Një tender 12 milionësh i shpallur nga Komuna e Prishtinës ka rënë në radar të Lëvizjes Vetëvendosje. Me ketë nismë të komunës që drejtohet nga Përparim Rama, është marrë një njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti.
Enis Sulstarova, aktivist i njohur i VV-së nga Shqipëria, ka bërë një postim në lidhje me tenderin që synon të kontraktojë një konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit.
Ai ka ngritur dyshime për këtë iniciativë të Ramës, i cili e mposhti partinë e Sulstarovës në garën për të marrë drejtimin e Prishtinës.
“12 milionë euro konsulencë për komunën e Prishtinës. Sa ishte borxhi i kryetarit kur mori detyrën?”, pyeti Sulstarova, duke ngjallur kështu dyshimet e tij.
Por, sa është borxhi total i Përparim Ramës?
Përparim Rama në deklarimin e pasurisë ka thënë se pasuria e tij totale, e zbritur me borxhe, kalon shifrën prej 17 milionë eurosh.
Ndërkohë që vetëm piktura, të trashëguara nga familja – siç ka thënë ai – kapin vlerën e 4 milionë eurove në sytë e të parit të Prishtinës.
Rama më së shumti ka pasuri të paluajtshme [14.5 milionë euro] ku vetëm një rezidencë kap vlerën e gati 5 milionë eurove. Ndërsa tri banesa tjera kanë vlerë 4 milionë e gjysmë euro.
Rreth 4 milionë e gjysmë euro tjera aksione, i pari i Prishtinës, i posedon në 11 shoqëri komerciale.
Por, krahas këtyre milionave, Rama ka edhe miliona të tjera borxh në formë të kredive ndaj 7 bankave dhe 5 personave tjerë – gjithsej 5.8 milionë euro.
Në fund, Rama përmes të hyrave vjetore, ka deklaruar se fiton rreth 106 mijë euro, që i bie se i pari i Prishtinës i fiton rreth 8 mijë e 800 euro rroga.
Kujtojmë faktin se arkitekti nga Londra mposhti njërin prej kandidatëve më të fortë të VV-së, Arben Vitinë, në balotazhin e garës për kryeqytetin me 14 nëntor të 2021-tës.
Lajmi se Komuna e Prishtinës hapi tender për konsulencë në vlerë prej 12 milionë eurove u konfimua sot.
Nacionale ka dërguar pyetje tek autoritetet gjegjëse komunale, por ata kanë kthyer një përgjigje duke na drejtuar te fakti që kontrata është publike.
Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ironizoi me kryetitullin: Prishtina e përjetimeve!, që në fakt ishte një prej slloganeve të Përparim Ramës në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
“Prishtina e përjetimeve! 12 milionë euro per konsulencë me pritu me i shkru zerot se le ma me mendu që vetëm për konsulencë. A e kane lluksin qytetarët e Prishtinës që 4-5 % buxhetit të Komunes me dërgu në konsulencë? Konsulencë për çka? Për me kriju një shërbim brenda komunës, konsulence se qysh me u kriju ai shërbim, i bie qe as mu kriju me këto mjete jo.Veç imagjinojeni sikur kryetari të ishte nga Vetëvendosje!”, shkroi ai.
Kush është Përparim Rama?
Përparim Rama u lind në Prishtinë më 20 janar 1976.
Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë.
Ai ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele.
Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”
Në maj të vitit 2021, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës.
Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë.