Gazeta Dita / Nexhmije Hoxha
Vlerësimi i së kaluarës, sidomos i historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë dhe e periudhës 45-vjeçare të ndërtimit socialist të Shqipërisë, është një domosdoshmëri. Por ai nuk mund të bëhet i plotë pa përcaktuar drejt vendin dhe rolin e Enver Hoxhës në historinë e re të popullit tonë.
Me emrin e Enver Hoxhës është e lidhur ngushtë jo vetëm historia e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por edhe ajo e themelimit dhe e afirmimit të shtetit të ri shqiptar të pas Luftës. Enveri ishte udhëheqësi i luftës fitimtare antifashiste dhe i transformimeve të mëdha në periudhën e pas çlirimit. Personaliteti i tij e ka determinuar jetën politike shqiptare për afro gjysmë shekulli. Ai e bashkoi popullin fort në unitet dhe e mbrojti denjësisht Shqipërinë nga rreziqet e jashtme. Këto dhe merita e të tjera të tij janë të pamohueshme.
Kryesorja për Enverin gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij kanë qenë interesat e larta kombëtare, pavarësia dhe siguria e Atdheut, uniteti i brendshëm dhe imazhi dinjitoz i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai luftoi dhe punoi në rrethana të vështira, të brendshme dhe të jashtme, bashkë me popullin dhe me partinë dhe, pa dyshim, këto rrethana kanë ndikuar në formimin e personalitetit të tij si politikan, si burrë shteti, si atdhetar i flaktë, si dhe në vendimet që ai merrte. Është pohuar që mendimi dhe veprimet e Enver Hoxhës, si politikani dhe udhëheqësi kryesor i partisë dhe i shtetit, kanë lënë vulën e tyre në historinë e re të Shqipërisë. Por ai nuk ka punuar kurrë për pushtet personal, por kurdoherë ka kërkuar dhe ka zbatuar parimin e kolegjialitetit dhe diskutimin e hapur për marrjen e vendimeve dhe asnjëherë nuk ka patur dhe nuk i ka lejuar vetes pushtet të pakufizuar. Dihet që vetë Enveri është shprehur, disa herë, kundër kultit të personit, si praktikë, dhe veçanërisht kundër teprimeve që bëheshin në adresë të tij.
Ndaj them që vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës duhet bërë sipas parimit të historizmit, si i vetmi parim që shmang gjykimet e gabuara. Duhet ndarë ajo çka i takon personalisht Enverit nga ajo që i takon kohës.
Në ditët e sotme, për Enver Hoxhën janë thënë e mund të thuhen shumë gjëra dhe, meqë kohët kanë ndërruar, duket dhe bëhet më e lehtë për ta anatemuar atë, për ta denigruar dhe për të mohuar çdo të mirë që ai ka bërë për popullin dhe për vendin e tij. Por është i pakundërshtueshëm fakti që, si udhëheqësi më i lartë i vendit, në qëndrimin ndaj çështjes kapitale të çdo populli dhe të çdo vendi, lirisë dhe pavarësisë së Atdheut, Enver Hoxha nuk ka gabuar kurrë.
Si një politikan largpamës dhe bir besnik i popullit të vet, Enveri çdo veprim e bënte në interes të vendit. Ai ishte një prijës me popullaritet, që dinte t’i bashkonte njerëzit dhe t’i çonte peshë zemrat e tyre, ndaj Enver Hoxha, sa qe gjallë, nuk i takonte vetëm PPSH-së, por gjithë Shqipërisë, pasi ai ka qenë një faktor i madh uniteti për mbarë popullin shqiptar.
Mbi të gjitha, si atdhetar i flaktë, Enveri ka qenë një luftëtar i palëkundur për çështjen kombëtare, për pavarësinë dhe sovranitetin e padiskutueshëm të atdheut.
Ndërkohë që sot, brenda vendit, ka pseudohistorianë dhe antishqiptarë, të shitur apo me tipare antikombëtare dhe fashiste, që janë përpjekur dhe përpiqen ta denigrojnë figurën e Enver Hoxhës, shumë personalitete të huaja, politikanë, gazetarë dhe studiues, njohin, vlerësojnë dhe e kanë vënë në dukje tiparin dhe filozofinë e patriotizmit të Enver Hoxhës.
Madje, mjaft studiues dhe autorë të huaj e pohojnë me të madhe se Enver Hoxha vërtet ka qenë komunist, por ai ishte edhe një patriot i madh.
Kurrsesi nuk mund të mohohet që në historinë e shtetit tonë socialist, ka mjaft raste kur Enveri ka guxuar që, në emër të interesave të larta patriotike (atdhetare), të ngrihet edhe mbi parimet e ideologjisë komuniste, sidomos kur ishte fjala për miqësinë dhe vëllazërinë me popujt e vendeve fqinje, për fqinjësinë e mirë me shtetet kufitare. Dhe këtë e bënte, në radhë të parë, për interesat e kombit dhe vetëm për hir të ruajtjes së pavarësisë dhe të sigurisë së Atdheut dhe të popullit. Shembujt për këtë janë të shumtë dhe të njohur.
Janë disa personalitete të huaja në Perëndim, që kanë vlerësuar dhe vlerësojnë se, pas Luftës së Dytë Botërore, kur erdhi në pushtet, Enver Hoxha, ky burrë shteti, ua bëri të qartë kancelarive dhe qeverive të huaja se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm dhe, në rast se dikush do të guxonte të përdorte forcën, ai nuk do të ndahej pa luftë, se Shqipëria do t’i përgjigjej me forcën e armëve.
Këto janë të shkruara dhe të njohura. Përcaktime dhe vlerësime të tilla, që i bëjnë të huajt për Enver Hoxhën, për fat të keq, nuk merren konsideratë nga ne shqiptarët e sidomos nga historianët dhe studiuesit. Por ato vlerësime janë të bazuara në vetë faktet historike. Për to flet historia. Le të sjellim disa shembuj:
Një gazetar dhe publicist i huaj, në një shkrim për Enver Hoxhën është shprehur, në mënyrën e tij, se: “Sa herë që i duhet, Enver Hoxha nxjerr nga mënga e xhaketës Kartën e nacionalizmit”.
Kjo shprehje është e njohur në botë dhe dihet se në ç’raste dhe në ç’kuptim përdoret. Por, për ne, shqiptarët, “Nacionalizmi”, përkthyer në shqip “Kombëtarizmi” ose, më saktë, “Atdhetarizmi”, për Enver Hoxhën nuk ka qenë kurrë “kartë që nxirrej nga mënga”, por esenca, thelbi i qëndrimit dhe i politikave që ai ka ndjekur, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raportet ndërkombëtare. Mund të them se qysh me Themelimin e Partisë Komuniste, ai u udhëhoq pikërisht nga interesat kombëtare, duke u përballur dhe duke luftuar kundër pushtimit fashist, për t’i siguruar vendit lirinë, pavarësinë dhe progresin në të gjitha fushat e jetës. Thirrja e Partisë Komuniste të Shqipërisë, që ai e formuloi bashkë me Qemal Stafën, për një luftë antifashiste nacionalçlirimtare, kishte në themel PATRIOTIZMIN (ATDHETARIZMIN), pra, ÇLIRIMIN e Atdheut nga pushtuesit, bashkimin e popullit në luftë për Liri dhe Pavarësi kombëtare.
Edhe kur Partia Komuniste mori në dorë shtetin e çliruar me gjakun e mijëra të rinjve dhe me sakrificat e një populli të bashkuar dhe vendosi Pushtetin Popullor, gjatë sistemit 40 e ca vjeçar monist, Enver Hoxha ngriti lart, promovoi dhe punoi për të mbajtur gjallë vlerat dhe figurat e historisë sonë kombëtare, Skënderbeun dhe Rilindësit tanë të mëdhenj. Duke ndjekur rrugën e tyre, ai bëri çdo gjë për të mbrojtur me vendosmëri pavarësinë dhe integritetin territorial të Atdheut, ruajti të pacenuar kufijtë dhe të drejtat kombëtare të vendit tonë.
Ai, vërtet, e udhëhoqi vendin mbi bazën e parimeve ideologjike komuniste, por në tërë jetën dhe në veprimtarinë e tij pati si yll polar idetë, luftën dhe amanetin e Rilindësve tanë të mëdhenj, lidhur me Pavarësinë dhe me prosperitetin e kombit shqiptar. Ndaj nuk pushoi së luftuari me forcë kundër synimeve dhe përpjekjeve shoviniste të vendeve fqinje, që synonin aneksimin e pjesëve të territorit të Shqipërisë së vogël, të asaj Shqipërie që kishte mbetur nga copëtimi i padrejtë i saj, që kishin bërë Fuqitë e Mëdha.
Pa luftën e vendosur që bëri Enver Hoxha në këtë aspekt, nuk do ta kishim sot “këtë copë Shqipëri që ka mbetur”, siç shprehej ai. Kjo luftë që ka bërë ai nuk ka qenë, pra, një “kartë e nacionalizmit”, por, një kërkesë dhe luftë e përhershme, filozofia, bindje e brendshme e tij.
Në këtë frymë atdhetarizmi i ndërmori Enveri të gjitha reformat e transformimet e mëdha ekonomiko- shoqërore, ngritjen e veprave të mëdha dhe të vogla industriale e bujqësore, arsimore dhe social-kulturore gjatë 40 vjetëve të qenies së tij në krye të shtetit socialist, që e ruajti sovran dhe të pavarur.
Por, pavarësisht nga këto kontribute, në ditët e sotme, qëllimisht, anashkalohen dhe nuk përmenden ato që ka bërë Enver Hoxha lidhur me pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë, ndaj së cilës oreksi i fuqive të huaja ka qenë i madh. Sot nuk shkruhet dhe nuk trajtohet me vërtetësi ajo që bëri Enver Hoxha për mbrojtjen dhe sigurinë e këtij vendi buzë Adriatikut, ndaj të cilit fuqitë e huaja kryen për vite me radhë operacione militare në Shqipëri. Ato, e pohojnë vetë, me dokumente, që tani i njohin të gjithë, financuan, përgatitën dhe ndërmorën hedhjen nga ajri, toka dhe deti grupe terroristësh dhe diversantësh të armatosur, (kriminelë lufte, bashkëpunëtorë të pushtuesit, të arratisur, për të djegur e për të vrarë dhe për të rrëzuar me armë pushtetin popullor, regjimin komunist. Dhe, kur dështuan me turp para vendosmërisë së Enver Hoxhës dhe mbarë popullit, që u vu në mbrojtje të fitoreve të arritura dhe të pavarësisë së vendit, këta armiq të Shqipërisë u detyruan të tërhiqen me turp. Por, këtë e bënë përkohësisht, sepse edhe më pas ata vazhduan presionet dhe kërcënimet ushtarake ndaj vendit tonë, madje, dërgonin në Mesdhe dhe në Adriatik flotat, anijet e tyre luftarake, që ankoroheshin në portet e vendeve fqinje. Dhe këtë e bënin jo për turizëm.
Në 45 vjet që Enver Hoxha drejtoi Shqipërinë, ajo jo vetëm që u bë një vend i civilizuar, por ç’është më e rëndësishmja, ishte një Shqipëri e lirë, vërtet e pavarur, që nuk iu nënshtrua askujt dhe nuk lejoi të jetë e dominuar nga asnjë shtet, i madh apo i vogël qoftë.
Atdhetarizmi i Enver Hoxhës duket më së miri në qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, kur ai dërgoi divizionet e UNÇSH për ta çliruar Kosovën. Edhe pas çlirimit të vendit, ai nuk reshti së ngrituri zërin për Kosovën dhe për të drejtat e saj,duke theksuar e ritheksuar se Kosova është shqiptare dhe populli i saj kishte të drejtën e vetëvendosjes dhe vullnetin për t’u bashkuar me shtetin amë. Në kontaktet me Titon dhe me zyrtarë të tjerë jugosllavë Enveri u ka ngritur dhe u ka kërkuar gjithmonë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Me pjekurinë e një burri shteti, në vitin 1954, Enver Hoxha hoqi dorë nga funksioni i Kryeministrit, përveç të tjerash, edhe që të mund të merrej më shumë me Kosovën. Ai kishte synimin që, në kuadrin e luftës kundër titizmit, në rrafshin ideologjik e politik, si udhëheqës i Partisë, të demaskonte dhe të denonconte shkeljen e të drejtave kombëtare që u bëheshin kosovarëve dhe shqiptarëve të tjerë në trojet e veta në Jugosllavi, pa krijuar incidente të karakterit shtetëror me shtetin jugosllav. Ai punoi shumë në këtë drejtim, duke mbajtur të ndezur vetëdijen kombëtare të popullit shqiptar këtej dhe përtej kufirit për të kërkuar dhe për të fituar të drejtat politike dhe shoqërore të Kosovës, të mohuara nga regjimi shovinist serbomadh.
Në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, duke vënë në rend të parë çështjen e mprehtë e Kosovës, Enveri ndërtoi një politikë të marrëdhënieve korrekte me këtë vend fqinj, në dobi të të dyja palëve, duke synuar sidomos që të arrihej afrimi dhe të vendoseshin kontakte e lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit. Ai theksoi idenë se kjo gjë do të ndihmonte për realizimin e aspiratës së të gjithë shqiptarëve, bashkimin e tyre në një shtet të vetëm.
Pas demonstratave të vitit 1968, për të cilat udhëheqja jugosllave akuzonte Shqipërinë si nxitëse, Enver Hoxha ngriti përsëri fort zërin për Kosovën dhe për të drejtat e saj. Njihet mirë fakti që, pas kësaj, në vitin 1970, duke shfrytëzuar vizitën në Tropojë, ai mbajti një fjalim, në të cilin, parashtroi një lloj platforme për “Çështjen e Kosovës”.
Ky fjalim, që u dëgjua edhe në Kosovë, pati një jehonë të gjerë jo vetëm në popullin e saj, por vuri në lëvizje edhe kancelarinë diplomatike jugosllave. Dhe dihet që, pas këtij fjalimi, nuk munguan reflektimet në Jugosllavi: u miratua Kushtetuta e vitit 1974, që e përcaktonte Kosovën Krahinë Autonome, me të drejtën e pjesëmarrjes si anëtare konstituive në Presidencën e Federatës Jugosllave, dhe iu dhanë edhe disa të drejta të tjera të qenësishme.
Sigurisht, populli shqiptar i Kosovës kërkonte më shumë, por, si fillim, ky hap ndihmoi për një hapje, bëri që të vendosen kontakte dhe marrëdhënie të lirshme dhe vëllazërore midis Kosovës dhe Shqipërisë, në fusha të ndryshme. Enver Hoxha e quajti këtë një rast të volitshëm, që duhej shfrytëzuar si akt i madh drejt afrimit të të dyja pjesëve të Shqipërisë, të ndara padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha.
Janë të njohura rezultatet e shumëpritura që solli kjo politikë e Enver Hoxhës në afrimin mes shqiptarëve këndej e përtej kufirit. Qytetarë të zakonshëm nga Kosova, vëllezër e farefis, të përmalluar, që kishin humbur vite pa u parë me njëri-tjetrin, nisën të vizitonin Shqipërinë, ashtu si edhe shumë veta nga Shqipëria shkuan në Kosovë. Po ashtu, grupe studiuesish, pedagogë, historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë etj. nga Shqipëria shkuan në Kosovë dhe ata nga Kosova, vinin në Shqipëri. U zhvilluan mjaft aktivitete të përbashkëta shkencore, me tema për historinë e kombit tonë, për gjuhën e përbashkët dhe për shkollën shqipe, për artin dhe kulturën e popullit tonë, për këngët, vallet e traditat popullore, të lashta dhe të reja. Po ashtu, një rol të madh për afrimin e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit luajtën ansamblet artistike dhe folklorike, nga Shqipëria dhe nga Kosova, që, me spektaklet e tyre, ndezën zemrat dhe ndjenjat e shqiptarëve. Këto shkëmbime vizitash dhe veprimtaritë kulturore të përbashkëta krijuan një klimë afrimi dhe kontaktesh vëllazërore mes shqiptarëve edhe mes institucioneve zyrtare shtetërore e shoqërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, që kishin dekada pa kontaktuar, pa u parë dhe pa biseduar me njëri-tjetrin.
Në këtë situatë të re, Enver Hoxha kërkonte rregullisht informacione dhe të dhëna për t’u njohur me hollësi me zhvillimet në Kosovë dhe me problemet e popullsisë shqiptare atje. Për këtë, ai kishte burimet e veta zyrtare, që e informonin për gjendjen në Kosovë, për të mësuar se si mendonin politikisht vëllezërit kosovarë, si jetonin, ç’mendim kishin për Shqipërinë, a ishin ata në dijeni se ç’bëhet këndej në vendin tonë etj., etj.
Për të mësuar sesi po ecnin kontaktet dhe bashkëpunimi midis vëllezërve të një gjaku, Enveri shfrytëzonte çdo rast që i paraqitej. Enveri ka pritur në takime dhe ka biseduar me burra dhe patriotë që vinin nga Kosova për t’u konsultuar me udhëheqësin e Shqipërisë; me të rinj e të reja kosovare me ide revolucionare, që kërkonin mendimin e tij për veprimtarinë e tyre. Ndër të tjera, ai u thoshte: “Është mirë të krijohet Fronti për Çlirimin e Kosovës”.
Gjithashtu, ai priste në takime, në shtëpi dhe në zyrë, persona që kishin shkuar apo që niseshin për në Kosovë për vizita, për leksione a veprimtari të përbashkëta shkencore e kulturore. I pyeste dhe bisedonte me ta rreth atyre që kishin parë e jetuar atje. Edhe kur në shtëpi na vinte nipi i tij, djali i motrës, Luan Omari, një nga juristët e shquar të vendit tonë, që shkonte rregullisht në Kosovë për të dhënë leksione të fushës së jurisprudencës, Enveri bisedonte gjerë e gjatë me të, edhe në tryezën e bukës, dhe merrte përshtypjet e tij për situatën në Kosovë. Duke qenë e pranishme, edhe unë njihesha e mësoja për zhvillimet që ndodhnin në takimet dhe veprimet e përbashkëta midis njerëzve tanë nga Shqipëria dhe vëllezërve nga Kosova.
Dua të theksoj këtu se preokupacioni i Enverit për Kosovën ka qenë po aq i madh sa edhe për Shqipërinë. Bëj këtu të ditur faktin që, kur pati një nga krizat e forta të zemrës, duke parë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, ai më tha tri gjëra, në formë amaneti. Në to nuk kishte ndonjë dëshirë a këshillë për gruan e tij të dashur apo për fëmijët e tij, që i adhuronte. Jo, këto amanete ishin krejt të tjera. Duke më shtërnguar fort dorën, ai më tha:
“Ruani Unitetin! Kujdes për Rininë, se ajo është e ardhmja e vendit! Më vjen keq që nuk bëra diçka më shumë për Kosovën!” … dhe pashë që sytë e tij u përlotën.
Është e vërtetë. Në momente prekëse, Enveri edhe lotonte, nuk i fshihte dot emocionet! Motra e tij, Fahrija, më kishte thënë: “Kështu ka qenë Enveri që në vegjëli, prekej kollaj”.