fbpx
Lajme

Si e shpëtoi Rafet Rama axhën e tij Besim Ramën në 1993, me revole mbajti në shënjestër milicin Ilia Trajkoviq

Shkruan: Gani Geci / Lufta pa maska

Në vitin 1993, në një ditë të hënë, ditë pazari, policia kishin tentuar të arrestonin Besimin. Ai kishte qenë i shoqëruar nga djali i vëllait të tij, Rafet Rama, i cili në moment kishte nxjerrë revolën dhe duke e mbajtur në shënjestër Ilia Trajkoviqin dhe dy policë të tjerë e kishte shpëtuar Besimin nga duart e tyre, edhe pse ata ia kishin vënë prangat në duar. Një mbrëmje, së bashku me Xhevahir Gecin, u takuam me Musa Jasharin dhe Sylejman Selimin, që po shkonin për në Açarevë me automobilin e këtij të fundit. Edhe ne shkuam me ta.

Me qëllim që mos të ndesheshim me policë i ramë rrugës që kalonte sipër stacionit të tyre. Por ata i kishin përcjellur lëvizjet e automjetit tonë dhe përpara na doli Zoran Pantiqi, çetniku numër një në Skënderaj, i cili na ndaloi. Na njihte të gjithëve. Shkau kërkoi që Musa të dilte nga automjeti dhe bashkë me të u larguan disa metra. Meqenëse situata ishte e tillë që nuk të linte kohë të mendoheshe gjatë, dola nga vetura dhe iu drejtova Zoranit:- Po që se e merr Musën, duhet ta dish se do të kesh probleme personalisht! Ai e liroi Musën, sigurisht jo nga burrnia, por nga frika. Hymë në automjet dhe vazhduam rrugën për Llaushë. U ndalem tek Xhevahiri. Aty Sulltani mori një pushkë automatike prej tij dhe e futi në bagazh. Na lutën të shkojmë atë natë me ta, por nuk shkuam. Të nesërmën në mëngjes policia kishte rrethuar shtëpinë e Sylejman Selimit dhe kishte arrestuar Musa Jasharin bashkë me të. Xhevahiri ishte zgjuar herët atë mëngjes dhe kishte dalë në rrugë, ku i kishte parë, Sulltanin e Musën, në veturën e policisë duke kaluar aty pari. Xhevahiri erdhi menjëherë dhe më tregoi se si qëndronte puna. Ne nuk e dinim se për çfarë arsyeje ishin arrestuar ata. Shkuam menjëherë në Açarevë për të kuptuar se për çfarë ishte fjala.

E pyetëm nënën e Sulltanit: – A mos e kanë kontrolluar automjetin?- Po!, na u përgjigj ajo.- A mos kanë gjetur diçka në bagazh të veturës?, pyetëm ne të shqetësuar duke ditur se aty ndodhej një armë.- Nuk e di. E di vetëm se dje kanë qenë dy elektricistë te ne. Ata janë interesuar për Sylejmanin dhe e kanë kontrolluar tërë shtëpinë e u bindëm se atyre ua kishin gjetur automatikun dhe se nuk do t’i lironin aq lehtë. U kthyem së bashku me Xhevahirin dhe i biseduam të gjitha me Bacin Lilë. Ademi ndërkohë na kishte dërguar fjalë të takoheshim me të. Të tre së bashku shkuam tek Ademi diku rreth orës 13.00. Ishim shumë mirë të armatosur, me kallash e snajperë, bomba e revole. Aty kemi shkuar me automobil, rrugës së vjetër, me qëllim të ikjes nga ndonjë kurth i mundshëm. Kemi hyrë në kullën e Mixhës Shaban ku kemi vendosur për të dalë në Vojtesh për ti zënë pritë automjeteve të policisë, të cilat do t’i dërgonin dy të burgosurit për në Mitrovicë. Plani ishte që rrugën ta bllokonim me një rimorkio të tërhequr nga një traktor, të cilit do t’ia shponim njërën rrotë për ta pasur si justifikim për bllokimin e rrugës. Në atë mënyrë do ta kryenim aksionin. 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close