Një rekrutim punësimi brenda Ministrisë së Shëndetësisë, bie në kundërshtim qëndrimet e ashpra publike të kryeministrit aktual Albin Kurti kundër fenomenit të nepotizmit nëpër institucionet publike.
“Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Kurti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit.
Por, rasti i Emrush Avdylit është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e shprehura nga shefi i ekzekutivit.
Kushëriri i deputetit Haxhi Avdyli, i punësuar në muajin prill si pjesë e stafit të Ministrisë së Shëndetësisë, është një ish-muzikant.
Emrush Avdyli është një profesionist i instrumentit muzikor të daulles, bazuar në të dhënat publike të tij. Në rrjetin social Facebook, Avdyli ka publikuar fotografi të cilat e shfaqin atë duke luajtur instrumente muzikore.
Sipas të dhënave që figurojnë në llogarinë e tij personale në Facebook, djali i axhës së Haxhi Avdylit ka studiuar për menaxhment në Kolegjin Privat “Fama”. Por, atij i mungon diploma universitare, kanë thënë burime të Gazetës Insajderi.
Gazeta ka tentuar të marrë sqarime nga i punësuari në stafin e zv/ministrit Berisha, por ai ka qenë i paqasshëm në numrin e tij të telefonit.
Për emërimin e djalit të xhaxhait në qeveri, nuk ka dhënë asnjë koment as Haxhi Avdyli, deputeti i shumicës në Parlamentin e Kosovës, ndonëse gazeta ka insistuar të marrë një përgjigje nga ai lidhur me këtë çështje.
Më 26 prill, Emrush Avdyli ka publikuar një fotografi që konstaton punësimin e tij si kuadër në Ministrinë e Shëndetësisë. Fotografia shfaq Avdylin në shoqërinë e Arsim Berishës, zv/shefit të dikasterit qeveritar të shëndetësisë. /Insajderi.org