Nëna e të vrarit në lokalin “Panda”: Gjithmonë kam dyshuar se Serbia e vrau djalin tim
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, tani President i Serbisë, është i pari që ka thënë se vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, nuk e kanë krye shqiptarët. Pastaj dolën edhe dëshmitë tjera. Telegrafi më poshtë ju sjell rrëfimin e një nëne të viktimës në këtë masakër, të dhënë për portalin Vesti.
“Dyshimet se fëmijët tanë nuk janë vrarë nga shqiptarët kanë dalë pak pas vrasjes. E them këtë publikisht, si një nënë, dhe le të më gjykojnë. Shteti i ka vrarë dhe shpresoj se nuk do të marrë kohë kjo që më në fund të dimë se kush urdhëroi të tërhiqet këmbëza e armës. Shteti vret dhe asnjë në këto 15 vjet nuk reagon. Mendoj se kjo është një nga sekretet më të mëdha shtetërore. Është koha për ta zbuluar të vërtetën. Së paku shpirtrat tanë, shpirtrat e prindërve do të ndjehen më lehtë”, thotë Ljubica Trifovic, nëna e 17-vjeçarit të vrarë, Draganit.
Për të është e dhimbshme informata se shërbimi i Serbisë i vrau të rinjtë serbë, por shton se është falënderuese ndaj Vucicit, sepse u ka dhënë shpresë se vrasësit do të gjenden.Duke kujtuar skenën tragjike, Ljubica deklaron se nuk ka kaluar shumë kohë nga varrimi kur u përhapen fjalët se dora serbe i vrau fëmijët e tyre në Pejë.
“Pas 10-15 ditësh dalin këto fjalë, por atëherë e sot në mendje e kishim që dhembja duhet të jetë më e madhe se turpi. Nuk donim të besojmë. Pos kësaj, edhe shqiptarët assesi nuk i kanë pranuar këto vrasje. Kanë thënë se mund të pranojnë gjithçka, por ‘Pandën’ kurrsesi. Kur burri im dhe baballarët e fëmijëve të tjerë të vrarë shkuan tek Vojislav Kostunica dhe presidenti Boris Tadic, askush nga sigurimi shtetëror i Pejës, as policisë, nuk ishte në takim. As nuk kemi mundur t’i gjejmë.
Nuk ka asnjë raport për krimin në Pejë, ndërsa hetimet kurrë nuk kanë përfunduar. Asnjë nga ata kryesorët në MUP-in e Pejës nuk është deklaruar për vrasje, as Qeveria e Serbisë. Nga Slobodan Milosevici nuk kemi marrë as telegram ngushëllimi, e lëre më diçka tjetër. Ne jemi të zemëruar në shtet dhe kërkojmë të zbulohet se kush i masakroi me 60 plumba ata të rinj”, shtonë ajo.
Sipas saj, ajo breshëri plumbash nuk është shkrepur vetëm ndaj gjashtë të rinjve, por ndaj tërë Serbisë.
“Kemi mbetur pa fëmijë, vëllai pa vëlla, motra pa vëlla. Aty kishte djem hasreti. Më i riu ishte 14 vjeç e më i vjetri 25. Në mesin e tyre ishte Dragani im që ishte në vitin e katërt të gjimnazit. Këto janë të shtëna në zemër të Serbisë. Kush guxoi të tërheq këmbëzën e të marrë jetët e gjashtë fëmijëve? E çfarë shkaktoi kjo? ‘Panda’, pastaj Reçaku, pastaj bombardimi i Serbisë. Gjithçka me rend kanë shkatërruar, jo vetëm familjen tonë”, thotë Ljubica, duke shtuar se si nënë nuk do të ndalet kurrë për ta zbuluar të vërtetën.
“Ishim të pafuqishëm. Donim të shkonim madje në Strasburg, por në cilën adresë? Duam ta dimë kush është ai që mund ta kryej atë krim dhe për çka? Për para, për interes apo propagandë? Çdo ditë ne lexojmë gazetat dhe i shohim ato fotografi monstruoze. Është e tmerrshme për ne si prindër”, thekson ajo. “Më kanë ftuar të jem dëshmitare e mbrojtjes së Milosevicit në Hagë, dhe kam pranuar. Më kanë thirr dhjetëra herë, dhe kam shkuar në Beograd për testin e inteligjencës. Por, kur në fund kam thënë se do të jem dëshmitare vetëm e së vërtetës, më nuk më kanë ftuar”. /Telegrafi/