Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe [Zajednica] është bërë sërish një çështje e nxehtë në debatin politik vendor por edhe në dialogun e Kosovës me Serbinë. Kryeministri Kurti ka deklaruar se “nuk pranon asociacion një-etnik” por, a lë të hapur kjo gjë versione tjera të rrezikshme për Kosovën meqë Serbia po forcon lidhjet me pakicat tjera etnike në Kosovë?
Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, ka kërkuar më ashpër se kurrë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dhe, duket se sa më shumë kohë që kalon, gjërat vazhdojnë të përkeqësohen për Kosovën. Pse?
Qeveria e Serbisë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dyshohet se ka orkestruar votime masive për subjekte politike rome, boshnjake dhe të komunitetit ashkali.
Dyshimi bazohej në votat që mori iniciativa e Adrijana Hoxhiq në disa komuna me shumicë serbe, e po ashtu edhe një iniciativë rome dhe një tjetër ashkali.
Përveç me boshnjakët, romët dhe ashkalitë, Qeveria e Serbisë ka ndërtuar ura bashkëpunimi edhe me komunitetin pakicë goran në Kosovë. Deputeti Adem Hoxha tash e disa mandate është pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe (Lista Srpska).
Por, cili është rreziku për Asociacionin?
Lista Serbe është partia me më së shumti të fituara në Kosovë. Kjo parti politike që kontrollohet nga Beogradi udhëheq dhjetë komuna, ndërsa në vend të dytë është AAK-ja me nëntë.
Leposaviqi, Novobërda, Shtërpca, Zubin Potoku, Zveçani, Graçanica, Ranilluku, Parteshi, Kllokoti dhe Mitrovica e Veriut janë komunat në fjalë.
Pikërisht këto dhjetë komuna besohej të ishin pjesë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që u konsiderua se rrezikonte sovranitetin dhe funksionaltetin e shtetit të Kosovës.
Por, duke qenë se karakteri mono-etnik i këtij Asociacioni është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Kosovës, non-papera tjerë mund të jenë në diskutim.
Bëhet fjalë për Asociacion eventual multietnik që do të përfshinte përveç serbëve edhe komunitetet e tjera pakicë por të cilat do të kontrolloheshin nga Qeveria e Republikës së Serbisë.
Dhe se Serbia po provon të kontrollojë pakicat e tjera etnike, kjo tashmë është gjë e ditur.
Cila është gjendja aktuale?
Serbia e dëshmoi se ka forcuar lidhjet me komunitetet e tjera pakicë në Kosovë përmes zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit përbëjnë rrezik tjetër të madh për rritje të influencës serbe në komunitetet etnike pakicë në Kosovë.
Aktualisht, vetëm një komunë kosovare nuk udhëhiqet nga serbët apo shqiptarët. Ajo është Mamusha që ka një kryetar nga komuniteti turk që është aktualisht lojal me institucionet e Kosovës.
Nuk dihet nëse kjo gjë do të ndryshojë.
A ka politikanë nga pakicat tjera etnike që po kërkojnë komuna në Kosovë?
Po.
I pari është Adem Hoxha i pakicës gorane. Deputeti Hoxha – siç e thamë – është pjesë e Listës Serbe dhe krijimi eventual i një komune gorane do ta bënte atë komunë gorane të kontrolluar nga Qeveria e Serbisë nëse do të bëhej pjesë e Asociacionit.
E dyta është Emilija Rexhepi, zv.kryeministrja e Republikës së Kosovës. Para se të hynte në Qeverinë Kurti II, politikanja boshnjake kishte vënë kusht në krijimin e një komune boshnjake.
Së fundi, Rexhepi ishte parë me politikanin e vjetër tjetër boshnjak, Numan Baljiq dhe ishte kritikuar ashpër pasi ky i fundit ishte dënuar për sulm seksual.
Aktualisht, znj. Rexhepi është lojale e institucioneve të Kosovës por pushteti lokal në komunën eventuale boshnjake do t’i rrezikohej nga Iniciativa e Adrijana Hoxhiq e cila dëshmoi forcën elektorale në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hoxhiq mori shumë vota nga serbët e Kosovës, gjë që lë dyshime se ka rritur bashkëpunimin me Listën Serbe, gjegjësisht Qeverinë e Serbisë.
Së fundi, paqartësia e kryeministrit Kurti në raport me Asociacionin është kritikuar ashpër nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
‘’A je për Asociacion gjeografik, është mirë me na tregu çka nënkupton, për kë e pati fjalën. Çka ka në mend. Pse duhet me hapë opsione të reja të Asociacionit? – tha ai./Periskopi