Firmës private “Patton Boggs” iu besua përfaqësimi i Republikës së Kosovës në tre procese arbitrazhi. Tenderi ishte shpallur me mundësinë për t`i angazhuar tri kompani, por Ministria e Drejtësisë përfundoi duke ia dhënë të tria rastet vetëm kësaj firme. Zbulohet se në këtë tender për një ‘gabim’ të ministrisë kur u bënë ofertat, tash buxheti për këtë punë do të rëndohet edhe me mbi 270 mijë euro më shumë.
Në prill të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Albulena Haxhiu, lidhi një kontratë për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës në tri procese arbirtrazhi që janë hapur nga tri kompani.
Firma private “Squire Patton Boggs (US) LLP”, i fitoi tri llotet e këtij tenderi, ani pse sipas thirrjes mund të fitonin tri firma të ndryshme. Në atë proces të negociuar, “Patton Boggs” u angazhua për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës, kundër kundrejt padisë së Blerim Devolit, “Iute Credit”, dhe kompanisë “Contour”.
Për këto tri punë Ministria e Drejtësisë negocioi me “Patton Boggs” dhe u morën vesh që ta paguanin gjithsej 1 milionë e 575 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Në platformën online të tenderëve del që ka pasur një ndryshim në këtë punë. Në maj të vitit 2021 do të shtohej edhe dokumenti “Formulari standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara”.
Nga analiza e këtij tenderi del që pasi që u bënë negociatat e para dhe “Patton Boggs” do të përzgjidhej për tu shpërblyer me kontratë prej 1 milionë e 575 mijë euro, në atë rast në ofertë nuk ishte llogaritur edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), prej +18 %.
Dokumentet e dosjes tregojnë që Ministria e Drejtësisë pastaj do të komunikonte edhe me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Ky institucion u kishte dhënë dritën e gjelbër që duhej të mblidhej tatimi edhe nga firma “Patton Boggs”, por në këtë rast Ministra e drejtuar nga Albulena Haxhiu në dosjen publike nuk del të ketë kërkuar opinion nga institucioni i thirrur për të interpretuar Ligjin e Prokurimit.
Institucioni që interpreton Ligjin e Prokurimit në Kosovë është Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
Komunikime mes Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave e ATK-së do të shkëmbeheshin, në dosje është përfshirë edhe një komunikim prej 6 faqesh mes tyre. Në fund Ministria e Drejtësisë do të ndryshonte Deklaratën për Disponueshmërinë e Mjeteve.
Derisa përzgjedhja ku puna iu besua “Patton Boggs”, në të tria llotet kishte dalë të ishte 1 milion e 575 mijë euro, kur Ministria e Drejtësisë, më 24 maj 2021 nxori “Deklaratën Plotësuese për Disponueshmërinë e Mjeteve Financiare”, çmimi ndryshoi për +18 %.
Pas këtij ndryshimi, në vend të 1 milion e 575 mijë euro, buxhetit të shtetit shërbimet e kompanisë “Patton Boggs” do t`i kushtojnë 1 milion e 854 mijë euro. Ose, 270 mijë euro më shumë.
Nga Ministria janë përgjigjur për gjërat që tashmë dihen, që tenderi ka qenë i negociuar, e që kanë qenë 9 kompani në garë
“Komisioni negociues dhe vlerësues gjatë punës së tij të negocimit me të gjithë operatorët ekonomik ndërkombëtar (të huaj) ka negociuar ofertat pa e përfshirë TVSH-në në çmimin final me arsyen se janë kompani ndërkombëtare (të huaja) dhe shërbimet kryhen jashtë Kosovës, si dhe nuk i nënshtrohen TVSH-së. E gjithë kjo për të ardhur deri te një çmim më i ulët i cili do të kontraktohej sipas rezultatit të negocimit”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë për Gazetën Insajderi.
Por, në dosjen publike të tenderit ende figurojnë format e ndërtimit të çmimit në ofertë, në versionin ‘Exel”. Në këtë dokument, pjesë e dosjes së tenderit, me shkronja komplet të mëdha është shkruar “ÇMIMI PËR NJËSI ME TVSH €”.
“Është negociuar me të gjithë ofertuesit apo 9 operatorët ekonomik njëjtë pa përfshirë TVSH-në, me kushte të barabarta dhe Komisioni ka vendosur që të përzgjidhet kjo kompani për përfaqësim në arbitrazh”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderin.
Edhe pse në përgjigje ata thonë që TVSH-ja duhet të paguhet nga “Patton Boggs” në dokumentin ‘Deklarata Plotësuese për Disponueshmërinë e Mjeteve Financiare” shkruhet që çmimi për secilin llot do të ndryshojë në një vlerë financiare të përbashkët – më shumë para të dhëna nga buxheti i shtetit prej 270 mijë eurosh.
“Squire Patton Boggs (US) LLP” sipas të dhënave publike të vëna në dispozicion nga vet kompania është një kompani ndërkombëtare ligjore me gjithsej 45 zyre në 20 shtete. Ajo u formua në vitin 2014 nga firmat ligjore shumëkombëshe Squire Sanders me Patton Boggs me qendër në Washington D.C.
“Patton Boggs” nuk është emër i panjohur për Kosovën.
Edhe në kohën e Qeverisë së Hashim Thaçit firma do të angazhohej për lobim në Amerikë në favor të Republikës së Kosovës, kontratë që do të zbulohej nga “Foreign Agents Registration Act”, institucioni amerikan që regjistron pos tjerash edhe aktivitetet e lobimit në tokën amerikane nga entitetet jo-amerikane.
Nga Ministria e Drejtësisë për të mbrojtur shtetin nga padia e Blerim Devollit “Patton Boggs”do të paguhet 678 mijë euro nga 575 mijë euro sa ishte para ndryshimeve me 18 % TVSH.
Pas këtyre ndryshimeve për padinë e ‘Iute Credit” kjo firmë private do të paguhet 619 mijë euro nga 525 mijë euro para ndryshimit derisa për ta mbrojtur shtetin kundër padisë së “Contour” do të paguhet 560 mijë euro nga 475 mijë euro, para ndryshimit./insajder/