Epilogu

Një vjet me Qeverinë e Kurtit: A ndryshoi Kosova apo veç Albini?

Jetlir Buja / NACIONALE

Qeveria e Albin Kurtit nesër bëhet rrafsh njëvjeçare. Duke qenë se epigrafi i saj ishte ‘Ndryshimi’ – ndryshimi rrënjësor me ‘N’ të madhe, me ‘N’ shumë të madhe – atëherë unë do të ekzaminoj domethënien e kësaj fjale, e me këtë edhe realizimin praktik përgjatë këtij harku kohor. Kishim të bënim me ‘ndryshim’ që niste përnjëmend me shkronjë të madhe apo shkronjë të vogël, NDRYSHIM me Caps Lock, ndryshim në thonjëza, apo s’kishim të bënim me kurrfarë ndryshimi?

Një komshi i gjyshërve tanë, Herakliti nga Efesi, para dymijë e pesëqind vitesh kishte thënë që e vetmja gjë që nuk ndryshon është ndryshimi. Nuk besoj që kryeministri ynë, Albin Kurti, e ka pasë ndërmend komshiun tonë të lashtë kur kishte premtuar “ndryshim” me themel në Kosovë pas ardhjes së tij në pushtet. Pra, Albini ynë nuk e kishte fjalën thjesht për një ndryshim që ndodhte e ndodh vetiu pavarësisht se kush është e kush s’është në krye. Albini ynë besoj që i besonte një komshiu tjetër, Platonit.  

Por, t’i lëmë komshitë menjanë për një çast. Ajo çka 50 për qind e popullit në vitin 2021 priste të shihte prej Kurtit ishte t’i jepte fund një herë e mirë ‘shkatërrimit 20 vjeçar’ të qeverisjeve nga PDK-ja dhe partitë tjera [përfshirë edhe UNMIK-un prej 1999 deri më 2008]. Ajo që u proklamua pra, ishte një ndërrim rrënjësor i kursit politik të Kosovës në krejt fushat.

Në pamje të parë, pas një viti të Albinit në krye, asgjë nuk duket ndryshe. Mbi 60 për qind e të rinjve duan të largohen nga Kosova. Askush nuk mund ta thotë sinqerisht se ku e sheh veten pas pesë vitesh. Askush nuk ndjen siguri financiare. Askush nuk sheh kah e ardhmja, pasi sytë i janë ngulur me detyrim në të tashmen e faturave të fryra, çmimeve të rritura dhe krizës me rrymë. Askush nuk investon.

Mirëpo, pamja e parë mund të më gënjejë. Çka nëse ka diçka të fshehur diku që heshturazi shpreh ndryshimin e madh, ose të paktën fillimin e ndryshimit të madh?

N d r y sh i m i  sipas VV-së

Hajt të shqyrtojmë fillimisht fjalët me të cilat lavdërohej Vetëvendosja me Albin Kurtin gjatë këtij viti në pushtet.

Indeksi i Sundimit të Ligjit nga “World Justice Project” i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar duket një shenjë e mirë. VV tregonte se Kosova ishte renditur më së miri në rajon në këtë fushë me anë të një shkrimi dhe një grafikoni të publikuar në rrjete sociale.

Por! Thjesht ‘por’.

Kosova kishte qenë e para në rajon edhe në vitin 2020, dhe madje duke u renditur gjashtë vende më mirë (2020 – 54, 2021 – 60) se në vitin pasues kur Albini mori dizgjinat. E bile, njësoj si Vetëvendosje bash për këtë indeks ishte fryrë edhe Kadri Veseli – në atë kohë kryetar i PDK-së. A mund ta merrnim me mend Albin Kurtin duke i thënë të njëjtat fjalë si Kadri Veseli dikur? Në fakt, për çdo gjë që Qeveria Kurti është fryrë, janë fryrë edhe qeveritë e kaluara. Përveç menaxhimit ‘të mirë’ të pandemisë me të cilën është fryrë vetëm Qeveria Hoti dhe jo të tjerat. Arsyeja? Pandemia nuk ka ekzistuar para vitit 2020.

Tjetërçka? Investimet e huaja direkte nuk janë rritur, me diasporën që e ndihmon statistikën me blerje të banesave. Rritja ekonomike erdhi siç erdhi edhe në vendet e komshive tanë kur u hapën ekonomitë pas masave të pandemisë. Por, a fryhet njeriu me paketa ndihmash të Avdullah Hotit? Besnik Bislimi ndërkohë, fryhej në kohë karantinash se ishte rritur numri i vendeve të punës gjatë mandatit të parë të qeverisë. I vetmi vend në botë që me ekonomi të mbyllur çel vende pune? Dalim banalë nëse e marrim seriozisht.  

T’i kthehemi pyetjes kryesore mbi ndryshimin me ‘N’ të madhe. Në mënyrë që të mos flisja vetmevete, bisedova me tre persona të zëshëm të profileve të ndryshme në sferën publike. I pari, profesor i shquar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe votues i Vetëvendosjes më 14 shkurt. I dyti, ish-aktivist i Vetëvendosjes që tash ka funksionin e Sekretarit Organizativ të PSD-së. Dhe i treti, një politolog me profesion që po ashtu kishte qenë ish i Vetëvendosjes.

“Puna njëvjeçare e Qeverisë nuk flekton as për së afërmi pritjet e krijuara dhe nuk justifikon votën e 14 shkurtit”, më tha në mënyrë të prerë profesor Smajlaj.

Por, të këmbëngulim: çka saktë ka bërë Kurti? Dhe nëse nuk ka ndryshim të madh, a ka ndryshim të paktën në ndonjë fushë specifike?

“Ajo që mund të përgjithësohet për punën e kësaj qeverie gjatë një viti është një vazhdim i administrimit të institucioneve nga qeveritë e kaluara. Deri tani është vënë në dukje mungesa e vizionit, politikave, programit, dhe strategjive përkatëse, të domosdoshme për të arritur atë Ndryshimin e shumëpritur…”, vazhdoi profesori.

Mos po e huqim thelbin? T’i mëshojmë vijë të zezë gjithë kësaj që thamë deri këtu. Hajde flasim një herë se çka ishte e çka është Ndryshimi i premtuar?

Ndryshimet e  n d r y sh i m i t

Politologu Shkodran Ramadani m’i tha disa fjalë që në fillim u tremba se mos po e kundërshtonin Heraklitin nga Efesi mbi ndryshimin si të vetmen konstante, pra si të vetmen gjë të pandryshueshme, por më pas doli që ai e shihte thjesht ndryshimin ‘kurtian’ si të ndryshueshëm.

“Duhet ta kemi parasysh që koncepti i “ndryshimit” te Kurti dhe VV-ja ka ndryshuar gjithë kohën. Nuk ka qëndrueshmëri (se çka kuptohej me ‘ndryshim’) dhe me këtë fjalë ai ka kuptuar gjëra të ndryshme në kohë të ndryshme. Dikur, “ndryshimi” ka përfshirë “ndryshimin e kushtetutës që mundëson ndryshimin e kufijve (bashkimin me Shqipërinë), ndryshimin e Republikës (Republikën e Tretë), anulimin e privilegjeve të komunitetit serb të garantuara nga Pakoja e Ahtisaarit, ndryshimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë, ndërprerjen e dialogut me Serbinë” e kështu me radhë. Më vonë fjala “ndryshim” ka ndryshuar domethënie dhe ka nënkuptuar vetëm ndryshime kozmetike, si koalicione me parti të caktuara kundër partive të caktuara, ndryshime minore në formatin e bisedimeve dhe në raportet me ndërkombëtarët.”

A-ha!

Ama, matanë krejt këtyre ndryshimeve të ndryshimit – e që janë problematike për demokracinë në vetvete ashtu si edhe për ndryshimin si koncept – çka nënkuptonte ndryshimi bash në pikën kur Vetëvendosje fitoi zgjedhjet, pra më 14 shkurt 2021?

“Në vitet e fundit fjalën “ndryshim” e kanë reduktuar në “ndalje e korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit, zhvillim ekonomik” e të tjera. Megjithatë, as në këtë nivel nuk ka ndryshim sepse nepotizmi, klientelizmi vazhdojnë edhe me VV-në. Pra, “ndryshimi” nuk ka ndodhur as në nivel makro, as në nivel mikro. Kushtetuta është e njëjta, dialogu është i njëjti. Ndryshimi i vetëm vërehet në standardin e jetesës, por për keq.”, më tha Ramadani.

Çka mendon për këtë çështje Nol Nushi, aktivisti i PSD-së që dikur e brohoriste emrin e Albin Kurtit duke u angazhuar për ardhjen e tij në pushtet.

Qeverisja një-vjeçare e Kurtit, na ka befasuar edhe neve [PSD-në] si ndoshta mosbesuesit më të mëdhenj ndaj mendësisë së tij. Duke qenë një subjekt i rritur përmes angazhimit politik të drejtpërdrejtë me shumë sakrifica, ndryshimi që pritej me ardhjen në pushtet ishte një ndryshim rrënjësor e jo sipërfaqësor”, argumentoi Nushi.

mosNDRYSHIMI

Ndoshta një vit nuk mjafton që gjërat të ndryshojnë rrënjësisht. E ndoshta, nuk mjaftojnë as njëzet vjet.

Sidoqoftë, Kurti megjithëse nuk po përmend më ndryshimin aq shpesh si fjalë, po i vë qeverisjes së tij mbiemrin “e mirë”. Në anën tjetër, ka ekzistuar edhe vetëdija e të paktën një ritmi shumë të ngadaltë të ardhjes së këtij ndryshimi edhe sipas pushtetarëve. Çka na thonë arsyetimet e tyre mbi këtë ritëm të ngadaltë?

“Pamundësia për ta ndryshuar gjendjen, e ka shtyrë VV-në që fajin për “mosndryshim” ta bartë te qeverisjet e kaluara: “nuk po mundemi ta ndryshojmë, sepse qeveritë e kaluara…” Ky është refreni të cilin e përsëritë çdo anëtar i korit qeveritar. E më e keqja është se praktikat e qeverive të kaluara po i përdorin si justifikime për të bërë të njëjtat gjëra si pararendësit e tyre e jo si model të gabuar që nuk duhet të replikohet. Shkurt, koncepti i “ndryshimit” ka humbur çdo valencë të vyeshme dhe është degraduar në një sllogan bosh partiak e populist, funksioni i vetëm i të cilit është riprodhimi i balancit të pushtetit të krijuar më 14 shkurt 2020”, komentoi Ramadani.

Profesori Avdi Smajlaj, në anën tjetër, e konsideron “indikator të dështimit” përpjekjen e qeverisë për justifikim ”të mosndryshimit”.

“Deri më tani dominon justifikimi për mungesë të të arriturave, me arsyetimet se sa kemi filluar qeverisjen, dhe se gjërat kanë qenë keq për 20 vjet. Mirëpo, për një vit qeverisje, nëse nuk mund të flasim për korrje të të arriturave do të duhej të flisnim për mbjelljen e të arriturave, të cilat gjithashtu mungojnë. Vetë tendenca për justifkim të mos-punës është indikator i dështimit”, u shpreh Smajlaj.

P Ë R N D R Y SH E

A po e hamë të njëjtin m*t apo edhe më zi?

“Në përgjithësi nëse vlerësohet puna e qeverisë me atë që ka mundur të bëhet më mirë, siç bëjnë disa – në kuptimin që është bërë diçka por jo ajo që do të duhej ose që do të mundej në bazë të potencialeve që ka vendi – këtë shpjegim e kanë përdorur [edhe] qeveritë paraardhëse të kësaj qeverie. Me një fjalë, ndryshimin më të madh që e ka bërë kjo qeveri është mungesa e ndryshimit”, më shkroi z. Avdi Smajlaj.

Ndërkohë, a ka ndonjë ndryshim në rrafshin ideologjik? Vetëvendosje është vetëquajtur parti e majtë, e me raste edhe e qendrës së majtë. Mos vallë kemi të bëjmë me një konfuzitet ideologjik që ka ndaluar qeverinë së vepruari?  

“Ndonëse kemi dallime të qarta, nuk kam pritur kurrë që Kurti të qeverisë kaq djathtas. Politikat dhe personat që i udhëheqin fushat më të rëndësishme janë të djathtë. Grupet e margjinalizuara po vazhdojnë të shtypen sepse Kurti ka hequr dorë nga diskursi e qeverisja emancipuese. Te kesh kaq shumë vota, është mundësi për të bërë punë, por kjo qeverisje në vend të zgjidheve na ka sjellë veç arsyetime.”

Ajo që mund të thuhet pas një viti të Qeverisë Kurti II është se Kosova – ambasada e së cilës në Izrael është vendosur në Jerusalem, edhe pse kjo s’ka ndonjë rëndësi për këtë shkrim – vazhdon të ndryshojë siç kishte ndryshuar edhe gjatë njëzet viteve të kaluara, por me ritmin e zakontë. Ai që po ndryshon me ritëm të shpejtë, madje marramendës, është vetë kryeministri të cilit është e zorshme t’i gjejmë ndonjë qëndrim të pandryshuar.

Artikulli është shkruar në vetën e parë dhe prandaj na lejohet të shpresojmë që po e huqim diku. Për çdo rast, secili prej jush mund të verifikojë se për çka është fryrë Qeveria Kurti.

Exit mobile version