Nga eliminimi i Haklajve, te zhdukja e Remzi Hoxhës, 3 dosjet e fshehta në SPAK që mund të fundosin Sali Berishën
Në sirtarët e Prokurorisë së Posaçme janë 3 çështje, të cilat kanë kaluar pa vëmendje. Nëse prokurorët do kenë guximin tu shkojnë deri në fund, atëherë Berisha e sheh veten te burgu 313 shumë shpejt.
Peshqit e mëdhenj të politikës vijojnë të livadhisin, ndonëse provat për korrupsionin e tyre janë sheshit. Meta e Berisha kanë 30 vite në politikë dhe pavarësisht se janë të zhytur në dhjetra afera, sërish bëjnë protagonistin në politikë. Nuk mbeten pas as Edi Rama me ministrat e tij.
SPAK ka në dorë disa dosje të bujshme dhe gjërat kanë nisur të lëvizin, ndonëse mbetet të shihet se sa të guximshëm do jenë prokurorët. Për Ilir Metën janë hapur 4 dosje dhe duket se kjo e ka nxjerrë nga shinat ish-presidentin.
Ndërkohë për Sali Berishën, deri tani publikisht është bërë e ditur se kemi dosjen e Kompleksit Partizani që po hetohet, bashkë me aferën e CEZ. Mirëpo në sirtarët e Prokurorisë së Posaçme janë dhe 3 padi të tjera, të cilat kanë kaluar pa vëmendje. Nëse prokurorët do kenë guximin tu shkojnë deri në fund, atëherë Berisha e sheh veten te burgu 313 shumë shpejt.
Padia e Izet Haxhisë
Në nëntor të vitit 2018, Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, e paditi këtë të fundit për 23 vepra penale. Haxhia ishte i arrestuar për vrasjen e Hajdarit dhe përmes avokatit të tij Idajet Beqri, bëri një padi ndaj Berishës për të gjitha skandalet që kanë ndodhur në vend. Haxhia ju drejtua Krimeve të Rënda dhe e paditi Berishën për firmat piramidale, vrasjen e Hajdarit, vrasjet e 2 prillit, etj. Sipas burimeve, Haxhia u mor në pyetje dhjetra orë dhe dha dëshmitë e tij për çdo akuza. Më pas Krimet e Rënda u shkrinë dhe “Pamfleti” ka mësuar se dosja ka kaluar te SPAK. Kur u krijua Prokuroria e Posaçme shumë dosje të Krimeve të Rënda u transferuan aty dhe një ndër to është kjo padi. Por askush nuk po gjen guximin ta hapë këtë dosje.
Padia e Zylfie Haklajt
Një ndër ngjarjet më të rënda në vend është ajo e shfarosjes së fisit Haklaj. Ai që cilësohet si përgjegjës është Sali Berisha. Zylfie Haklaj është ndër të paktat që ka folur disa herë publikisht kundër Berishës dhe një vit më parë ajo mori guximin dhe u rikthye në Tiranë, për të bërë një padi në SPAK. Në qershor të vitit 2021, Zylfie Hklaj doli në një intervistë dhe njoftoi se ishte kthyer nga Suedia për të kërkuar drejtësi mbi vrasjen e vëllezërve të saj.
“Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë. Kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Edhe në qoftë se ata do të thonë që kanë kaluar shumë vite, ne kemi denoncuar vit pas viti, rast pas rasti dhe nuk kemi pushuar, nuk kemi reshtur së denoncuari, pavarësisht se shteti shqiptar nuk ka funksionuar. Dhe ne mendojmë se ai, se shteti shqiptar nuk ka funksionuar si rezultat i ekzistencës së organizatës kriminale të Sali Berishës ose si rezultat i uzurpimit të shtetit shqiptar nga Sali Berisha, nga agjenti, nga i shituri Sali Berisha, nga krimineli, nga vrasësi Sali Berisha, i cili nuk ka vrarë vetëm familjen Haklaj, por ka vrarë, po vret edhe shqiptarët që po vriten sot rrugëve”, shprehej Haklaj.
Zhdukja e Remzi Hoxhës
Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe djali i Remzi Hopxhës. Ky u fundit u zhduk në vitin 1995 pa lënë gjurmë dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë të dhënë për të. Dyshimet janë se Remzi Hoxha pa Berishën në një takim me Millosheviçin dhe më pas u arrestua nga SHIK. Po ashtu dyshohet se ai u torturua deri në vdekje dhe ju zhduk trupi.
Ardian Hoxha ka gjithë këto vite që kërkon eshtrat e babit të tij dhe pak kohë më parë edhe ai njoftoi një padi në SPAK. Në tetor të vitit 2021, RTSH publikoi një dokumentar mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe djali i tij tha se do të kërkojë ndihmën e SPAK, ndonëse nuk ka shpresë se do ketë zhvillime. “Do bëjmë tentimin e fundit në SPAK, jemi në përgatitje, por për të na i gjet eshtrat shteti shqiptar, unë i kam humbur shpresat”, deklaroi ai.
A do ketë guxim SPAK që të ndryshojë historinë e vendit? A do vijë dita që të hidhet dritë mbi këto ngjarje që kanë tronditur vendin ndër vite? Tashmë topi është në duart e prokurorëve specialë. /Pamfleti