Nga Dilaver Goxhaj
Sikundër dihet, në datën 20 mars 1999 Serbia filloi të vërë në jetë operacionin e planit të njohur me emërtimin “Patkoi”. Vënia në jetë e këtij plani ishte kalimi në ofensivë i ushtrisë serbe, e cila filloi në mënyrën më të favorshme për Serbinë, për faktin e thjeshtë se ajo hodhi kundër UÇK-së 11 brigada këmbësorie të blinduara dhe të motorizuara dhe një brigadë artilerie (Br.52 e Artilerisë).
Nga këto, 6 Br. këmbësorie ishin të Korpusit të Prishtinës (Br15, Br125, Br549, Br243, Br52 e Policisë), si dhe tre batalione këmbësorie roje të kufirit (Gjakovë, Prizëren, Ferizaj), që përbëjnë një brigadë më vete; 5 Br të Korpusit Special të Ushtrisë Jugosllave (Br e Rojeve, Br 63 Parashutiste, Br 72 Speciale, Br Antiterroriste e Policisë dhe Br e Koracuar).
Duke u shtuar këtyre forcave edhe 2.000 (dymijë) vullnetarë të ardhur nga të gjitha vendet sllave, rezulton se Plani “Patkoi” nisi mësymjen kundër UÇK-së me 108.000 forca.(shih Human Rights Watch “Nën pushtetin e urdhërave”,Tiranë,2002,f.70-79).
Popullsia e qyteteve dhe e fshatrave në periferi të tyre u orientua me forcë nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe, përgjithësisht të shkonin në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë; ndërsa pjesa dërmuese e popullsisë së fshatrave larg rrugëve automobilistike, ajo në shumicën e saj iu bashkëngjitë formacioneve të UÇK-së. Si rrjedhojë, një pjesë e mirë e meshkujve të moshës së aftë për luftë e këtij kontigjenti popullsie u inkuadrua në këto formacione.
Kjo bëri që brenda një periudhe shumë të shkurtër, dhjetë ditore, radhët e UÇK-së të rriten me shpejtësi, duke arritur gati në dyfishimin e saj, rreth 15 mijë forca. Kjo është periudha 20–31 mars 1999.
Në këto 10(dhjetë) ditët e para të Planit “Patkoi” u duk se Serbia ishte afër realizimit të planeve të saj strategjike: asgjësimi i UÇK-së dhe spastrimi etnik i gjithë Kosovës prej shqiptarëve.
Përmes kësaj ofensive Serbia synonte ta vinte botën Perëndimore para faktit të kryer, duke i treguar se në Kosovë nuk do të kishte as shqiptarë dhe as ushtri të tyre; njëkohësisht të arrinte të përçante shtetet pjesëmarrëse në NATO. Por, sikundër dihet, shpresat e tyre nuk u realizuan.
Operacioni mësymës “Patkoi” s’ishte gjë tjetër veçse një zbatim i strategjisë hitleriane të “luftës rrufe”, e cila është strategji e suksesshme kundër një vendi dhe ushtrie të vogël e të dobët, në raport me kundërshtarin. Për të vënë në jetë këtë lloj strategjia, Serbia grumbulloi në Kosovë 108 mijë forca të koracuara.
Bindjen se UÇK-ja ishte një ushtri e lehtë për t’u shpartalluar, Serbia e kishte krijuar nga ofensiva e saj e verës së vitit 1998, kur UÇK-ja kishte tentuar ta përballonte atë ofensivë me mbrojtje frontale. Ky ishte gabimi i saj strategjik.
Epërsia e jashtëzakonshme në forca e mjete dhe shpejtësia e shpërthimit të Planit “Patkoi” i siguroi Komandës Serbe iniciativën, dhe kishte krijuar bindjen se iniciativën do ta mbante gjat gjithë kohës vetëm ajo.
Mirëpo hesapet komanda serbe i kishte bërë gabim. Ajo nuk e kishte menduar se UÇK-ja do të ndryshonte strategji. Strategjia e re e UÇK-së do të bazohej në vlerësimin e vërtetë dhe shkencor të sasisë, përhapjes, gjendjes dhe të raportit të forcave tona me të armikut, si dhe në parashikimin e zhvillimit të mëvonshëm të ngjarjeve, duke pasur parasysh ekonomizimin e madh të forcave.
Brenda pak orëve si pat filluar operacioni “Patkoi”, UÇK-ja ndryshoi strategjinë e saj të luftës. Për të përballuar ofensivën e befasishme armike, në ditën e parë të saj, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në mbledhjen e tij urgjente mori vendim dhe urdhëroi të zhvilloheshin luftime mbrojtëse deri në fillimin e errësimit, derisa popullsia të tërhiqej në vende të sigurta e të mbrojtura nga UÇK-ja; dhe, me fillimin e errësimit të kalohej në sulme, sipas taktikës guerile: godit e ik. Mbrojtja pasive derisa të sigurohej largimi i popullsisë dhe tërheqja më pas në një luftë çlirimtare guerile ishte domosdoshmëri për UÇK-në.
Me këtë strategji, ne nuk mund të pretendonim aspak asgjësimin e forcave të kundërshtarit. Me strategjinë e re, luftë guerile (partizane), nuk mendonim se do të fitonim mbi ushtritë e Serbisë që kishte sjellë në Kosovë, por do t’i gjakosnim ato, do t’i vrisnim forca, do t’i pengonim të bënin masakra, do t’u prishnim planet etj., gjë që gradualisht do të fillonte rënia morale e forcave të tyre dhe reagimi i popullit serb, krahas mbështetjes që pritej të kishim nga komuniteti ndërkombëtar, sikundër u premtua ditën e fundit të Rambujesë.
Ky plan i mënçur strategjik i SHP të UÇK-së, dhe aplikimi i tij gradual nga të gjitha komandat vartëse, bëri të mundur dobësimin gradual të sulmit të forcave serbe dhe na dha mundësinë për t’u rrëmbyer atyre inisiativën e për të kaluar në sulme të fuqishme.
Një prej këtyre sulmeve tona ishte ai ai i orëve të para të datës 1 prill, në luginën e lumit Mirushë. Me këtë strategji e taktikë UÇK-ja ia shkatërroi objektivat Planit “Patkoi”, duke vënë përballë strategjisë së tij të ofensivës masive, atë të mbrojtjes sonë elastike, që ndryshe quhet metoda e luftës së tërthortë.
Kjo lloj strategji e taktikë e UÇK-së bëri që ajo ta përballoi e vetme gjithë këtë sulm masiv prej tre javësh rresht, 20 mars deri në 15 prill 1999, të cilën e konfirmoi edhe vetë zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shia në 16 prill. Çuditërisht, në këtë datë u krijuan edhe kushtet meteorologjike që aviacioni i NATO-s të mund të na vinte në ndihmë. Duke përballuar gjatë atyre 23 ditëve e vetme sulmet e fuqishme të forcave serbe, UÇK-ja e dobësoi sulmin e tyre, ndërsa vetë shumohej.
Ky frenim i detyruar 3 (tri) javor i një ushtrie të shpejtë, tashmë 10 (dhjetë) herë më e madhe në mumër se UÇK-ja, e cila po rritej nga dita në ditë, qe fillimi i dështimit të Planit “Patkoi” për spastrimin e rrufeshëm të Kosovës nga shqiptarët.
Paralel me përpjekjet e kota të serbëve për një fitore strategjike të shpejtë, gjithmonë e më tepër po zgjerohej edhe fronti i luftës së UÇK-së, si rrjedhojë e shtimit të shpejtë të saj, duke u paracaktuar në këtë mënyrë rrjedhojat e ardhshme të ngjarjeve.
Kjo fitore krijoi kushtin e domosdoshëm për mobilizim të përgjithshëm të popullit në Kosovë. Të nesërmen, në 1 prill 1999, Shtabi i Përgjithshëm shpalli urdhrin për mobilizimin të përgjithshëm, për moshat 18-50 vjeç, për të gjithë popullsinë e Kosovës, brenda dhe jashtë saj, “për kompletimin e radhëve të UÇK-së”.
Thirrja e SHP për mobilizim të përgjithshëm u shpall në datën 01 prill, dymbëdhjetë orë pasi dy zonat operative, “Pashtriku dhe ajo “Drenica”, shpërthyen rrethimin dhjetë ditor dhe çliruan mbi 150 mijë qytetarë të Drenicës, Llapushës dhe Podrimies nga ai rrethim.
Ishte kjo fitore ushtarake në shkallë operative, ku UÇK-ja i shpëtoi përfundimisht asgjësimit të saj, fitore e cila i zbuloi fytyrën mitit të rremë: “Të niset lufta kundër Serbisë dhe Jugosllavisë me AK-47, njëmend ishte Mission Imposible.” (Blerim Shala “Vitet e Kosovës 1998-1999”, Prishtinë,2000,f.10).
Thirrja e SHP për mobilizim të përgjithshëm u pasua nga shpallja e përbërjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës gjithëpërfshirëse, 24 orë më pas, në datën 2 prill 1999.