Novosella 1992: Xhafer Shatrin e akuzon Sigurimi shqiptar se është spiuni UDB-së
Pashtriku, 19 shkurt 2021: (Botuar në revistën Zëri, 04.04.1992)
Xhafer Shatrin e akuzon Sigurimi shqiptar se është spiuni UDB-së!!!
Në vazhdimin e dytë të rrëfimit ekskluziv të Sabri Novosellës: Si bëhet Xhafer Shatri udhëheqës i lëvizjes, pse dhe si Abdullah Prapashtica kthehet kundër lëvizjes pas shkuarjes në Shqipëri, pse Sigurimi hap propagandën për Xhafer Shatrin si spiun i UDB-së, pse Xhafer Shatri përjashtohet nga Lëvizja; pse LRSHJ transformohet në LPRK, pse LPRK më shumë merret me popullarizimin e Enver Hoxhës sesa me çështjen e Kosovës, pse Peter Rullman tha: “Aktiviteti i LPRK-së çon ujë në mullirin e Beogradit” etj.
***
Kishin shkuar katër shokë me një veturë dhe me një dokument të udhëtimit, por Xhafer Shatrin nuk e kishin gjetur atje. Pak ditë më parë kishin shkuar disa aktivistë të OMLK-së nga Zvicra dhe e kishin marrë. Posa kishte arritur në Zvicër, kishte kërkuar që të vërë lidhje me mua dhe e kishte dërguar Hasan Malën në Shtutgart që të marrë adresën time dhe numrin e telefonit. Pas marrjes së adresës dhe numrit tim të telefonit menjëherë u vumë në kontakt dhe vazhdimisht ishim në Lidhje të rregullta me letra apo me telefon.
U morëm vesh dhe më 15 maj 1982 u mbajt një takim në mes Xhafer Shatrit si përfaqësues i OMLK-së dhe Xhafer Durmishit e Osman Osmanit si përfaqësues të LRSHJ-së. Atë ditë u mor vendimi dhe OMLK u bashkua në LRSHJ. Së shpejti u botua numri i parë i organit të LRSHJ-së “Zëri i Kosovës”, në të cilën u botua edhe Komunikata e bashkimit.\
Xhafer Shatri u vu në ballë të LRSHJ-së!
Me bashkimin e OMLK-së në LRSHJ në ballë të aktivitetit në Evropën Perëndimore u vu Xhafer Shatri. Përkundër shumë viteve të kaluara në burgjet jugosllave Xhafer Shatri kishte një energji dhe vullnet të jashtëzakonshëm për punë dhe si punëtor i madh që ishte i dha hov të madh gjithë LRSHJ-së dhe kështu kjo organizatë u popullarizua shumë si në Kosovë, ashtu edhe në botën e jashtme.
Xhafer Shatri, i liruar krejtësisht nga dogmat staliniste-bolshevike (edhe pse ende nuk kishte guxim të dilte haptas), vuri kontakt me shumë aktivistë të dalluar demokratë në Belgjikë, SHBA, Gjermani etj. Kjo e bëri si të çmendur PPSH-në dhe menjëherë ia filloi nga kurthet shumë perfide.
Xhafer Shatri
Së pari e tërhoqi Abdullah Prapashticën dhe e nxiti të dilte me “partinë” e tij dhe megjithë “levat” e saj. E çuan Abdullahun në Shqipëri për ta “shëruar” dhe përpunuar ashtu si duhej. Nuk vonoi shumë edhe Abdullah Prapashtica filloi të nxjerrë organet e “levave” të “partisë” së tij. Së pari nxori një revistë me titull “Punëtorët”, si organ i Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës, e pastaj edhe gazetën “Kosovarja e Re”, si organ i Bashkimit të Grave të Kosovës. Përkundër orientimeve që ua bënte diplomacia e Shqipërisë kosovarëve që të tubohen rreth këtyre dy organeve, krejt ajo punë u tregua e pasuksesshme.
LRSHJ-së, nën presionin e stalinistëve, iu shtua edhe një fjalë “socialiste” dhe u quajt – Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ). Për këtë, si mua, ashtu edhe Xhafer Shatrit, na u desh që të lëshojmë pe që të mos na dalin për fushë “idetë tona reaksionare”.
Xhafer Xhatri kishte krijuar lidhje të ngushta me një varg institucionesh ndërkombëtare, siç ishte Amnestia Internacionale etj., dhe me një varg personalitetesh të njohura, siç ishte publicisti i njohur Peter Rulman etj. Për të gjitha këto Sigurimi i Shqipërisë, përmes diplomatëve të vet, të cilët të vetmen punën që kryenin me sukses ishte puna e spiunimit të shqiptarëve në përgjithësi, kishte informata të bollshme për krejt aktivitetin e LRSHJ-së në Kosovë dhe në të gjitha anët e botës.
Kontaktet e mia me diplomacinë shqiptare, gjithnjë duke pasur iluzione se vetë PPSH një ditë do të bëjë kthesë dhe do të heqë dorë nga rruga e cila e çonte popullin shqiptar në greminë dhe perpjekjet e mia të vazhdueshme qe të bëhej ndikim sado pak që të heqin dorë nga ajo rrugë që e kishte bërë Shqipërinë kamp përqëndrimi, të cilën gjë e kisha parë vetë gjatë dy muajve që kisha pasur rastin të vizitoj Shqipërinë në fillim të vitit 1980.
Nga ana tjetër, veprimtaria e Xhafer Shatrit, pa i përfillur porositë e tyre “largpamëse”, bëri që nevojë e domosdoshme të bëhet likuidimi im politik dhe i Xhafer Shatrit. Si hap i parë u vu në veprim makineria e kurtheve për përçarjen në mes meje dhe Xhafer Shatrit.
Në shtator, 1983, më thirri në telefon prof. Bujar Hoxha dhe ma caktoi takimin në restorantin “Saraçoglli”, pranë Liqenit Sapangja, afër Adapazarit. Në ditën e caktuar u takuam së bashku me prof. Bujar Hoxhën ishte edhe sekretari i pare i Ambasadës shqiptare në Ankara.
Në bisedë e sipër prof. Bujar Hoxha m’u drejtua:
– “A ke besim të plotë në Xhafer Shatrin?”.
Krejtësisht i habitur dhe i tronditur, iu drejtova:
– “Shumë më tepër se në Hekuran Isain”, i cili atëherë ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë.
lu drejtova:
– “Si më pyet ashtu profesor?”
Ai ma ktheu:
– “Jo, jo vetëm ta bëj me dije që të kesh kujdes. Jo vetëm Xhaferi, por tërë familja e tij janë të dyshimtë”.
– “Si ia ktheva, biri i asaj familjeje është edhe Sali Shatri në Shqipëri, i cili është oficer i lartë i Sigurimit shqiptar?”
M’u drejtua:
– “Mu për atë UDB-a ka bërë presion të madh në atë familje dhe ka depërtuar me kohë”.
Nuk e di, por ç’ është e vërteta, si intelektual i lartë dhe si bir i Hoxhë Kadri Prishtinës që ishte, në trurin tim mbolli virusin e dyshimit. Këtë ma përsëriti disa herë në takimet e mëvonshme.
Ndërkohë më erdhi një letër nga Gjermania. Xhafer Durmishi, i cili më njoftoi në hollësi se kishte pasur një takim me Engjëll Kolanecin dhe kishte ndejtur me të tërë ditën dhe gjatë tërë asaj bisede ia kishte sjellë fjalën rreth Xhafer Shatrit, duke shprehur vazhdimisht dyshime në Xhafer Shatrin. Për të gjitha këto, si për çdo gjë, e njoftoja Metush Krasniqin në Kosovë. Aq shumë e tronditën këto informata Metushin sa që ai dërgoi një njeri në Shqipëri për të marrë informata më të hollësishme. Dashuria e pakufishme ndaj atdheut e autoriteti i shtetit amë, respektivisht, shpërdorimi në mënyrë flagrante nga ana e shtetit amë te kosovarët; që përpiqeshin për të kontribuar sado pak në të mirë të adheut, e bënte të vetën.
TRANSFORMIMI NË LPRK
Burgosja e Zijah Shemsiut (më 9 tetor 1983 – shën. Im) me disa aktivistë të tjerë, të cilët u zunë me disa armë duke hyrë në Jugosllavi (u arrestuan në afërsi të Beogradit – shën. im) , u shfrytëzua për mrekulli nga diplomacia shqiptare për të na bindur se ajo ishte vepër e Xhafer Shatrit e planifikuar nga ana e UDB-së për të krijuar konflikt në Kosovë e për t’u masakruar Kosova dhe për t’u goditur Shqipëria. Menjëherë thirri diplomati shqiptar në konsullatën shqiptare në Stamboll, Ibrahim Çavolli dhe u takuam në banesën e Zijah Strajës. Ibrahim Çavolli e kishte marrë një numër të “Zërit të Kosovës”, në të cilin kishte nënvizuar disa rreshta e posaçërisht një ku thuhej se “do ta bejmë Jugosllavinë pluhur e hi”. Ky pasazh sillej si “argument” se Xhafer Shatri, nga njëra anë, përmes organit, thërret për luftë, e nga ana tjetër i dërgon njerëzit me armë sipas planeve të UDB-së për të krijuar konflikt dhe për të bërë masakër në Kosovë dhe kërkoi prej meje që gjithsesi e sa më parë të shkoj në Evropë dhe ta pengoj këtë njeri “shumë të dyshimtë”. Përgatita dokumentet e udhëtimit dhe e njoftova Xhafer Shatrin se do të shkoj që të takohem me të e me shokë të tjerë. Xhafer Shatri më dërgoi me të shpejtë biletën e aeroplanit dhe në muajin nëntor arrita me aeroplan në Gjenevë.
Me Xhafer Shatrin ndejta pesë ditë dhe biseduam hollësisht për shumë gjëra. Mund të them se ato kanë qenë ditët më të vështira në jetën time. E akuzova shumë rëndë. Dhe sot më vjen shumë keq, posaçërisht prej gruas së tij, e cila përkundër asaj që i dëgjoi të gjitha ato prej meje, megjithatë u soll shumë njerëzishëm ndaj meje. Nga banesa e Xhafer Shatrit erdhi e më mori Hasan Mala. Në banesën e tij mbajtëm dy mbledhje me anëtarët e udhëheqësisë së LRSSHJ-së jashtë atdheut.
Merrnin pjesë:
– Xhafer Shatri,
– Xhafer Durmishi,
– Hasan Mala,
– Saime Isufi,
– Faridin Tafallari,
– Ibrahim Kelmendi dhe
– Sabri Novosella.
Pas shumë diskutimesh dhe propozimesh, më në fund erdhëm në përfundim që të bëhen korigjimet dhe përmirësimet e gabimeve të lëshuara dhe të zgjidhet udhëheqësia prej 15 vetësh, prej të cilëve 8 në Kosovë e 7 jashtë atdheut. Të rizgjidhet redaksia e “Zërit të Kosovës” dhe u zgjodh një komision për t’i shqyrtuar në hollësi gabimet e atëhershme. Anëtarë të komisionit u zgjodhën
– Xhafer Durmishi,
– Faridin Tafallari dhe
– Ibrahim Kelmendi, kështu që Ibrahim Kelmendit iu dha mundësia t’i realizojë udhëzimet e diplomacisë shqiptare me plot sukses.
Pasi na u duk se u tejkaluan të gjitha pengesat e deriatëhershme, u largova përsëri për në Turqi.
Pas pak ditësh, pasi arrita në Turqi, më erdhi vendimi i komisionit të lartpërmendur. Në vendim ishte propozimi i Ibrahim Kelmendit që unë, Sabri Novosella, të përjashtohem nga LRSSHJ, pasi e kisha fyer rëndë shokun Ujkan -Xhafer Shatrin. Një propozim të tillë Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari nuk e kishin pranuar dhe kështu kishte ardhur te një thyerje e re.
Pas bisedimeve që pata me Ibrahim Çavollin, u vërejt se nuk kishin mbetur plotësisht të kënaqur, sepse në fillim u duk se nuk u arrit përçarja e dëshiruar prej tyre.
Nga ana e diplomacisë shqiptare në Turqi u inicuan disa “komunikata”, “proklamata” e “qarkore”, me të cilat duhet të arrihej përçarja e plotë, kurse në Evropë u vunë në veprim spiunët profesionalë që kishin kryer edhe krime të rënda, siç ishin Shefikat e Nexhmi SheroIIi etj. Fushata e tërbuar filloi kundër Xhafer Durmishit. Posa u duk se u krye puna me të, filloi një fushatë edhe më e tërbuar kundër Sabri Novosellës. Kështu, u arrit përçarja e plotë e LRSSHJ-së dhe u krijuan dy krahë të saj.
Filloi të dalë edhe një organ me emrin “Zëri i Kosovës”, me adresë në Suedi. Këtë organ e udhëhiqte Xhafer Durmishi. Xhafer Durmishi, i frikësuar tmerrësisht se mos po akuzohet si reaksionar, e kur të jepej epiteti reaksionar nënkuptohej edhe se je kundër PPSH-së, kundër Shqipërisë e tradhtar, kështu që Xhafer Durmishi në këtë organ u bë më Lenin se Lenini e më Stalin se Stalini, për të cilën gjë e jepte bekimin diplomacia shqiptare në Stokholm për çdo numër të organit. Për këtë punë intervenova unë dhe e ndala botimin e organit “Zën i Kosovës”, me adresë në Suedi.
Kur iu duk Sigurimit të Shqipërisë se u arrit përçarja e plotë dhe largimi im nga aktiviteti, ju vërsulën Ibrahim Kelmendit e Xhafer Shatrit me një akuzë plot 34 faqe, me të njejtat intriga që i kishin lëshuar më parë kundër meje.
Në vitin 1985 LRSHJ faktikisht pushoi së ekzistuari si e tillë, për çka ishte themeluar dhe me komplote të njëpasnjëshme, në stilin e komploteve që bëheshin në Tiranë, u shndërrua në një filialë të PPSH-së. E ndërroi edhe emrin, nga LRSSHJ u emërua Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Në ballë të kësaj LPRK-je ia vunë organizatën “pararojë” – OMLK dhe organin “Pararoja”. Kështu pra, që nga viti 1985 LPRK u shndërrua në një organizatë “masash”, e udhëhequr nga OMLK e re dhe kreu një aktivitet të dendur, ashtu siç tha me një rast një publicist i njohur gjerman Peter Rulman: “Aktiviteti i LPRK-së çon ujë në mullirin e Beogradit”.
LPRK KUNDËR RRËNIMIT TË MURIT TË BERLINIT!!!
Puna kryesore e LPRK-së ishte që ta popullarizonte Enver Hoxhën dhe ‘Ramiz Alinë, të organizonte demonstrata të njëpasnjëshme para ambasadave të Jugosllavisë për ta sharë revizionizmin titist jugosllav e për ta sharë imperializmin amerikan, socialimperializmin sovjetik dhe reaksionin ndërkombëtar. U shkua aq larg sa që kur filloi rrënimi i murit të Beriinit LPRK organizoi demonstrata mu para atij muri dhe brohoritej për marksizëm-leninizmin dhe për çdo ditë e bindnin Evropën se shqiptarët po luftojnë për ta kthyer stalinizmin në Jugosllavi, të cilin me shumë vështirësi e kishte larguar Titoja me ndihmën e Perëndimit…
“Zëri i Kosovës” u shndërrua në shtojcë të “Zërit të Popullit” për t’i thurur himne Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë e PPSH-së.
U desh të vijnë vitet 1988 e 1990, të ngrihet i tërë populli i Kosovës për ta mbrojtur autonominë dhe për ta parë bota se në Kosovë po ndodh diçka. Përkundër të gjithave, pjesa dërmuese e anëtarëve dhe e udhëheqësisë së kësaj organizate ishin bijtë më të mirë të popullit shqiptar, të cilët sakrifikoheshin dhe jepnin gjithçka prej veti me bindje të thellë se po kontribuojnë në të mirë të atdheut. Trullosja, që ua kishte bërë banda kriminale e Tiranës, nuk ishte faji i tyre.
***
Më 17 shkurt të këtij viti (1992) u mbushën plot dhjetë vjet nga themelimi i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, sot Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës. Përkundër të gjitha të metave e gabimeve, roli i kësaj organizate politike në jetën e popullit shqiptar është i madh, për të cilën fjalën e vet do ta thotë historia, por është koha e fundit që të bëhet një analizë e thellë dhe kjo organizatë të lirohet nga dogmat e mëparshme, të riorganizohet dhe të veprojë në përputhje të plotë me kushtet e rrethanat e krijuara dhe të përcaktuara qysh me rastin e themelimit të saj. Kjo organizatë që nga themelimi i saj u përcaktua që të luftojë për një Republikë Shqiptare në Jugosllavi, ashtu siç ishin gjashtë republikat tjera të saj. Qëllimi i fundit i kësaj organizate ka qenë realizimi i aspiratave shekullore të popullit shqiptar – krijimi i shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtar. Ky qëllim duhet tëjetë edhe sot. Kjo organizatë duhet të ngrihet në parti dhe ta zërë vendin e merituar që i takon në mesin e partive shqiptare në përgjithësi. Individët që bënë gabime të rënda, duke i zbatuar direktivat e Byrosë Politke të PPSH-së që i sollën dëme kësaj organizate, është e domosdoshme të bëjnë autokritikë dhe të kërkojnë falje.
Gabimi im i madh ka qenë që nuk pata mundësi t’i kuptoj kurthet dhe lojrat e PPSH-së sidomos kah fundi i vitit 1983. Gabimet e vitit 1984 ishin si rezultat i kurtheve të PPSH-së të vitit 1983 e më parë. Lufta ime e pakompromis kundër gabimeve që bëheshin në këtë organizatë, më duhet ta them pa modesti, janë merita të miat dhe të të gjithë shokëve të mi që vepronin në këtë drejtim, pasi që unë kam qenë dhe jam i lidhur shpirtërisht me këtë organizatë. Kurrë nuk kam mundur të jem indiferent ndaj kësaj organizate, pasi që jeta dhe e kaluara ime janë të lidhura ngushtë me të, jo vetëm gjatë këtyre dhjetë vjetëve të ekzistimit të saj, por edhe më parë, pasi që kjo organizatë LNÇKVSHJ e unë si aktivist i saj kam qenë i detyruar t’i marrë rrugët e kurbetit dhe t’ia kthej shpinën familjes sime dhe mbarë Kosovës. Kurse LNÇKVSHJ ishte vazhduese e LRBSH-së, në të cilën jam organizuar qysh në moshën 18-vjeçare dhe si aktivist i saj i kam mbajtur 6 vjet burg.
Çdo nder dhe respekt për të gjitha partitë shqiptare që veprojnë sot, por e vërteta është se kjo organizatë dhe të gjitha të tjerat që vepruan nën terrorin serbosllav e mbajtën barrën kryesore të luftës.
Dëshiroj të gaboj në këtë vlerësim që do të jap. Edhe pas sotit barrën kryesore dhe sakrificën më të lartë në altarin e lirisë do ta bëjnë mu këta aktivistë që vepruan, veprojnë dhe që do të organizohen në këto organizata.
(Sabri Novosella, mars 1992)