Një hulumtim dyvjeçar i emisionit “Kallxo Përnime” zbardh një aferë korrupsioni, në të cilën dyshohet se ishin përfshirë ish-kryeprokurori i Apelit, dy biznesmenë e një politikan.
Në emisionin “Kallxo Përnime”, Sali Dakaj, biznesmen, ka treguar se kujt ia kishte dhënë 150 mijë euro për ta zgjidhur lëndën gjyqësore në favor të tij.
Dakaj ka treguar se e kishte një lëndë në Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi, dhe gjatë kohës sa ka pritur të merrej vendimi, tek ai kishte shkuar Liridon Fandaj, i cili i kishte thënë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në Prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit. Fandaj i kishte thënë Dakajt se nëse pranon t’i japë 300 mijë euro lënda kthehet në favorin e tij, përndryshe do ta humbte lëndën.
Sali Dakaj thotë se nuk e ka idenë se kush i tregoi Liridon Fandajt për lëndën e tij.
Tutje, biznesmeni tregon se u detyrua të gjejë borxh 150 mijë euro, të cilat ia kishte dhënë Hasan Morinës, i cili, sipas rrëfimit të tij, bashkë me Liridon Fandajn ia kishin dërguar në shtëpi atëherë kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti.
Liridon Fandaj ka qenë shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.
Biznesmeni Dakaj tregon se lënda e tij përmbarimore edhe pse kishte marrë premtime prapë nuk kishte përfunduar dhe lënda kishte kaluar në kontestimore për t’u shqyrtuar në proces gjyqësor.
Përballë këtij fakti, Dakaj kishte filluar të mbajë takime dhe të kërkojë llogari nga ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, e po ashtu nga dy personat që i morën paratë nga ai, Hasan Morina e Liridon Fandaj.
Pasi lënda ishte udhëzuar në kontestimore, Dakaj takohet me Hasan Morinën e Liridon Fandajn në një kafiteri të Prishtinës. Dhe fillon të kërkojë kthimin e parave.
Biznesmeni takon dy personat, të cilët e pranojnë se i kanë marrë paratë.
Nga ky takim Dakaj nuk arrin t’i marrë paratë pasi siç e thekson edhe ai gjatë intervistës së tij, Fandaj e Morina thonë se paratë ia kanë dhënë Haxhi Dërgutit.
Dakaj kërkon nga Morina e Fandaj që t’i organizojnë një takim me Haxhi Dërgutin dhe të takohen të katër personat dhe të qartësohet se kush i ka marrë paratë.
Sali Dakaj për gati një vit nuk arrin t’i ulë së bashku këta persona por gjatë kësaj kohe ai takohet vetë me Haxhi Dergutin, i cili në këtë kohë kishte dalë në pension dhe punën e vazhdon si avokat.
VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=ZtlmvBJdVv8&feature=emb_title