Propozimi i ministrit të Integrimit Evropian, Blerim Reka se në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë, asaj mund t’i jepet korridori transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës, ka zgjuar reagimin e opozitës në Kosovë.
Ata po kërkojnë dorëhqjen e ministrit Reka, pasiqë po e konsiderojnë zi një zgjidhje shkatërruese për Kosovën, duke i dhënë kështu mundësi Serbisë të realizojë përpjekjet e kahmotshme për ta zhbërë shtetin e Kosovës, shkruan Periskopi.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një reagimi publik ka thënë se ministri Reka duhet të japë menjëherë dorëheqje, madje para se ti kërkohet ajo. Propozimin e ministrit Haradinaj e sheh si shumë të rrezikshëm, i cili sipas tij i mundëson Serbisë ‘të pushtojë tokat e Arbërit’.
“Ministri i Integrimeve Europiane Z. Reka paska propozuar kompromisin me Serbinë e që është dhënia e korridorit të tranzitit për në Adriatik apo kthimi i Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet edhe në Shqipëri. Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”, ka shkruar Haradinaj.
Këtë deklaratë të Rekës si shqetësuese dhe të rrezikshme e sheh edhe Partia Demokratike e Kosovës.
PDK përmes një reagimi për media ka thënë se me këtë ide do t’i bëhej favor i jashtëzakonshëm Serbisë, derisa do t’i rrezikohej ekzistenca shtetit të Kosovës.
“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike. PDK e ka quajtur idenë e Rekës edhe ppozim anti-kombëtar.
“I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik. PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar”, thuhet në reagimin e PDK-së. /Periskopi/