Epilogu

Pëllumb Xhufi: Enver Hoxha mbështeti tezën e prejardhjes nga pellazgët, pastaj ndryshoi qëndrim

Enver Hoxha mbështeste tezën pellazge. Kështu thotë historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTv. Xhufi tregon se si në vitin 1970, Enver Hoxha ndonëse prej vitesh kishte mbështetur tezën pellazge, kishte ndihmuar për studimin e kësaj teze, mohoi vetveten dhe tha se nuk do merren më me pellazgët se nuk ka të dhëna, por tani të studioheshin ilirët se për ta kishte dokumente.


“Enver Hoxha nuk merrej shumë me historinë. Ne e kemi ndier këtë në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë. Nën presionin e kokave të mëdha ka ndryshuar edhe idetë e tij Enver Hoxha. Ai ishte i pasionuar pas tezës pellazge. Ka përkrahur edhe një studiues të vjetër korçar, i cili bëri një libër për problemin pellazg. Ai ishte në pension, i dha edhe punonjës që ta ndihmonin për të shkruar. Por nga kontakti që pati me profesor Budën, me profesor Çabejn në 1970-ën, thotë një gjë të madhe duke mohuar vetveten. “Tani ne nuk do merremi me pellazgët!”, tha ai, që kishte ndihmuar në tezën pellazge, që për këtë tezë u përkthye një autor francez se doli edhe misteri etrusk dhe filluan të studiojnë lidhjet e etruskishtes me gjuhën shqipe. Në 1970-ën ai thotë që nuk do merren me pellazgët se nuk ka dokumente, të dhëna për atë periudhë. Por do merren me ilirët se ka të dhëna. Sikur fliste Çabej jo Enver Hoxha.”, u shpreh akademiku Pëllumb Xhufi në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv.

Exit mobile version