Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka raportuar sot para Komisionit për Punë të Jashtme, që udhëhiqet nga Vjosa Osmani. Ai ka folur për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, për të cilin ka thënë se është çështje e mbyllur edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj ka angazhuar Komision për rishikimin e Demarkacionit.
Behgjet Pacolli në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë se tentimi për rinegociim të marrëveshjes me Malin e Zi është një kohë e humbur.
Pacolli thotë se kur ishte në Podgoricë, ka insistuar t’iu shpjegojë autoriteteve malaziase se ky është një problem, i cili një pjesë e madhe e popullatës e konteston, mendon se është një vijë tjetër kufitare, por ata në këtë drejtim nuk duan të flasin fare.
“Demarkacioni për Malin e Zi është një çështje e mbyllur, është një marrëveshje që është nënshkruar dhe është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe praktikisht është punë e kryer për ta”, ka thënë Pacolli.
Sipas ministrit të Jashtëm, Marrëveshja nuk mund dhe nuk ka asnjë mundësi të rinegociohet.
“Ata konsiderojnë se demarkacioni është ai i cili është me marrëveshje dhe se është bërë në njëfarë metode që në Jugosllavi është aplikuar që nga viti 1956 dhe bazohet në kufijtë kadastralë të komunave. Demarkacioni paraqet realitetin, se gjithë territori i Kosovës, i përcaktuar në bazë të hartave kadastrale ka mbetur në Kosovë, i gjithë territori i komunave të Malit të Zi ka mbetur në Mal të Zi”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se nëse nuk ka fakte të forta se vija kufitare aktuale është gabim, do të jetë e vështirë që kjo ide të mbrohet para institucioneve ndërkombëtare.