Epilogu

Pasi e bëri drejtor, Gërvalla e bën bashkëshortin e ish-asamblistes së LVV-së edhe sekretar të MPJD-së

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka reaguar ndaj avancimeve të kundërligjshme brenda ministrisë që drejtohet nga Donika Gërvalla – Schwarz.

Gërvalla, pas avancimit të parë të kundërligjshëm që ia kishte bërë ish-zyrtarit ligjor të Ministrisë së Diasporës, Behar Ismës, duke e bërë Drejtor të Akademisë Diplomatike, tani të njëjtin e ka emëruar edhe ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, shkruan Demokracia.com.

Në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme, Gërvalla e kishte bërë Ismën drejtor të Akademisë Diplomatike pa qenë as pjesë e diplomacisë, pa përvojë diplomatike si drejtor në ndonjë nga Departamentet Politike të MPJ-së, pa qenë në misione diplomatike, pa pasur kualifikim akademik dhe pa gradë diplomatike.

Behar Isma e kishte përmbushur vetëm një kriter, atë të lojalitetit ndaj pushtetit të ri, pasi që është bashkëshort i ish-asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Vjosa Ismës, e cila ishte kuvendare komunale në mandatin 2017-2021.

Ky është reagimi i plotë i deputetes Ariana Musliu-Shoshi:

Filluan “reformat” në MPJD!

Përderisa si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i kam kërkuar zyrtarisht Ministres Gërvalla informacione lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, pozitë kjo vakante tash e dy vjet e në të cilën janë ndërruar pesë ushtrues detyre, tash sapo mora informacion nga brenda MPJD-së që sot qenka emëruar ushtruesi i shtatë i detyrës në këtë pozitë. Ndërkaq, Ministrja Gërvalla dhe kabineti i saj as nuk kanë marrë mundin të kthejnë përgjigje në kërkesën time.

I emëruari në këtë pozitë, z. Isma, vetëm disa ditë më herët është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, ani pse i njëjti as nuk është diplomat karriere, as nuk mban gradë diplomatike e as nuk ka përgatitje profesionale për të udhëhequr institucionin i cili i nxjerrë diplomatët e Republikës sonë. Ky avancim i tij në dy pozicione të ndryshme brenda MPJD-së në çështje ditësh, nuk ka se si të mos ngre dyshime për favorizime politike në pozita kyçe të shërbimit civil – pikërisht nga njerëzit të cilët retorikë kryesore e kanë “ç’kapjen” e shtetit…

Pra, me një status të gjatë vetëm një ditë më herët, Donika Gërvalla na tregoi se spastrimet politike në MPJD po fillojnë, e normalisht për këtë gjë i duhet një “noter” i cili do t’ja nënshkruaj vendimet për këtë punë. Prandaj, iu intereson që ta mbajnë vakante pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë që të caktojnë ushtrues detyre të cilët mund t’i kontrollojnë!

“Reforma” e paralajmëruar, sipas të gjitha gjasave, filloi! Unë iu bëj thirrje të gjithë diplomatëve që të vazhdojnë kryerjen e punëve me nder e përgjegjësi, dhe të gjitha shkeljet t’i raportojnë tek institucionet gjyqësore, e assesi të mos bien pre e këtyre tentativave për kapje.

P.S. Asnjëherë nuk do të isha kundër avancimit të zyrtarëve të cilët i plotësojnë kushtet profesionale e ligjore për ngritje në pozitë zyrtare, pavarësisht afërsisë me ndonjë subjekt politik”, ka shkruar deputetja Musliu-Shoshi. /Demokracia.com/

Exit mobile version