reth 400 euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për ta furnizuar me telefon mobil një prej këshilltarëve politik të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Por, se për cilin këshilltar është blerë ky telefon, ende nuk po dihet.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë vetëm se kërkesa për këtë telefon është bërë nga njëri nga këshilltarët politik të Kurtit, pa treguar emrin e tij.
“Sipas kërkesës së paraqitur për një telefon dore nga njëri nga këshilltarët politik të Kryeministrit, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) dhe në përputhje me procedurat ligjore që derivojnë nga Ligji për Prokurim Publik, Zyra e Kryeministrit ka zhvilluar një tender për furnizim për një telefon dore (mobil)”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka treguar se kërkesa për pajisje me telefon është realizuar para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, i cili pezullon të drejtën dhe praktikën e pajisjes së këshilltarëve politik me telefon dore.
“Ju njoftojmë se kërkesa për pajisje me telefon mobil është realizuar para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë nr. 01/23 të dates 08.04.2020. Ky vendim hyn në fuqi nga data 01.05.2020, parasheh shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës – institucionet e përkohshme vetëqeverisjes nr.05/3 të datës 22.01.2008 dhe pezullimin e neneve 2, 3, 4, 5, 6, 7, dhe nenit 8 të udhëzimit Administrativ nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) i cili parasheh të drejtën për pajisje me telefon dore (mobil) të këshilltarëve politik.
Pra me vendimin nr. 01/23 të dates 08.04.2020 i cili hyn në fuqi më 01.05.2020 pezullon të drejtën dhe praktikën tashmë 12 vjeçare të pajisjes së këshilltarëve politik me telefon dore”, ka sqaruar Kryeziu.
Ndryshe, në njoftimin për nënshkrim të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është bërë e ditur se furnizimin do ta bëj “Mobi Gega”.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me operatorin ekonomik për të marrë vesh llojin e telefonit që është blerë. Nga “Mobi Gega” kanë treguar se ZKM’ja është furnizuar me një “Samsung A51”.
lera e përgjithshme e kontratës është 370 euro.