Gazeta Insajderi përmes qasjes në Dokumente Publike e ka siguruar raportin e plotë të Auditorit të Brendshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, ku zbardhen keqpërdorimet në tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave që peshon mbi 16 milionë euro.
Begzad Musliu, drejtori i Njësisë së Auditmit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i ka kërkuar ministrit Liburn Aliut, që ta anulojë tenderin që peshon mbi 16 milionë euro për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës.
Këtë thirrje ai bëri pas përpilimit të raportit 70 faqesh të cilin Gazeta Insajderi e ka siguruar përmes qasjes në Dokumente Publike.
Në fillim të këtij dokumenti i cili mban datën 23 qershor 2022, e që i është dërguar ministrit Aliu dhe sekretarit të MMPHI-së, Servet Spahiut, janë reditur disa nga të gjeturat kryesore.
Në pikën e parë thuhet se “publikimi i Paramasave dhe Parallogarive me Sasi Indikative nuk ishte i njëtrajtshëm sepse nuk ishin publikuar të gjitha periudhat e synuara për kontraktim për të gjitha llotet, gjithsej 4 sish”.
E dyta thekson se “me rastin e publikimit të Paramasave me Sasi Indikative për vit të korrigjuara me ngjyrë të kuqe në bazë të të cilave OE ofertojnë me çmimin për njësi, janë bërë manipulime të qëllimshëme për t’i hutuar ofertuesit tjerë përveç atyre të shpallur “FITUES” sepse për Llotin 1,2 dhe 4 janë publikuar vetëm nga 1(një) Paramasë e korrigjuar ndërsa për Llotin 3 janë publikuar tri Paramasa për tri perudha kohore të ndara veç e veç siç janë: 2022/2023, 2023/2024, dhe 2024/2025! Kjo nënkupton se Ofertuesit e pa koordinuar me Divizionin e Prokurimit do të kishin mëdyshje të ofertonin me një Paramasë të korrigjuar për tri vite apo me tri Paramasa për tri vite”.
Derisa gjetja e tretë kallëzon në “specifikimet Teknike tek përshkrimi i Pozicioneve për ekzekutim, qëllimshëm nuk janë përshkruar Mënyra e Pagesës dhe Njësia Matëse përkatëse me llojin/sasinë e pozicionit. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Përshkrimi i mënyrës së pagesës, matjeve sasiore dhe njësive matëse për pozicion qëllimshëm janë hjekur/fshirë në të gjitha pozicionet e radhitura në Specifikimet Teknike të detyrueshme! Të gjitha korrigjimet e bëra nga Divizioni i Prokurimit në Specifikimet Teknike me Paramasa dhe Parallogari dhe Sasi Indikative të hartuara nga Njësia Kërkuese duhet paraprakisht të merret Pëlqimi/Aprovimi me shkrim nga Njësia Kërkuese”.
Bazuar në këto gjetje Auditori ka konstatuar se “ky Aktivitet i Prokurimit ishte i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatorët ekonomikë të caktuar. Ishte një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”.
Prandaj, sipas auditorit, për të shpëtuar nga dëmet e më tejme, ai ka rekomanduar që të anulohet menjëherë ky aktivitet i prokurimit dhe të kthehet në fazën e planifikimit të mirëfilltë.
“Ju duhet të ndërmerrni të gjitha masat ligjore dhe disiplinore për t’i rivendosur kontrollet menaxheriale në Departament të Infrastrukturës rrugore dhe në Divizionin e Prokurimit, sepse Ju nuk keni besueshmërinë minimale objektivë dhe ligjore në kontrollet menaxheriale të apostrofuar”, thuhet në raportin të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Raporti i plotë: https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/07/SHERBIME-TE-SIGURISE-OBJEKTIVE-1.pdf
Musliu i tha Gazetës Insajderi se auditimin e brendshëm të tenderit 16 milionësh, e bazoi në Ligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.
“1. Udhëheqësi i subjektit të sektorit publik krijon sistemin për parandalimin e rrezikut për parregullsi dhe mashtrim, dhe ndërmerr veprime kundër parregullsive dhe mashtrimeve; 2. Çdo punonjës, përfshirë edhe auditorët e brendshëm, informon për çdo parregullsi ose mashtrim të mundshëm, udhëheqësin e subjektit të sektorit publik dhe, nëse e konsideron të dobishme, organet kompetente”, citon Musliu pikën 1 dhe 2 të Nenit 32, ku sqarohen procedurat për raportimin e parregullsive.
Auditori ka sqaruar për Gazetën Insajderi, se ai mund ta fillojë auditimin e secilit proces, kurdo që mund të ketë dyshime, edhe nëse ajo nuk i kërkohet nga askush.
“Ne në çdo kohë brenda orarit të punës sa herë që ne shfaqim dyshimet tona për mashtrim të kontrolleve të brendshme menaxheriale apo dhe operacionale, i ofrojmë me shkrim apo me gojë shërbime të sigurisë objektive Udhëheqësit të SSP/Ministrit/es. Është në diskrecionin e tij/saj që t’i ndërmerr masat e duhura ligjore për ta evituar, shmangur apo pranuar rrezikun”.