Epilogu

Njësitë e Specializuara takojnë Sindikatën e Policisë, paralajmërojnë protestë

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës, të enjten, kanë takuar kryetarin e Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, në Kampin e Policisë së Kosovës “Enver Zymeri” në Mitrovicë, ku nga këtu kanë paralajmëruar mundësinë e një proteste të radhës.

Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e njësive të NjSO-së, NjSI-së, NjTME-së, NjMA-së dhe K-9.

Përfaqësuesit e këtyre njësive kanë kërkuar që Sindikata të luaj rol vendimtar në përfaqësimin e të drejtave të tyre, qoftë në kushte dhe mirëqenie, qoftë në rregullimin e disa çështjeve administrative.

“Po ashtu kërkesë e veçantë ishte reflektimi, brenda muajit shkurt, për realizimin e kërkesave të paraqitura në protestën e fundit, me qëllim që të mos detyrohemi që të fillojmë përsëri me protesta”.

Qëllim i takimit, sipas komunikatës për media, ishte koordinimi dhe përfaqësimi sa më i mirë i të drejtave të të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës.

“Në këtë takim, nga të pranishmit, janë diskutuar kushtet e punës, pajisjet,  mirëqenia, shkelja e të drejtave ligjore të punëtorëve, heqja e disa kufizimeve të paarsyeshme, kompetencat e njësive dhe trajtimi i dinjitetshëm për të gjithë pjesëtarët e policisë”.

“Kryetari i Sindikatës është zotuar se në mënyrë të pa anshme dhe pa ndikim nga askush do të përfaqësoj të gjithë punonjësit e policisë duke insistuar që të drejtat dhe kërkesat e tyre të realizohet me dialog dhe mirëkuptim nga organet përkatëse”.

Exit mobile version