Epilogu

Për herë të parë publikojmë emrat e të gjithë të punësuarëve në Universitetin “Kadri Zeka”, përfshirë stafin akademik dhe administrativ (DOKUMENT)

Në webfaqen zyrtare të Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, ende nuk janë publikuar të dhënat për shumicën e stafit akademik dhe administrativ, të cilët marrin paga dhe mëditje nga taksat e qytetarëve.

Informacionet bazike të cilat duhet të jenë publike, po mbahen tani e disa kohë të mbyllura për publikun.

Në webfaqen zyrtare të Universitetit “Kadri Zeka”, ende mungojnë dhe nuk publikohen emrat e të gjithë të punësuarëve në këtë institucion.

Redaksia jonë, nëpërmjet burimeve të saj brenda këtij institucioni, ka arritur të sigurojë dokumentin ku janë të përfshirë të gjithë të punësuarit, përfshirë Stafin e Rregullt Akademik dhe Administrativ, por edhe emrat e atyre të cilët janë angazhuar për një kohë të caktuar.

(aty ku specifikohet “tjetër”, janë stafi administrativ, gjithashtu edhe rubrika e moshës është e mbuluar për çështje të ruajtjës së privatësisë). Disa nga emrat e lartcekur kanë qenë të angazhuar më herët, por nuk janë tani.

Përpos që transparenca nga ana e Universitetit mungon në publikimin e stafit të saj, gjithashtu edhe CV-të e shumicës prej tyre mungojnë dhe nuk janë të hapura për publikun.

Redaksia jonë, në bashkëpunim edhe me njohës të fushës së arsimit, ka filluar një hulumtim të gjerë rreth Universitetit “Kadri Zeka”.

Hulumtimi do të zgjasë disa muaj, në mënyrë që hulumtimi të jetë sa më profesional në të gjitha nivelet.

Ne jemi duke hulumtuar disa raste, ku përfshihen;

• A ka asistentë të cilët gjatë kohës kur janë avancuar nuk e kanë plotësuar kriterin bazë atë të moshës ?

• A ka asistentë të cilët gjatë avancimit nuk e kanë plotësuar kriterin e notës mesatare,

• Profesorët të cilët janë avancuar pa punime shkencore në revista ndërkombëtare,

• Profesorë të cilët janë avancuar pa diplomë të nostrifikuar, gjithashtu kemi siguruar edhe material ku dëshmohet se disa aplikuesve ju është refuzuar aplikimi në mungesë të diplomës së nostrifikuar, ndërsa disa të tjerëve jo, pra janë aplikuar standarde të dyfishta në kundërshtim të plotë me nenin 5 të Rregullores për Avancimet e Stafit Akademik,

• Profesorë të cilët janë avancuar duke mos e pasur nivelin themelor të studimeve ekuivalente me atë të doktoratës. Edhe këtu kemi materiale në formë të dokumenteve ku dëshmohet se disa aplikues nuk janë pranuar me arsyen se studimet themelore dhe ato të doktoratës nuk i kanë ekuivalente, ndërsa disa të tjerë janë pranuar. Standard i dyfishtë!

• Profesorë të cilët në CV e tyre kanë publikuar vetëm titujt e punimeve shkencore dhe jo edhe linkun e plotë e të çasshëm,

• Jemi duke hulumtuar edhe punimet shkencore si dhe revistat e disa profesorëve,

• Hulumtimin e plotë të një Konkursi për një pozitë të lartë administrative, ku mësohet se njëri aplikues pak javë para se të emërohet Drejtor Komunal në Komunën e Gjilanit, ka marrë pjesë në Konkurs (vetëm sa për të përmbushur kriterin procedural), gjithashtu dyshohet se edhe djali i njërit drejtor tjetër komunal ka aplikuar me të njejtin qëllim, pavarësisht se ka dyshime që pozita në fjalë është premtuar vite më parë,

• Personin e cila nga pozita e arkëtarës është avancuar në një pozitë të lartë administrative, ku dyshohet se rol të rëndësishëm në kryerjen e detyrave të saj ka edhe motra e saj e cila së bashku më bashkëshorten e Rektorit Bajram Kosumi, mbajnë dy pozita shumë të rëndësishme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik,

• Hulumtimin e Konkursit të Brendshëm të datës 13 mars 2018, ku për 2 nga 3 pozitat e shpallura, dyshohet se nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të aplikuesve dhe Konkursi do të duhej të anulohej,

• Hulumtimin e çështjeve financiare ku edhe këtu kemi informacione dhe material mjaft interesant për trajtim,

• Hulumtimin e Konkursit për Staf të Rregullt Akademik, të datës 4 qershor, ku përfshihen 16 pozita. Cilat ishin arsyet që Senati votoi këtë Konkurs me datë 19 prill dhe më pastaj të njejtin votuan për anulimin e 5 pozitave brenda këtij Konkursi, me datën 27 korrik 2018. Si qëndronte puna me Buxhet Financiar, në momentin e shpalljes së këtij konkursi?

⁃ si dhe shumë çështje të tjera.

Para pak muajsh në hulumtimin e televizionit T7, me titullin “Universiteti i punësimeve me të njofshëm”, janë shfaqur fakte të pa kontestueshme rreth keqpërdorimeve dhe nepotizmit të thelluar në këtë Universitet.

Universiteti “Kadri Zeka”, drejtohet nga Rektori z. Bajram Kosumi. Mandati i tij përfundon në vitin tjetër. Gjithashtu edhe mandati i udhëheqësit të administratës z. Vaxhid Sadriu i cili mban pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, përfundon në tetor të këtij viti.

Redaksia jonë falënderon qytetarët si dhe një pjesë të stafit të brendshëm të Universitetit “Kadri Zeka”, të cilët po shfaqin vullnet dhe guxim për t’i zbuluar parregullsitë brenda Universitetit. /epilogu/

Exit mobile version