Bajram Çerkini, nga Shoqata e të Pagjeturve, thotë se ka qenë kërkesë e vet familjarëve që kjo çështje të ngrihet në nivel më të lartë. “Pas një kërkese të familjarëve kemi thënë se duhet të ngrihet në nivel më të lartë çështja e personave të pagjetur”, tha Çerkini për gazetën “Zëri”. Sipas tij, realiteti është se Kosova nuk ka pasur qasje dhe autorizimi për të punuar rreth kësaj çështjeje, mirëpo tani i ka të gjitha kompetencat në duar. Ndërsa sa i përket asaj nëse pjesë e këtij takimi do të jetë edhe ndonjë përfaqësues, Çerkini ka thënë se do të ketë. “Unë besoj se bisedat do të bëhen pak më të hapura dhe do të jenë ballë për ballë edhe me disa familjarë. Nuk mund të them nëse do të jem unë apo dikush tjetër, por do të ketë përfaqësues të familjarëve si vëzhgues apo në biseda ajo është diçka tjetër, por së bashku do të jemi edhe ne dikush”, ka përfunduar ai.
Kurse Bajram Gecaj, nga LDK-ja, thotë se kjo nuk është hera e parë që presidenti Thaçi premton një gjë të tillë, pasi e ka ripërsëritur për vite të tëra. “Çështja e të pagjeturve është një çështje e cila do të duhet të zgjidhet gjithsesi ndonjë ditë dhe rëndësia e saj nuk do të zbehet asnjëherë. Vullneti i Serbisë dhe presioni më i fuqishëm i komunitetit ndërkombëtar është i domosdoshëm nëse vërtet dëshirojmë që këtë çështje ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë. Vullneti i palës kosovare i vetëm fatkeqësisht nuk do të na sjellë rezultatet e duhura”, përfundoi Gecaj.