Platforma e lajmeve “The Geopost”, të enjten, ka publikuar audio-incizimin e dytë të radhës në rastin e spiunëve, ku dëgjohet tashmë i arrestuar për spiunazh, Bedri Shabani, duke komunikuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike me një agjent serb të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Srdjan Rosiç.
Në audo-incizimin e radhës e publikuar nga “The Geopost” kuptohet se Shabani ka pasur një takim fizik me zyrtarin e BIA-s.
“Si po kalon? Atë ditë, siç dukej ishe i lodhur shumë”, pyet Shabani, Rosiç-in.
“Ta them të drejtën, isha shumë i lodhur, kisha fjetur pak, kisha vozitur”, i kthen zyrtari i BIA-s serbe.
“Pasha jetën, edhe unë shumë i lodhur kam qenë, por kur të pash ty, edhe më i lodhur sesa unë…”, vazhdon Shabani.
Sipas informacioneve të siguruara nga “The Geopost” takimi fizik mes Shabanit dhe Rosiç-it është zhvilluar në qytetin e Nishit në Serbi, më 17 maj të vitit të kaluar. Ndërsa telefonata e publikuar është i datës 23 maj të vitit të kaluar.
Gjatë bisedës bëhet e ditur se në ditën e takimit në Nish, Shabani kishte dorëzuar tre tekste.
Audioja është e censuruar dhe nuk dihet se cilat janë ato tekste.
Për këtë, Shabani pyet, “a ka pasur rastin t’i shohë më parë?”. për të cilën Rosiç përgjigjet me “jo”.
Ndryshe në audio-incizimin e parë e publikuar nga The Geopost, Shabani, dëgjohej duke i kërkuar ndihmë agjentit të BIA-s rreth kryerjes së një pune.
Madje, në këtë audio-inçizim inkriminues, ai dëgjohej duke folur rreth një plani ogurzi: “Ne konsiderojmë se do ta ndezin tjerët, dhe kur ta bëjnë, ne do t’i hedhim benzinë zjarrit që të digjet më shumë”.
“Ne deshëm të nxisim të dyja palët, ashtu sikurse dje (censurë), të dyja palët… Dhe tash e tërë bota flet… ne s’mund ta shtyjmë vetëm, sepse është guri i madh… pra kështu është. Më fal vëlla. Por kjo është”, dëgjohej duke i raportuar Shabani agjentit serb, ndërsa ky i fundit i përgjigjet: “Mos u bëj merak vëlla, do të njoftoj më tej për këtë, por ti mos u bëj merak”.
Besnik Berisha, avokat i Shabanit, i cili dyshohet për spiunazh, pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaroi para gazetarëve se ndaj klientit të tij nuk ekziston asnjë provë, derisa njoftoi se i dyshuari është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë të Holandës në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndryshe, dy shtetas kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI) dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”. Në bazë të raportimeve të mediave, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për BIA-n famëkeqe. Një muaj paraburgim u ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë dy të dyshuarve për spiunazh të enjten.