Për Bajram Kosumin, rektor i Universitetit të Gjilanit ‘Kadri Zeka’, dhe ligjërues në Departamentin e gazetarisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, shkrimi i Periskopit për Urtak Hamitin, është gjueti shtrigash. Periskopi ditë më parë ka raportuar se djali i Sabri Hamitit të LDK’së, Urtak Hamiti, ka mundësuar për dy vite me radhë funksionimin e jashtëligjshëm të programit për Banka, Financa dhe Kontabilitet në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” ku është bartës programi, ndonëse ai nuk ka lidhje me ekonominë, derisa ka përfunduar Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ndërsa ligjëron për diplomaci aty…
Gjueti shtrigash. Kështu e ka vlerësuar artiullin e Periskopit, profesori Kosumi, i cili veç tjerash, mëson studentët e Gazetarisë në UP, për ‘zhanre’ dhe ‘stilin’ e gazetarisë. Mirëpo, këtë shkrim, Periskopi nuk e ka shpikur për qëllime gjuetie e aq më pak shtrigash, por ka raportuar duke pasë referencë vendimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Sipas vendimit të fundit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, programi për Banka, Financa dhe Kontabilitet do të vazhdojë të jetë aktiv në Universitetin e Gjilanit, pavarësisht që i njëjti ishte akredituar jashtëligjshëm falë një vendimi që pikërisht kjo Agjenci kishte marrë në korrik të vitit 2017, raportonte Periskopi, ku shkrimin e plotë për rastin në fjalë, mund ta lexoni KËTU.
Por, reagimi i ashpër i Kosumit ka ardhur pas pyetjes së deputetes së AAK’së, Teuta Haxhiu, e cila gjatë mbledhjes së Komisionit për arsim, e ka pyetur rektorin e Universitetit të Gjilanit dhe ligjëruesin e UP’së, se ‘a e ka parë këtë shkrim”. Siç shihet edhe në video (1:27:50), Kosumi madje nuk e lë as ta përfundojë pyetjen e deputetes Haxhiu duke iu kundërpërgjigjur kështu:
“Ai është i doktorruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Keni parasysh sepse është duke u bërë për vite të tëra gjueti e shtrigave në profesoratin e Kosovës. Zotnia e ka Marrëdhëniet Ndërkombëtare, është në fushën përkatëse, është fushë juridiko-politike, është në fakultetin Juridik. Bachelorin nuk e shikojmë aty, por në ligj thuhet doktorata”, thotë Kosumi.
Ndryshe, Rektori Kosumi, edhe vet dikur e ka shkelur ligjin, përkatësisht në vitin 2016, kur për më shumë se pesë muaj kishte mbajtur kundërligjshëm dy pozita të rëndësishme. Ai për pesë muaj, kishte mbajtur pozitat: rektor i Universitetit ‘Kadri Zeka’ në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Mbajtja e këtyre dy posteve nga ish-kryeministri ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupcion. Kjo agjenci e kishte detyruar -kryeministrin të jap dorëheqje nga njëri prej posteve. Ai kishte zgjedhur të heqte dorë nga të qenit anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të vazhdonte të ishte në pozitën e Rektorit të Universitetit ‘Haxhi Zeka’, pozitë të cilën e ka edhe sot./Periskopi/