Partia Demokratike e Kosovës që një kohë është duke mbajtur zgjedhjet brenda partisë, proces ky që pritet të përfundojë në fund të këtij muaji.
Nënkryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se ky proces po zhvillohet në frymë pozitive dhe optimiste.
“Ky proces na bën të ndjehemi shumë mirë, ka një numër shumë të madh të njerëzve që tashmë janë të përgatitur për të marrë përgjegjësi”, ka thënë Krasniqi në Zonën e Debatit.
“Ky proces nuk është i thjeshtë, është i komplikuar – kemi 1142 nëndegë në gjithë Kosovën, deri tash 75% e procesit ka përfunduar. Nga 17 në 9 degët më të mëdha ka ndryshuar lidershipi”.
“Deri në fund të këtij muaji presim të përfundojë i gjithë procesi në degë e nëndegë, pastaj do ta vendosim datën e konventës e cila pritet të jetë gjatë majit”.
Uran Ismaili, nënkryetari tjetër i PDK-së, ka thënë se ky proces i ka ofruar ata më afër njerëzve në gjithë vendin.
“Ky proces ka apetite të dyanshme: Apetiti i parë – ka njerëz të shumtë në fshatra dhe qytet që dëshirojnë të jenë në PDK. Apetiti dytë është i partisë që të fus në vetvete njerëz që kanë ambicie politike, jo vetëm pozita politike”, ka thënë Ismaili në Zonën e Debatit.
“Edhe vet anëtarët e PDK-së janë duke krijuar hapësirë, janë duke thirrur njerëz të rinj. Ndryshimi nuk po vjen nga lartë, por nga aktivistët poshtë”.
“Ne edhe pse kemi dalë parti fituese në shumë zgjedhje, pati filluar të humbasë një lloj komunikimi me qytetarët, më shumë komunikohej nëpër rrjete sociale. Këto baza të reja të komunikimit, dmth direkte me qytetarët na kanë ndryshuar edhe neve”.
“Qëllimi i politikës është që të ngjallë një dëshirë tek njerëzit që të merren me problemet që atyre u takojnë”.