Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, nesër (e hënë) fillon gjykimi rreth zgjedhjes së rektorit të ri të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Në gjykim do të përballet kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri dhe rektori në detyrë, Ramë Vataj.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e ka konfirmuar për “PrizrenPress”, fillimin e procesit gjyqësor rreth çështjes së zgjedhjes së rektorit të ri të UPZ-së.
“Nesër na ka ftuar gjykata për këtë çështje”, ka konfirmuar Muhadri.
Rregullsia e raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në maj të këtij viti u kontestua nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij universiteti.
Tre nga shtatë anëtarët e këtij Këshilli nuk kanë marrë pjesë në votimin e raundit të dytë, ku në garë për rektor kanë qenë prof.dr. Ramë Vataj dhe prof.dr. Ismet Temaj.
Ky i fundit, në raundin e dytë ka marrë katër vota, derisa rektori aktual Vataj nuk ka marrë asnjë votë.
Përderisa një pjesë e KD-së konsideronte se Temaj e ka marrë mandatin e rektorit, pjesa tjetër e këtij këshilli thekson se procesi i votimit në raundin e dytë ka qenë inekzistent meqë nuk ka pasur kuorum.
Ndërkohë në statutin e UPZ-së shkruan se rektori zgjidhet me dy të tretat e votave të numrit të anëtarëve të KD-së.
Rektori në detyrë i UPZ-së, Ramë Vataj, ndërkaq është ankuar në organet e drejtësisë për procesin zgjedhor të rektorit të ri.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, tha se zgjedhja e rektorit të ri është bërë në mënyrë të rregullt.
Rektori i ri i UPZ-së, Ismet Temaj tha se tashmë e ka marrë vendimin për marrjen e detyrës së re.
“Me 27 tetor do ta marrë detyrën e rektorit të UPZ-së”, konfirmoi Temaj për “PrizrenPress”.
Ai, tregon se vendimin për marrjen e kësaj detyre e ka në xhep.
Rektori i ri i Universiteti Publik ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, Ismet Temaj, e quan normale ankesën e kundërkandidatit, Ramë Vataj.
Sipas tij, humbësit gjithmonë ankohen.
“Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj./PrizrenPress.com/