fbpx
Lajme

Planifikohet profilizimi i universiteteve publike në Kosovë

Qeveria e Kosovës është duke planifikuar që shumë shpejt të nisë me profilizimin e universiteteve publike. Kjo me arsyetimin se universitetet e reja nuk kanë kapacitete për misionet e tyre meqë u mungon kuadri i kualifikuar për programet e parapara, dhe se janë të njëjta me të Universitetit të Prishtinës.

Zyra për media e Qeverisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se nuk e ka plan zvogëlimin apo mbylljen e këtyre institucioneve të arsimit të lartë, por vetëm profilizimin. Sipas Qeverisë, drejtimet e universiteteve të tjera aktualisht nuk u përshtaten specifikave të rajonit ku ato funksionojnë.

Në hartimin e planit për profilizim Qeveria ka bërë të ditur se do të përfshihen Ministra e Arsimit, universitetet, ekspertët e arsimit, shoqëria civile, e të tjerë, raporton KTV.

“Universitetet publike, në përputhje me standardet e cilësisë dhe nevojën e tregut të punës jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, duhet të profilizohen, në mënyrë që të porsadiplomuarit tanë të kenë perspektivë të qartë punësimi. Prandaj do të ndërmerren veprime për të ndihmuar këto institucione që të profilizohen në përputhje me kërkesat e tregut të punës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ditë më parë kryeministri Hoti ka takuar rektorët e universiteteve publike me të cilët është pajtuar që të formohen disa grupe punuese për ndryshimet ligjore dhe për planin gjithëpërfshirës të profilizimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Rektori i Universitetit të Pejës dhe deri tash kryesues i rektorëve të universiteteve publike, Fadil Millaku, ka thënë se këtë ide e kanë diskutuar edhe me kryeministrin Avdullah Hoti. Sipas tij, të gjithë rektorët janë pajtuar që të ketë profilizim.

Aktualisht në Kosovë janë 7 universitete publike: në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Prizren e në Gjilan. Gjashtë të fundit janë themeluar pas luftës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close