Pas vdekjes së studentit të Mjekësisë, Leotrim Gjinit, ka reaguar Senati i Universitetit të Prishtinës, duke u kërkuar profesorëve që të jenë më të kujdesshëm ndaj studentëve.
Në faqen e Senatit të Universitetit të Prishtinës në Facebook, u kërkohet profesorëve që të jenë fillimisht prindër e shokë e më pas profesorë.
“Profesorët tonë, duhet të tregojnë maturi dhe kujdes me qasjen e tyre me studentë, ata në rend të parë duhet të jenë si prindër të dytë, pastaj edhe shok dhe tek në fund profesor”.
Tutje thuhet se bërja e profesorit të vështirë sjellë frikë e stres te studentët.
“Profesor të nderuar, ju duhet të dini diçka me shumë rendësi, se bërja e të vështirit, arrogantit, egoistit dhe i të pa’kalueshmit, te studenti, sjell vetëm frikë, stres dhe mjerim të vazhdueshëm”.
Në këtë reagim thuhet se një sistem i tillë që është instaluar në Universitet, ku në vend të dijes, shpresës dhe ardhmërisë, të lartpërmendurit mbjelli frikën, pasigurinë, ankthin dhe tmerrin te çdo student, që përkushtohet ditë dhe natë, për ta bërë familjen e tij krenare.
“Ndarja nga jeta e djaloshit të ri, student në Fakultetin e Mjekësisë, që ishte rrugës për tu bërë një mjek që do i shërbente vendit tonë nje ditë, është një lajmë i dhimbshëm dhe i vështirë për tu pranuar”, përfundon reagimi.