Gjejlone Haradinaj, gruaja e Nasim Haradinaj, është diagnostifikuar me kancer të gjirit në 2021. Në një rrëfim për Gazetën Express, Haradinaj tregon se sëmundjen po e trajton në klinikat e Suedisë, përderisa hedh kritika në adresë të mjekes kosovare, që sipas saj nuk arriti t’ia zbulonte sëmundjen me kohë.
Në ditën Ndërkombëtare të Gruas, për 8 Mars, Gjejlone Haradinaj, tregon një përvojë të hidhur të saj dhe vështirësitë që po has në betejën me kancerin.
Ajo akuzon mjeken A.Gj (emër i njohur për redaksinë), që sipas saj i tha se është mirë dhe nuk ka ndonjë sëmundje për t’u shqetësuar. Por pasi bëri kontrollë mjekësore në Suedi mësoi se ka kancer të gjirit.
“Në shtator të vitit të kaluar e kam vërejt se e kam një gjëndër në gjirin e djathtë, shkruam në Onkologji për të bërë mamografi dhe ultrazë, te (Dr.A). Ajo më tha se është cistë, ma mori një lëng nga gjiri gjëja për analizë. E dërguam në laborator, ajo ma dha një numër të telefonit, unë nga stresi mendojsha se është numri i saj. Të nesërmen mora pergjigjjen nga laboratori se nuk kam asgjë. Rezultatet i dergova në atë numër të telefonit që ma dha doktoresha. Kur me thirrën nga ai laboratori një njeri i nervozuar pse se kam dergu analizën te ai. S’la gjë pa folë keq për shqiptarët…. U shkova s’dita çka t’i them , unë isha në stres, ai mendonte që i ka humbur 35 euro”, thotë Haradinaj.
Gjejlone Haradinaj thotë se u gëzua që në Kosovë rezultoi se nuk ka kancer, mirëpo kur shkoi për kontrollë mjekësore në Suedi e kuptoi se në gjirin e saj ka kancer agresiv.
“Pastaj ma dha numrin e (Dr.A), ja dërgova anlizën dhe mu përgjigj që çdo gjë është mirë. Vetëm se duhet të shkojë në kontrollë pas tre muajsh. Unë u qetësova, u gëzova, planifikova t’i vizotojë fëmijët në dhjetor dhe të bëjë kontrollën në Suedi. Në janar të këtij viti, pas të gjitha kontrollave, me shumë kujdes së mjekëve suedezë më del se kam pasur kancer shumë agresiv, 5 centimetra që përhapet shumë shpejtë…Për hirë të mosdijes dhe kujdesit të mjekes A, më kanë kaluar metastazat e kancerit në gjëndrat e nënsqetullave. Tre muaj për një sëmundje sikur kjo janë shumë, i kam takuar edhe dy gra që ju ka thënë të njëjtën gjë”, u shpreh ajo tutje.
“Si nuk e di mjekja sesa me rëndësi është zbulimi sa më i hershëm i kancerit, si nuk bashkëndjen me pacientin? Sa të pakujdesshëm dhe panjerëzorë janë shumica e mjekëve në Kosov”, vazhdon Haradinaj.
Pasi gruaja e Haradinajt hedhi akuza të rënda në drejtim të A.Gj, Gazeta Express ka kontaktuar me mjeken në fjalë, e cila fillimisht tha se nuk po i kujtohet rasti, më pas thotë se të njejtës i janë kryer ekzaminimet mjekësore.
“Jo s’po më kujtohet rasti, po tani po e di….Ajo ka bë edhe mamografi edhe ultrazë, është e pamundshme…Çka ka bë tash ajo, e ju çka jeni?”, tha mjekja për Gazetën Express.
Tutje, mjekja tha se ajo e ka “kry pacienten qysh duhet” dhe shtoi se nuk mund të diskutojë më shumë.
“Jam me pacienta nuk undem me bisedu, sot e kemi ditën shumë të ngarkume, nuk muj. Tash po më kujtohet pacientja se u kanë me burrin e vetë, ja kemi bë mamografinë e krejt këto…Po më kujtohet mirë, ose folim një ditë tjetër se tash jam me pacienta…Unë e kam kry atë mirë qysh duhet, tash çka me thanë unë, ne ekzaminime i bëjmë. Jemi no comment… Mem fal se s’po muj me diskutu”, përfundoi ajo.
Më pas doktoresha ka telefonuar vetë në redaksinë e Expressit, për të theksuar se rezultati i biopsisë i ka dalë në rregull Gjejlone Haradinajt.
“Brenda 6 muajve mund të zhvillohet gjithçka, i kam bë edhe biopsi. Në bazë të biopsisë i ka dalë rezultati, fjalën e fundit e ka biopsia”, tha ajo.
Ndërkohë, Gjelone Haradinaj, apelon mantilbardhët të punojnë për pacientët dhe jo për para. Gjithashtu shprehet shumë e kënaqur me mjekët suedezë.
“Unë tani po trajtohem në vendin më human të botës, jam në duar të mjekëve që nuk e mendojnë paranë por njëriun e kanë në qendër të vëmendjes. Sjellja e tyre të shëron të jep shpresë…Çdo ditë jam me mendje të njerëzit e vendit tim, mërzitem për ta, e di sa të vështirë e kan ta përballojnë sëmundjen dhe problemet ekonomike. Nuk janë të sigurtë në duart e mjekëve të çmendur që punojnë në 3-4 puna, vetëm për t’u bërë të pasur”
“Apeli im është të monitorohen mjekët e paditur dhe të pandërgjegjshëm, t’ju ndalohet të punojnë nga 2-3 puna, të ngritet vetëdija e pacientëve të kërkojnë nga mjekët sqarim. Uroj të kemi shtet ligjor dhe për çdo gabim që bëjnë mjekët t’u hiqët tituli. Uroj që mjekët të bëhen mjekë për hirë që e dojnë profesionin dhe të mendojnë për njeriun e jo për para”.