fbpx
Lajme

“Okupatori barbar serb”, Ministria e Mbrojtjes në vitin 1998 e akuzoi Serbinë për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Sot është përvjetori i 25-të i vrasjes së kolonelit Ahmet Krasniqi. Ish-ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit, Ahmet Krasniqi, ishte vrarë më 21 shtator 1998 në Tiranë, në rrethana të pasqaruara. Demokracia.com ka gjetur raportimet e vitit 1998 të mediumeve të ndryshme për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit.

Në 25 vjetorin e vrasjes së kolonel Krasniqit, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje. Kjo është kërkuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

“Më lejoni që në emër të grupit parlamentar të LDK-së, të propozoj një minutë heshtje në nderim të kolonel Ahmet Krasniqit, ish-ministër i Mbrojtjes së Kosovës, meqenëse sot është 25 vjetori i vrasjes së tij”, ka deklaruar Gashi.

”Krasniqi u vra më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë. Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit”, shtoi ai.

Edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në përvjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa ka thënë se ai shquhej me dije të lartë e guxim të pashoq. Ai tha se është i nderuar që ka punuar me Krasniqin.

“Më 21 shtator 1998, para 25 viteve, u ekzekutua në Tiranë kolonel Ahmet Krasniqi, anëtar i Qeverisë (në ekzil) dhe Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Kolonel Ahmet Krasniqi shquhej me dije të lartë e guxim të pashoq, ishte i afërt me çdonjërin; njeri i luftës dhe i edukatës. Afirmonte përcaktimin kushtetues të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe angazhohej për unifikim të faktorit luftarak. Për çdo veprim që e bënte, do të thoshte “Çfarë do të thotë Presidenti Rugova, sepse ai është Komandanti im Suprem, Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Edhe pse e di që është e pamundur, për shkak të kushteve dhe situatës në të cilën po veprojmë, unë do doja ta marr çdo urdhër nga ai”. Pata nderin që për një periudhë të rëndësishme, si anëtar i Qeverisë në ekzil të punoj me Kolonel Ahmet Krasniqi. Atentati ndaj tij kishte për qëllim të vras pavarësinë e Kosovës. IM”, tha ai.

Me 22 shtator të vitit 1998, në gazetën e Qendrës Informative të Kosovës (QIK), por edhe në gazetën ”Bujku”, ishte publikuar një pjesë e komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku akuzohej Serbia dhe instrumentet e saj për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Ai u vra nga “dora e zgjatur e okupatorit barbar serb”, thuhet në njoftimin e Departamentit për Informim të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës të datës 22 shtator 1998.

Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e saj kishte treguar se Ahmet Krasniqi ishte vrarë nga dy persona të maskuar në orën 23:25, deri sa po shkonte në banesën e tij. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close