Epilogu

Përgjimi që kishte bërë Milaim Zeka, një biznesmen thotë se Fatmir Limaj ua kërkoi 3 milionë euro gjermanëve

Një bisedë mes Milaim Zekës dhe partnerit të tij të biznesit me viza, implikon zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj në një aferë të kërkimit të ryshfetit në vlerë 3 milion euro. Sipas Krasniqit, Limaj këto para ua ka kërkuar dy gjermanëve në zyrën e tij sa ishte ministër në Qeverinë Thaçi.

Limaj, i ka mohuar të gjitha këto pretendime. Krasniqi, nga ana tjetër nuk ka pranuar të flasë. Ka thënë shkurt se Milaim Zeka posedon 60 minuta bisedë me biznesmenët gjermanë të cilët tregojnë për këtë rast. Incizimi i bërë nga Zeka, është gjetur në telefonin e tij pas arrestimit vitin e kaluar. Insajderi posedon dosjen e plotë të aktakuzës kundër Zekës e Krasniqit, të akuzuar për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

Një audioincizm i bërë në mënyrë të fshehtë nga Milaim Zeka, hedh dyshime të rënda mbi Fatmir Limajn dhe punën e tij si ministër.

Incizimi i bisedës mes deputetit të Nismës, Milaim Zeka dhe ish-partnerit të tij të biznesit me viza, Ilir Krasniqi, zbulon detaje të errëta të një takimi në mes Limajt, atë kohe ministër i Transportit dhe dy biznesmenëve gjermanë të interesuar për të investuar në Kosovë.

Me gjithë përmbajtën e rëndë të incizimit, biseda zhvillohet mes dy tashmë të akuzuarve për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

Në atë takim, sipas Ilir Krasniqit, Limaj u kishte kërkuar tre milionë euro ryshfet në mënyrë që t’u lehtësoheshin procedurat e investimeve dy biznesmenëve gjermanë. Do të investohej në një fabrikë me qymyr.

Incizimi është bërë nga Milaim Zeka. Kopja e tij i është marrë nga Policia pas arrestimit vitin e kaluar. Ky material inkriminues gjendet në dosjen e hetimeve të Prokurorisë, të cilën e ka siguruar, Insajderi.

Në bisedë nuk sqarohet se a ka qenë fjala për ndonjë investim kapital apo tenderë sepse të dy këto elemente theksohen. Por, në intervistën e Ilir Krasniit në emisionin “Pa Rrotlla”, Krasniqi tregon për cfarë investimi bëhej fjalë.

Krasniqi, i tregon Zekës se takimi ishte zhvilluar në fillim të mandatit të Limajt, si ministër në vitin 2008. Sipas tij, takimi ishte mundësuar nga ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tashmë njëri prej drejtuesve të Nismës Socialdemokrate.

Ilir Krasniqi dhe Jakup Krasniqi, në të kaluarën kanë ndarë kohë së bashku. Ata kanë shpërndarë edhe fotografi nga dreka e darka të përbashkëta.

Jakup Krasniqi, njihet po ashtu si njëri i afërm me Milaim Zekën. Në bazë të listës së telefonatave të siguruara nga Insajderi, ata thuajse komunikojnë çdo ditë me telefon.

Incizimi ndërkohë, lë të kuptohet se është bërë në kohën e përpjekjeve të koalicionit të partive, pasi përmendet mundësia se si, Ramush Haradinaj të dal nga VLAN-i për t’u bërë kryeministër. Megjithatë, Isa Mustafa ishte ai që kishte braktisur VLAN-in dhe kishte nënshkruar koalicion me PDK-në.

Milaim Zeka, tregon në bisedë së Fatmir Limaj, është i akuzuar për korrupsion dhe se u ka marrë para biznesmenëve nga Gjilani. Aso kohe, Limaj ishte i akuzuar për rastin e MTPT-së, për të cilin është shpallur i pafajshëm.

“Kanë me dënu qitash për korrupsion”, thotë Zeka, që është bërë deputet me listën e Nismës së udhëhequr nga Limaj.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, e ka mohuar secilin pretendim të kësaj bisede. Ai ka thënë shkurt se kurrë në jetë nuk e ka takuar, Ilir Krasniqin dhe as që e njeh personalisht.

“Kurrë nuk e kam takuar. Kurrë nuk kam biseduar për këto çështje. Të gjitha këto pretendime janë të pavërteta”, ka thënë Limaj.

Ilir Krasniqi, ka refuzuar të flasë për këtë rast. Ka kërkuar mos të botohet incizimi me arsyetimin se po i rrezikohet jeta. Megjithatë, ka thënë se nuk ka frikë.

Ai ka përmendur një fakt tjetër, që sipas tij, Milaim Zeka ka biseduar personalisht me gjermanët të cilët i ka inciuar. Ka thënë se Zeka posedon një incizim tjetër prej 60 minutash.

Zeka, sa ishte drejtues i emisionit “Pa rrotlla” që transmetohej në Televizionin Publik, e kishte intervistuar partnerin e tij të biznesit të mashtrimeve, Ilir Krasniqin. Intervista ishte zhvilluar në shkurt të vitit 2016, pak kohë para se të fillonin biznesin e vizave.

Në atë intervistë, Krasniqi tregon se si një ministër u ka kërkuar tre milionë euro investitorëve gjermanë, por nuk e përmend emrin e ministrit. Nga pyetjet, Zekandërkaq shprehet sikur është krejtësisht i njoftuar me ngjarjen. Tregon se i ka takuar gjermanët dhe ka biseduar me ta.

“Tre milionë, tre milionë i ka lyp”, i thotë Krasniqi, Zekës në fillim të incizimit.

“Fatmir Limaj”, pyet Zeka.

“Fatmir Limaj, tre milionë i ka lyp”, përgjigjet Krasniqi.

Bashkëbiseduesit tregojnë se bëhet fjalë për biznesmenë gjermanë, të cilët do të hapnin 12 mijë vende pune. Sipas, Krasniqit vetëm vlera e makinerive ishte mbi 350 milionë euro.

“Tha kurrë (biznesmeni gjerman v.j.)! Jena ardhë se kena mendu që…, na ka folë Iliri, na ka thanë zotëri Krasniqi, na ka premtu se mirë është (në Kosovë v.j.), qetësi është po ju po e bojshi vendin ma luftë se që e keni pas. A po më kupton? E janë çu kështu të dëshpërum. Nuk beson a”, thotë Ilir Krasniqi.

Krejt kjo bisedë sipas Krasniqit, është zhvilluar në zyrën e Limajt në Ministri të Transportit dhe Postëtelekomit.

Krasniqi, pretendon se gjermanëve do t’u duheshin takime edhe me ministrin e Minierave të asaj kohe, por sipas tij, Limaj do ta kryente punën me ta.

“O xhaxh, unë, unë njoh. Me ka shku mendja me inçizu për kuriozitet, se thojsha ka me fol Fatmiri mirë, e ka me thanë mirë se vini, anej e knej, s’kom mendu që lyp, a pe din? Unë nuk kam mendu që ai lyp”, insiston Krasniqi.

“…thojke, do të thotë janë kanë edhe Ministria e Minierave edhe e këtyre, po ky, jo se unë po i kryj krejt, po ju bini 3 milionë euro ja bojke ai. Nuk është puna e 3 milionë eurove, veç maqinat tona, arsenali i tyre kushtojke 375 milionë. A pe din që e bishin? A po më kupton? U punësojshin 716 vetë… Gjatë montimit të asaj fabrike, 716 vetë, gjashtë muaj ditë. Dikund me 12 mijë vetë startojke ajo. A po më kupton edhe 3 milionë tha i lypi. 3 milionë tha i du se me kanë tjetër kush, tha mos me kanë ky zotëri Krasniqi, unë të kisha thanë nër 20 për qind hiç”, insiston Krasniqi.

Zeka, shpreh bindjen se Limaj është i korruptuar dhe se do të dënohet për korrupsion.

“Veç, a të kallxoj një këshillë? Thuju këtyne, se qikjo ju vjen mirë këtyre, jo në opozitë, po thuj janë t’u i akuzu bash për korrupsion, e atëherë thojnë aaa… kadal se po funksionoja ligji në Kosovë. Për korrupsion janë duke e akuzu Fatmirin, qitash ka mu dënu për korrupsion, për tendera që ju ka marrë njerëzve të Gjilanit, e çka s’ka ba more ai. Çka nuk ka ba ai”, thotë Krasniqi.

Krasniqi, në anën tjetër thotë se ka qenë në shtëpinë e Limajt në Malishevë. Thotë po ashtu se Limaj, ka ndërtuar katër shtëpi afër vjehrrit të tij në Hajvali.
Bisedën mund ta dëgjoni duke klikuar këtu: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=partneri-i-milaim-zekes-fatmir-limaj-na-i-kerkoi-3-milione-euro-2

https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=315598585875000

Exit mobile version