Në vitin 2019 nipërit e këshilltares së Albulena Haxhiut së VV-së dyshoheshin për laborator droge
Një asamblist dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci është arrestuar në Tiranë të martën si pjesë e një grupi të organizuar të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shqipëri. Më konkretisht, ata u kapën nga Policia e Tiranës me më shumë se 11 mijë doza ekstazi në vlerë prej rreth 400 mijë euro. Por ky nuk është rasti i parë që lidhet me drogën dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Në shtator të vitit 2019, nipërit e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, raportohej se ishin arrestuar për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishin zbuluar dy laboratorë të sofistikuar dhe kamufluar shumë mirë për përpunimin e lëndëve narkotike, me ç’rast kishin arrestuar katër persona të dyshuar, në mesin e tyre raportohej se ishin edhe djemtë e vëllait të ish-deputetes Bala.
Gazeta Insajderi kishte publikuar atë kohë një video ku shihej laboratori, të cilën raportohej se nipërit e Balës, kishin kultivuar e përpunuar drogë.
Njësitet e antidrogës në Policinë e Kosovës kishin arritur ta kapin këtë grup kriminal të fshehtë, që në vazhdimësi tentonte të krijonte kushte për laboratorë të tillë.
“Ndërsa në laboratorin e dytë ka qenë përgatitje për të rritur kapacitetin e bimëve të kanabisit. Me urdhër të prokurorit, katër persona janë arrestuar me iniciale N.D, A.M, A.B dhe F.B”, ishte thënë në një konferencë për media që Policia e Kosovës.
Rrahim Rama, ish-kryeshef i AAPSKI (Agjencia për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose konfiskuar), i cili u shkarkua nga Albin Kurti, kishte akuzuar këshilltaren e ministres Haxhiu, Nazlie Balajn se kanë ndërhyrë në punën e agjencionit të cilin ky e ka udhëhequr prej kohësh dhe se ka akuzuar familjen e këshilltares Balaj se kanë pasur laborator droge.
“Kjo Nazlie Balaj bashkë me Xhelal Sveclën me datë 19 mars në kohën kur Kosova do të thotë hyri në pandemi kanë shku e kanë vizitu agjencinë. Kjo në fakt nuk është dashur asnjëherë të jetë këshilltare e ministres familja e saj kanë pasur laborator të drogës. Ne agjencia ia kemi mbyll atë laborator”, ishte shprehur shprehur ai.
Në atë kohë, Bala kishte paralajmëruar padi. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo kishte deklaruar se do të depononte padi ndaj ish-drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama.
“Ish drejtori i Agjencisë për Administrimin e pasurisë të konfiskuar dhe sekuestruar, z.Rrahim Rama, në një televizion paska bërë disa shpifje në drejtim timin si këshilltare e Ministres së Drejtësisë. Njëra nga këto ishte se në shtëpinë time paska qenë ndonjë laborator droge”, kishte shkruar Bala në Facebook.
“Deri në fund të javës, do të deponoj padi për shpifje kundër të njëjtit”, kishte thënë ajo.