Idriz Mehmeti e kishte treguar një ngjarje interesante për gazetarin Sheradin Berisha. Ai tregoi se si veproi në një moment emocional, njëri nga luftëtarët më të mëdhenj z. Nasim Haradinaj.
Idriz Mehmeti nga vjeshta e vitit 1995 e deri më 5 Mars 1998 ishte edhe anëtar i LDK-së, dega në Zvicër. Me 5 mars 1998, (atë ditë kur nisi lufta në Prekaz), Idrizi jep dorëheqje me shkrim nga LDK-ja. I shkruan letër edhe Kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit. Në qershor 1998 Idrizi kthehet në Kosovë dhe i bashkohet radhëve të UҪK-së. Gjatë ofensivës së verës 1998 merr pjesë në luftime të zhvilluar në zonën e Drenicës.
Sheradin Berisha: Ku u mbajt takimi?
Idriz Mehmeti: Takimi është mbajtur në zyrën e Gjeneralit Kudusi Lame. Me lejoni t’ju rrëfej një ngjarje me rëndësi që ndodhi derisa ishim në takim me gjeneralin Lame. Derisa po qëndronim në zyrën e Gjeneralit, erdhi njëri ndër luftëtarët më të përkushtuar të Zonës së Dukagjinit, Nasim Haradinaj. Kishte ardhur për t’u furnizuar me teknike luftarake. Kërkesa për furnizim ishte bërë gati dhe ishte në pritje të urdhërit për nisje në vijë të frontit, në Koshare. Këtë na e konfirmoi pak më parë Gjenerali, para se të vinte në zyrë Nasimi. Mirëpo, fillimisht Babushi bëri një shaka interesante me të: “Kush jeni ju hej, që doni ta fusni Shqipërinë në luftë,… etj, dhe vini këtu në zyrë të komandantit të Divizionit; bile kërkoni edhe mjete luftarake”! Për momentin Nasimi u step, por Babushi nga shakaja kaloi në zbatim të detyrës. E përqafoi Nasimin dhe urdhëroi njërin nga oficerët e tij që rrinte te dera në këmbë: “merre djalin e dërgoje tek Magazina”! Si urdhëron Gjeneral – përshëndeti oficeri, dhe iu drejtua Nasimit: ejani me mua. Nasimi doli, por pas pak u kthye, e përqafoi shumë Babushin, ra më gjunjë e ia puthi këmbët…O Babushi im! – i tha Gjeneralit, përsëri e përqafoi dhe iku në detyrë. Ai kishte marrë gjithë kërkesën furnizuese, ndaj e puthte Babushin. Në këtë moment, m’u kujtuan bisedat dhe optimizmi i Komandant Adem Jasharit për ndihmën që do të na jap Shqipëria. Vetë me vete mendova: ja Shqipëria e Adem Jasharit!