VITI 2019: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është dëshmia me e mirë për të demantuar të gjithë ata qe pretendojnë se një ndërmarrjet publike e menaxhuar nga stafi vendor nuk mund të jetë e suksesshme dhe të operoj me profit.
Kjo ndërmarrje publike, vitin 2019 po e mbyll me 23 milion euro profit qe shënon një rritje rekord prej 30% me shumë sesa vitin paraprak.
Në të njëjtën kohë ka rritur investimet kapitale për të garantuar siguri në prodhimin e energjisë elektrike dhe njëkohësisht ka ulur shpenzimet operative.
Të hyrat e realizuara për periudhën raportuese, Janar – Nëntor 2019, kanë arritur shumën prej 166.9 milionë euro, nga kjo shumë vetëm nga eksporti i energjisë elektrike janë realizuar 20 milionë euro.
Thaçi: Të gjitha njësitë kanë kaluar parashikimet
Drejtor menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka bërë të ditur se këto rezultate janë arritur falë një pune dhe përkushtimi në të gjitha njësitë gjeneruese.
“Këtë vit kemi realizuar nxjerrjen e djerrinës mbi 11% krahasuar me vitin 2018. Kemi rezultate të mira në nxjerrjen e thëngjillit, ku kemi tejkaluar planin mbi 3% apo 6% me shumë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.
Gjithashtu, kemi krijuar rezerva të mjaftueshme të thëngjillit në dy deponitë të cilat na japin komoditet që deri në marsin e vitit të ardhshëm të mos kemi probleme me furnizim me thëngjill.
Termocentrali Kosova A, edhe pse është me pajisje të vjetra i lëshuar në punë para 60 viteve, këtë vit ka arritur rekord në prodhim. Në fakt e ka thyer rekordin e vitit 1988. Ka tejkaluar planin vjetor mbi 11%, ndërsa 6% më shume se në vitin paraprak.
Po ashtu kemi një performancë të mirë edhe në termocentralin Kosova B, i cili e ka kaluar planin e paraparë për 2%, apo 3% me shumë sesa në vitin paraprak.
Ky prodhim dhe ky angazhim i të gjithëve na ka bërë që KEK-u këtë vit të shpallet tatim paguesi më i madh në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Lluka: E rrallë kur një ndërmarrje publike rrit të hyrat dhe zvogëlon shpenzimet operative
Ndërsa Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka potencuar se KEK-u është njëra prej ndërmarrjeve publike të rralla që ka rritur të hyrat dhe ka pasur një përformancë të mirë dhe njëkohësisht ka ulur shpenzimet operative.
“Kjo tregon se vitin e fundit edhe pse është rritur qarkullimi nuk janë rritur shpenzimet operative. Pra kjo është e rrallë që shihet në ndërmarrjet publike. Në ndërmarrjet publike gjithmonë kemi rritje të shpenzimeve, rritje të punësimit, rritje të shpenzimeve operative, por në vitin 2019 KEK-u e ka bërë një punë të mirë në menaxhimin e saj, duke rritur fitimin rreth 30% nga viti 2018. Po ashtu është me rëndësi të ceket se KEK-u me prodhimin e energjisë elektrike ka arritur që të eksportoj energji në vlerë prej 20 milionë euro. Pra eksporti i energjisë elektrike ka benifite të shumëfishta për ne si vend, pra jo vetëm që e përmirëson bilancin tregtar, e rrit eksportin, por gjithashtu edhe që të hyrat të hyjnë nga jashtë-brenda, që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktit vendor. Pra sa i përket numrave, financave në përgjithësi ka pasur një menaxhim të kënaqshëm në këtë vit”, ka thënë ministri Lluka. Ai po ashtu ka potencuar se KEK-u tashmë duhet të bëjë planifikim për investime të mëdha kapitale, siç është hapja e minierës së re, blerja e eskavatorëve të rinj, si dhe normalisht përmirësimi apo rregullimi i termoelektranave që në vazhdimësi duhet të bëhet rehabilitimi i tyre.
“Tashmë ne jemi duke u futur në fazën e rehabilitimit të Kosovës B, që është një investim 380 milionë euro, ku 80 milionë janë grant nga Komisioni Evropian, që gjithashtu kërkon investime dhe përkrahje besoj nga buxheti i Republikës së Kosovës në mënyrë që ta bëjmë një rehabilitim të mirë për 20 vjetët e ardhshme”. Ka thënë Ministri në largim i MZHE-së”, Valdrin Lluka.