Tre vëzhgues të Nismës për Kosovën në fshatin Banjë të Malishevës janë legjitimuar nga Policia jashtë rrethojës së oborrit të shkollës “Naim Frashëri” që është qendra më e madhe e votimit në këtë fshat.
Prokurori i shtetit, Ramiz Buzhala, tha për Kallxo.com se kanë marrë informatë se në qendrën e votimit në Banjë ka incidente.
“Erdhëm me prokurorin e Krimeve të Rënda, Agron Matjani. Paskan qenë tre vëzhgues të partisë Nisma që paskan mbajtë disa statistika për militantët e partisë që kanë votu. Gjithçka që po ndodh këtu është jashtë qendrës së votimit. Biseduam me këta, u shpërndanë“, tha prokurori Buzhala.
Tutje, prokurori tha se kanë biseduar me këta persona dhe se u kanë thënë atyre dhe kolegëve të tyre që të mos vijnë e të sillen këndej.
Ndërsa, lidhur me tensionet mes Nismës dhe PDK-së në Malishevë, prokurori tha se nuk kanë marrë asnjë ankesë, as nga Policia as nga partitë politike.