Epilogu

Parim Olluri tregon një bisedë të nxehtë me Nuredin Lushtakun “provoi të na deklasonte”

Gazetari Parim Olluri kishte bërë një shkrim të gjatë në kohën kur bartësi i Listës së Bekim Jasharit për Skënderaj z. Nuredin Lushtaku i ishte vërsulur Glauk Konjufcës për Sami Lushtakun. Sot, edhe pse janë kusherinj Samiu e Nuredini janë kundërshtar politik.

Po ju sjellim hulumtimin e plotë;

Nuredin Lushtakun e pata takuar për herë të parë dhe të fundit diku para tri vitesh, në shtator të 2013-ës.

Më duhej ta intervistoja për një storje lidhur me bizneset e tij dhe të vëllezërve. Në kohën kur unë dhe një koleg i imi po takoheshim me të, ai do të duhej të ishte në orar të punës si zëvendësministër i Diasporës.

“Jo, nuk shkoj shpesh atje (Ministri). Rri qisajde ma shumë”, më tha kur e pyeta se pse nuk gjendej në ministri ku e kishim kërkuar më herët.

Ishte i vetmi klient në një restaurant të papastër të Skenderajt ku thoshte se rri zakonisht. Tregonte se është i një të afërmi të tij.

Ndonëse kishim shkuar ta intervistonim për biznese, Nuredin Lushtaku provoi të na deklasonte duke u thirrur në UÇK-në.

“A je kanë i vesht në luftë”, ishte kundër pyetja e tij kur e pyeta për bizneset.

Përgjigjja ime se i kisha vetëm 12 vjeç dhe se nuk isha i vesht e gëzoi Lushtakun. Nisi të flasë për “shpijuna”.

Por, kur i tregova se kolegu im Ismaili ishte pjesë e UÇK-së, nuk i pëlqeu Lushtakut.  U zu ngushtë që UÇK-ja shtrihej edhe në pjesën tjetër të tavolinës dhe se atij i duhej të fliste për bizneset.

Kur iu dogj karta e UÇK-së, pasi donte që pyetjet t’i vlerësonte të porositura nga “shpijunët”, nisi që t’i quante ato të porositura nga grupe politike.

Ky takim me të dhe përpjekja e tij për t’u fshehur prapa UÇK-së m’u kujtua mbrëmë, kur e pash tentimin e tij për ta sulmuar një deputet opozitar.

Nuredin Lushtakut nuk i pëlqyen kritikat e deputetit Glauk Konjufcës dhe shpërtheu kur ai nisi të lexonte letrën publike të Sami Lushtakut. Në atë letër, Sami Lushtakun akuzon bashkëpartiakët e tij për dënimin që i është shqiptuar në procesin gjyqësor Drenica 1.

Deputeti Lushtaku vendosi t’i kundërpërgjigjej Konjufcës jashtë rregullave parlamentare-fizikisht. U ngrit nga vendi i tij e drejt në foltore. Rrugën deri aty e përshkoi me britma.

Tërë këtë britmë po e bënte një deputet që deri mbrëmë kishte injoruar çdo debat parlamentar. Nuk kishte bërë zë asnjëherë kur ishte diskutuar ndonjë ligj që rregullon fushën e ekonomisë apo të sundimit të ligjit.

Por, në një debat ku diskutohej për vlerat e UÇK-së nga abuzuesit e saj, edhe Lushtaku e priste momentin të shfaqej si hero, duke bërë kinse po i mbron ato.

Sjellja e tij ishte larg të qenit hero i mbrojtjes së vlerave të UÇK-së. Ishte sjellje prej një rrugaçi, që u përpoq ta mashtronte publikun kinse po reagon në mbrojte të Sami Lushtakut.

Një parlament normal nuk do të duhej që ta kishte në përbërje një person si deputeti Nuredin Lushtaku.

Por, nuk e kemi luksin që ta kemi një parlament normal.  I takon kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit që të përpiqen që të mos lejojnë që ky institucion të degradoj edhe më shumë.

Kjo bëhet duke suspenduar Lushtakun për sjelljet e tij prej gangsteri. Duhet patjetër që të ndëshkohen pamje të tilla që ndodhën mbrëmë në Kuvend.

Nuk duhet lejuar që një deputet ta ketë komoditetin që të çohet nga vendi i tij e të niset drejt foltores për ta kërcënuar një deputet tjetër. Po të mos ishte ndërhyrja e deputetëve tjerë, Nuredin Lushtaku edhe do ta kishte goditur Konjufcën. Normalisht, do të ishte krenuar me këtë veprim.

Nëse veprimi i Lushtakut nuk ndëshkohet nga kryetaparlamentari Kadri Veseli dhe Kryesia e Kuvendit, atëherë kjo do të bëhet një normë. Kushdo që e ndjen vetën të gatshëm për të bërtitur dhe për të goditur, edhe do ta bëjë këtë.

Për ta parandaluar normalizimin e rrugaçërisë në parlament, duhet që Kadri Veseli të tregojë fuqinë e postit të tij. Duhet ta suspendojë Lushtakun, në mënyrë që parlamenti të mos bëhet një arenë e gangsterëve, ku të fuqishmit mund rrahin të pafuqishmit.

Në fakt, arsyeja se pse deputeti Lushtaku e bëri këtë veprim nuk besoj se kishte të bënte me mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuredin Lushtaku nuk e mbron Sami Lushtakun as si ish-luftëtar të UÇK-së, e as si kushëri të tij.

Ai përpiqet ta mbrojë si kryetar të Skenderajt, ku Nuredin Lushtaku ka shtrirë biznesin e tij.
Aty ka ndërtuar një kompleks banesor dhe i duhet Samiu për t’ia mbrojtur. Po aty ka firmën e kontrollit teknik të automjeteve. Po ashtu vëllai i tij ka shfrytëzuar ilegalisht një minierë thëngjilli në Skenderaj. Për të kryer këto aktivitete, i duhet Samiu dhe për ketë arsye reagon për të.
Dhe pikërisht për këtë arsye ishte hera e parë që Nuredin Lushtaku u bë deputet aktiv.

Asnjëherë nuk më ka rënë ta dëgjoj Nuredin Lushtakun duke diskutuar për ndryshimin e ndonjë ligji ose duke dhënë kontribut për ndonjë temë të caktuar, në të mirë të Republikës së Kosovës.

Ai deri më tash nuk është shquar për vlera intelektuale, por mbahet mend për dy veprime: një që refuzonte vendimet e autoriteteve shtetërore dhe një veprim prej gangsteri.

Për refuzimin për ta dërguar gardën ceremoniale të TMK-së në varrimin e ish-presidentit Ibrahim Rugova si dhe për rrahjen e Mustafë Xhemajlit, një zyrtar i Ministrisë së Diasporës, i cili kishte refuzuar që t’ia punësonte kundërligjshëm një të afërm të tij.

Exit mobile version