Epilogu

Pas kapjes së komplet Universitetit të Mitrovicës nga PDK dhe punësimit të Lumnije Thaçit, rekomandohet mbyllja e tij

Universiteti i Mitrovicës është vetëm njëri nga institucionet e arsimit të lartë në vazdhën e hapjes së shumë të tillëve në shumë qytete të Kosovës në kohën kur qeverinë e Kosovës e udhëhiqte atëherë kryeministër e tash president, Hashim Thaçi.

Hapja e shumë institucioneve të arsimit të lartë në shumë qytete të Kosovës është konsideruar nga njohës të kësaj fushe si kampanjë direkte elektorale nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Hashim Thaçi, pa asnjë kriter dhe me probleme të shumta, shkruan gazeta online veriu.info.

Ekipi i Ekspertëve ndërkombëtar për akreditim, i përbërë nga: Dr. Ansa Prisacriu dhe Oana Sarbu, pas vizitës në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, kanë hartuar një raport profesional në lidhje me akreditimin institucional të këtij Universiteti, në të cilin i kanë rekomandur Agjensionit të Kosovës për Akreditim që të mos e akreditoj këtë Universitet, pasi ai nuk i plotëson kushtet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Ky raport dëshmon edhe njëherë qëllimin final të PDK-së dhe Hashim Thaçit që përmes hapjes së këtyre institucioneve pa asnjë kriter të krijojnë më shumë mundësi për punësime familjare dhe punësime partiake, duke e familjarizuar dhe politizuar komplet Universitetin e Mitrovicës.

Në mesin e shumë punësimeve familjare dhe partiake për të cilat në vazhdimësi ka raportuar veriu.info në të kaluarën, është edhe punësimi dhe pastaj avancimi i gruas së presidentit Thaçi, Lumnije Thaçi, shkruan gazeta online veriu.info.

Zonja e parë përmes një konkursi të dyshimt i cili nuk u bë transparent asnjëherë u punësua në Universitetin e Mitrovicës, përkatësisht në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, duke ligjëruar lëndët Makro – Ekonomi dhe Biznes Ndërkombëtar. Ky punësim u bë në fillim të vitit 2017 anipse konkursi ishte hapur shumë kohë më parë.

Pas disa raportimeve në redaksi, Veriu.info kishte mësuar se Lumnije Thaçit po i përgatitet një vend pune në UMIB, ku për të sqaruar këtë çështje me datë 15 shkurt patëm pyetur zyrën për informim të UMIB-it. Mirëpo, në përgjigjen zyrtare të kthyer po atë ditë, UMIB ishte munduar ta fsheh rastin, duke thënë se po merremi me spekulime. “Konsiderojmë se pyetjet janë të karkaterit spekulativ për një situatë të mundshme hipotetike, prandaj Universiteti “Isa Boletini” nuk ka koment”, ishte thënë shkurt në përgjigjen e zyrës për infomim të Universitet të Mitrovicës.

Por zonjës së parë nuk iu deshën pothuajse as 1 vit punë e plotë në këtë universitet që të avancohej tutje duke marrë një pozitë udhëheqëse si Prodekane në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në fillim të vitit 2018.

Ndryshe pak para hapjes së konkursit për zonjën e parë të vendit, presidenti Thaçi bashkë me disa ministra pati vizituar Universitetin e Mitrovicës të udhëhequr nga njeriu i PDK-së, Alush Musaj.

Me këtë rast presidenti Thaçi pati thurur lavde për këtë institucion si shembull modern i arsimit të lartë jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, që sipas tij këtë vlerësim e kishin dhënë edhe ekspertët ndërkombëtarë.

“Tani ky universitet po zbaton kriteret dhe standardet më të larta të edukimit, ka marrë një vlerësim shumë të lartë edhe nga agjencioni i akreditimit…”, kishte thënë presidenti Thaçi me rastin e vizitës së bërë në këtë universitet më 19 maj të vitit 2016.

Por afërsisht 3 vite më pas pas shumë raporteve të brendshme dhe ndërkombëtare, raporti i fundit shpërfaq katrahurën menaxheriale të UMIB i rënduar nga punësimet familjare dhe politike të PDK-së.

Vendosja e njerëzve të PDK-së në çdo pozitë udhëheqëse në Universitetin e Mitrovicës, punësimi i familjarëve dhe militantëve partiakë pa asnjë kriter, avancimi i stafit akademik pa asnjë përfillje të procedurave dhe rregullave janë vetëm disa nga shkeljet e evidentuara nga ekspertët ndërkombëtarë të nxjerra në raportin e fundit ku rekomandohet që ky institucion i arsimit të lartë të mbyllet.

Kujtomë se Rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, ishte zgjedhur sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë më 19 nëntor 1999 me rastin e themelimit të kësaj dege. Ai po ashtu së bashku me Bajram Rexhepin kishte udhëhequr edhe punimet e Kuvendit të parë Zgjedhor të degës së PDK-së në Mitrovicë, i cili ishte mbajtur më 10 maj 2000. Musaj në zgjedhjet e fundit të brendshme të PDK-së, ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të degës së Mitrovicës.

Për këto dhe shumë çështje tjera gazeta online veriu.info do të raportoj në një seri shkrimesh gjatë këtij muaji./Veriu.info/

Exit mobile version