Epilogu

Nën presionin e UDB-së dhe Akademisë serbe: Mark Krasniqi, “armik i popullit!

Akademiku i ndjerë Mark Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin kishte sqaruar për problemet nëpër të cilat ka kaluar ai, gjatë periudhës së ish-sistemit komunist të ish-Jugosllavisë.

Ai kishte thënë se gjatë periudhës që ka qenë i angazhuar në Akademinë e Shkencave në Beograd (gjatë viteve të ‘50-ta) është marrë në takime informative nga pjesëtarët e UDB-së.

“Unë jam marrë me studimin e traditës shqiptare dhe me problemet e shqiptarëve në Jugosllavi (sidomos ne Kosovë). Pata shkruar për rojtarët shqiptarë të kishave ortodokse në Kosovë, duke menduar se përveçse do të shpalosej e vërteta, kjo do të kontribuonte që të tregohej se ne shqiptarët kemi qenë vazhdimisht tolerantë në aspektin fetar”, kishte thënë Krasniqi.

Ai kishte theksuar se këtë punim (me këto fakte) ia pati ofruar aso kohe për botim Akademisë së Shkencave në Beograd. Sipas procedurave të zakonshme, tema trajtohej nga dy recensentë të cilët vendosnin se sa a mund të botohej ai shkrim ose jo.

“Të ju them të drejtën, unë prita që ky shkrim dhe faktet e ofruara të vlerësoheshin nga ana e tyre, mirëpo u befasova kur ndodhi krejt e kundërta. Ata nuk pranuan që të botohet ky punim i imi, duke shkruar zi e terr për mua. Madje, mua më tentuan që të më paraqesin si armik i popullit serb, sepse sipas tyre, isha rreshtuar në anën e atyre që ia donin të keqen serbëve, gjë e cila është plotësisht e pavërtetë”, kishte theksuar Krasniqi.

Sipas tij, ishte një periudhë e tillë ku të shkruash mirë për shqiptarët nuk shiheshe me sy të mirë, ndërsa e kundërta vlerësohej shumë.

“Është interesant se edhe temën e doktoratës për të cilën në fillim u pajtuan mentorët, e që titullohej
‘Ndryshmet shoqërore dhe politike në Kosovë, mbas Luftës së Dytë Botërore’, më kanë penguar ta publikoj, ndonëse kisha ardhur në Kosovë disa herë resht për t’i mbledhur materialet e nevojshme”, kishte thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se kur ishte në përfundim e sipër të punimit të doktoratës, Akademia serbe e kishte ftuar për ta këshilluar që të mos e publikonte temën për të cilën ishte angazhuar, me arsyetimin se ata kanë menduar që t’ia sigurojnë një temë më të lehtë e cila nuk i harxhon shumë kohë.

“Këtë ma kishte thënë sekretari i Akademisë, i cili e njihte punën dhe angazhimin tim në Akademi. Ai me tha se ka biseduar me kolegët tjerë, dhe se t’i duhet që ta ndryshosh temën sepse është shumë e gjerë dhe e rënd për ty. Pastaj, ai po me thotë se ti duhet me u marrë me temën ‘Mimikria Nacionale, në Kosovë, ne kohen e Perandorisë[ Osmane’ (mimikria do të thotë të fshehësh një gjë të vërtetë, ose të vërtetën ta quash të pavërtetë)”, kishte thënë Krasniqi.

Sipas tij, ata pretendonin, përmes kësaj teme dhe përmes tij, që të publikoheshin pohimet se serbët nën presionin e popullsisë myslimane e kanë ndërruar fenë dhe rrjedhimisht pas kësaj janë shqiptarizuar.

“Në një moment mua më pëlciti delli i malësorit dhe iu drejtova atyre më fjalët se për këtë temë (që e propozuat ju) nuk ka argumente dhe se nuk mund të punoj diçka të tillë. Por, ata insistonin se të gjitha materialet do të m’i siguronin vetëm nëse unë pranoja që ta publikoja këtë temë, duke tentuar të më joshin me akomodim në jetën akademike atje”, kishte thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se, mbas kësaj ka protestuar dhe ka thënë se nuk është dele që shitet në pazar dhe që pret ta shfrytëzojnë të tjerët.

“UDB-ja me pati ftuar në një takim informativ në Beograd, ku në mesin e atyre që më morën në pyetje ishte një serb dhe një shqiptar. Më thanë se ti ke autoritet ndër studentët shqiptarë në Beograd dhe se duhet të bisedosh me ata dhe të na informosh për hallet dhe kërkesat e tyre”.

Sipas tij, ai kishte deklaruar pas kësaj kërkese se “nëse me keni ftuar për atë punë (spiunimin e studentëve shqiptarë), lirisht mund të ma hapni derën e burgut, sepse unë nuk i shërbej askujt”, duke shtuar se “pjesëtarët e UDB-së e kishin kërcënuar se nëse nuk pranon bashkëpunimin me ta, do ta përjashtonin prej punës dhe se nuk do ta gëzonte asnjë privilegj”.

Krasniqi ka thënë se kur është kthyer në Kosovë, në vitin 1961, atë e ka ftuar prapë UDB-ja në takime informative, duke e pyetur se pse shqiptarët janë të pakënaqur me statusin e tyre në Jugosllavi. Sipas tij, ai ka thënë se shqiptarëve u është pamundësuar që të vendosin për fatin e tyre, pastaj jetojnë në kushte jo të mira ekonomike, ku më shumë se gjysma e tyre ishin të papunë.

“Pas rënies se Rankoviqit, njëri nga ish-shefat e UDB-së, në Kosovë, më ka denoncuar si ‘armik i popullit’. Çdo gjë pozitive që ka ndodhur për shqiptarët, dhe publikohej si e tillë, ishte një mundësi më pak për avancim në punë dhe karrierë”, kishte shtuar ai.

Krasniqi ka sqaruar se ka pasur raporte korrekte me ish-udhëheqësin komunist të Kosovës, Fadil Hoxha, të cilën kur e ka takuar, ai e ka pyetur se a ia kanë larguar aparatet e përgjimit, të cilat sipas Hoxhës, i ka vendosur UDB-ja për ta përgjuar.

“Unë çdo mëngjes që zgjohesha, fjalën e parë që e thosha ishin sharjet në adresë të atyre që po më përgjonin. Gazetat aso kohe patën shkruar së të gjithë udhëheqësit shqiptarë, përfshirë edhe Fadil Hoxhën, janë përgjuar nga UDB-ja”, ka thënë ai.

Krasniqi, i cili ka qenë ish-dekan i Fakultetit Juridik, thekson se shumë prej shkrimeve të cilat janë publikuar nga ai, janë lexuar nga Hoxha me kërkesën e këtij të fundit, duke shtuar se ato, pa dijeninë e tij, kishin bërë që ai të propozuar të jetë pjesë e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së vitit 1974.

“Fadili, ne mesin e anëtarëve te Komitetit të Partisë, në vitin 1973 ka prezantuar qëndrimin se shqiptarët duhet ta kenë të drejtën e vetëvendosjes. Madje, pas këtyre deklaratave e kishin akuzuar atë se kjo çfarë po deklaron është separatizëm. Fadili, ndonëse nuk e ka përmendur direkt kërkesën për republikë dhe vetëvendosje, ai vazhdimisht ka kërkuar të drejta më të mëdha për shqiptarët. Madje, në një moment më pati thënë tekstualisht se nuk ka zgjidhje për Kosovën, pa bashkimin me Shqipërinë. Kjo ka qenë para vitit 1974. Ishte koha kur diskutohej për Kushtetutën e Kosovës, e cila u fuqizua në vitin 1974. Këtë fjali nuk e kam thënë derisa ka qenë Fadili gjallë”, kishte theksuar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version