Policia e Kosovës ka intervistuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt Longar Millakun, djalin e deputetes së “Vetëvendosjes”, Drita Millaku. I dyshuari dje ka dorëzuar armën “Liberty ME 8” në Stacionin policor në Prizren.
Burime të Indeksonline brenda organeve të rendit thonë se Longari kishte ekspozuar në rrjetet sociale armen e zjarrit gjë që bëri policinë të nis hetimet ndaj tij.
Rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga autoritet e rendit. Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit sqaron se hetuesit rajonal kanë ndjekur gjurmët e një ekspozimi të armës në rrjetet sociale.
“I dyshuari e ka dorëzuar një pistoletë me mbishkrim “Liberty ME 8” pa fishekë. Dhe ky rast ndiqet sipas procedurës së rregullt”, ka thënë policia.
Ndryshe, deputetja Drita Millaku kishte kritikuar ashpër zv/kryeministrin Dardan Gashi për gjuajtjen me armë gazi që e kishte bërë javë më parë në një odë.
Millaku duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Hardainjt kishte kërkuar dënimin e personave zyrtarë për përdorim të armëve apo amnistimin e të gjithë të dënuarve.
“Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi dhe të tjerët që gjuajtën me armë në odën e Fatmir Limajt duhet të dënohen për këtë veprim ose të amnistohen të gjithë personat që tashmë po vuajnë dënimin për veprën e njëjtë penale”, kishte thënë ajo./Indeksonline/