Pas publikimit të statusit nga pronari i Gazetës Sinjali, avokati Besnik Berisha, ku reagon ashpër ndaj mësimdhënësit të biologjisë në Pejë, Adem Mustafaj, i cili u arrestua nën dyshimet për ngacmim seksual ndaj një nxënëse 13-vjeçare, në redaksi ka ardhur edhe një video tjetër, e cila shpërfaq një tjetër rast ngacmimi nga arsimtari i cili është në prag të pensionimit, raporton Gazeta Sinjali.
Në kushte anonimiteti, një nxënës ka dërguar një video në adresë të Sinjalit ku shihet se protagonist është pikërisht 64-vjeçari Mustafaj, i cili dyshohet se ka sulmuar seksualisht një tjetër nxënëse gjatë orës mësimore.
Në video shihet arsimtari Mustafaj, i cili pa fije turpi ka kapur një nxënëse për qafe dhe e tërheq nga vetja atë. Ai më pas e puthë atë në sy të nxënësve tjerë e më pas e prekë edhe në pjesën e gjoksit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ky rast nuk është denoncuar në Policinë e Kosovës dhe nuk është trajtuar nga organet e rendit.
Kujtojmë se për rastin që bëri bujë të madhe, Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar Adem Mustafajt masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Po ashtu masa ka marrë edhe Drejtoria e Arsimit në Pejë, të cilët kanë suspenduar nga puna mësimdhënësin për gjashtë muaj.
Nëse provohet fajësia e arsimtarit, veprimet e tilla ngjasojnë dhe mund të cilësohen edhe si pedofili.