrim me rezultat 80%), mirëpo duke pasur parasysh edhe fazat e tjera të testimeve të cilat u nënshtrohen të gjithë kandidatët, i njëjti pas fazës së intervistës me gojë në regjistrin e rezultateve meritore është renditur i  148”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës.

Ngjashëm dallime në pikë vërehen edhe tek Arlind Ahmetin, i cili në testin fillestar ka qenë i renditur në vendin e 735 me 79 për qind të pikëve, pastaj pas intervistës i njëjti kishte dalë në vendin e 206 e rangimi përfundimtar i tij kishte qenë 172.

KALLXO.com posedon një fotografi të Ahmetiti në një odë së bashku me ish- kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.

Edhe për këtë rast, Policia e Kosovës ka shpjegim.

“Në rastin e kandidatit A.A në listën e rezultateve të testit me shkrim, ka qenë i renditur në vendin e 735 (në testin me shkrim me rezultat 79%), ku po ashtu marrë parasysh edhe fazat e tjera të testimeve, pas fazës së intervistës me gojë, i njëjti në regjistrin e rezultateve meritore është renditur i 206”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sami Lushtaku dhe kandidati për polic, Arlind Ahmeti

Policia e Kosovës tutje ka shpjeguar se në intervistim një kandidatë mund të marrë maksimumin 40% të totalit të rezultateve përfundimtare.

“Regjistri i rezultateve meritore përfshin rezultatin e dy fazave të testimeve, atë  me shkrim dhe me gojë. Renditja e kandidatëve bëhet sipas meritës dhe atë sipas kësaj kronologjie: rezultati nga testi me shkrim i kandidatit vlerësohet me 60% dhe vlerësimi i testit-intervistës gojore 40% të rezultatit të përgjithshëm, e pastaj përcaktohet rezultati përfundimtar”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Më 16 prill të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte hapur konkurs për polic të rinj.

Kushtet për pranim si pjesëtarë i Policisë së Kosovës janë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të jetë i moshës 18-30 vjeçar, të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm, të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale, të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar), të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Sipas njoftimit të policisë, kandidatët në këtë konkurs do ti nënshtrohen testit me shkrim, testi i aftësive fizike, intervista, testi psikologjik. kontrollimi mjekësor, verifikimi i të kaluarës.

https://kallxo.com/policia-hap-konkurs-per-pjestare-te-rinje/

Nga të gjitha këto teste që do të nënshtroheshin kandidatët do të fitonin pikë dhe do të rendoheshin në lista të cilat në fund do të përmblidhej dhe do të zgjidheshin ata të cilët kanë qenë më të mirët për tu bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në këtë konkurs nuk mbetën pa aplikuar edhe të njohur të personave të njohur në Kosovë.

KALLXO.com në shtator të vitit të kaluar kishte shkruar se si Betim Hasi, djali i drejtorit regjional të Policisë së Gjakovës Ahmet Hasi, ishte njëri nga kandidatët i cili ka kaluar provimin me shkrim për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Hasi kishte thënë për KALLXO.com se nuk ka pasur kurrfarë ndikimi nga ana e babit të tij, Ahmet Hasi, drejtor regjional i Policisë në Gjakovë që emri i tij të publikohet si njëri nga kandidatë që i plotëson kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë.

Por Betim Hasi nuk është i vetmi djalë i një drejtuesi të stacionit të policisë që kishte hyrë në garë për tu bërë polic, ose thënë më mirë për të trashëguar punën e prindit të tij.

Exit mobile version