Dje gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht në lidhje me komentet tmerruese e me ngjyrime të racizmit krahinor ndaj Skenderajit, qytetit qendror për nga rëndësia i rajonit të Drenicës. Nacionale arriti të identifikojë shumë komente tallëse për fatkeqësinë natyrore të vërshimeve që e kaploi Skenderajin. Por pas publikimit të lajmit, ka filluar një fushatë, natyrshëm dhe e paorganizuar, e përkrahjes së Drenicës.
“Drenicë jemi me ty”, një sllogan i protestës së vitit 1998, është mjaftueshëm përfaqësues edhe për reagimet pozitive kundër komenteve denigruese ndaj këtij regjioni. Solidarizim me Skenderajn, kjo është kryefjala e reagimeve në rrjetet sociale për qytetin e Skenderajt. Në fakt, komentet e bëra nga analistë e politikanë janë një formë e luftës ndaj racizmit krahinor që shpërfaqet herë pas herë ndaj këtij rajoni të Kosovës.
Reagimet pozitive
Ndër të parët që reagoi ndaj kësaj gjuhe të tmerrshme në drejtim të Skenderajt ishte Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së, i cili shroi se Drenica me gjak e ka paguar çlirimin nga Serbia.
“Drenica me gjak e ka pagu çlirimin nga Serbia. Bashkë me çlirimin ka shu dhe shkatërru edhe shumë bashkim vllaznim e privilegje qe disa i kanë realizu në emër të vllazërisë me Serbi.
Mos u çuditni nëse të njejtit sot e mallkojnë Skenderajin, i gëzohen vërshimeve, dhe hezitojnë me vizitu këtë trevë.” – shkroi ai në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa deputetja Ganimete Musliu shkroi se Drenica është e bashkuar dhe e fortë.
“Drenica po e përjeton një situatë shumë të rëndë. Vërshimet shkaktuan shumë dëmë materiale, por me devotshmëri jemi edhe të lumtur që nuk kemi humbje në njerëz.
23 vjet pas lufte, Drenica është braktisur nga qeveria dhe nga institucionet e vendit. Kjo qasje na e sjell ndërmend të kaluarën; Diferencimet, anashkalimet, dhe ofendimet si trevë dhe si qytetarë të kësaj treve heroike dhe shumë fisnike.” – shkroi ajo në Facebook.
Edhe analisti Parim Olluri shkroi ca fjalë në lidhje me komentet përçmuese të qytetarëve.
“Ne kohen kur banoret e Drenices i frikesohen nje fundi tragjik nga vershimet, dalin njerez qe e shkruajne edhe kete: Jetoni tash ne lloq si bab e babgjysh.
Nese e shkruan kete fjali dhe nuk merzitesh hiç, dije qe pernjemend je UDB’ash. Edhe qe baba e babegjyshi yt jane merzite shume qe Drenica e ka largu Millosheviqin nga Kosova.” – shkroi ai.