Epilogu

PRAPASKENAT në Rambuje: “Rugova i binte me bërryl Thaçit, dhe i thoshte: “Nënshkruaje, bre Hashim”

EPOKA E RE

E vërteta e nënshkrimit të Marrëveshjes

BEDRI ISLAMI / ANA E PANJOHUR E MARRËVESHJES SË RAMBUJESË (Pjesa e 11 dhe e fundit)

Është folur shumë për ngurrimin e Thaçit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Çfarë e pengonte atë dhe si është e vërteta?Është e vërtetë se presioni mbi Hashim Thaçin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë ka qenë i gjithanshëm, i përditshëm, sidomos në ditët e fundit, nga të gjitha instancat mirëdashëse për Kosovën, në të janë përfshirë që nga shokët e tij të delegacionit e deri tek zonja e hekurt, Ollbrajt, ka pasur takime të pafund, ditën e natën, haptas e fshehtas, të qeta dhe të tensionuara, herë pas here ka qenë objekt i përkëdheljeve politike, më vonë edhe i presionit të jashtëzakonshëm.Në të vërtetë, për diplomacinë perëndimore, sidomos amerikane, ka qenë e pakonceptueshme se si është e mundur që një djalë 30-vjeçar, i cili deri asaj dite nuk kishte pasur asnjë lloj mundësie ta ndiqte as nga afër aktivitetin politik të të mëdhenjve të politikës, tashti, krejt papritmas, i vënë në qendër të saj, bëhet kryengritës, kundërshton, pajtohet me diçka dhe reagon ndaj diçkaje tjetër; pret me mirësjellje bisedimet e gjata dhe, në fund të tyre, duke folur lehtas, thotë përsëri, jo, nuk e firmos në këtë mënyrë se si është paraqitur.Përse mund ta bënte këtë ai, kur, për më tepër e dinte krejt mirë se si ishin vuajtjet e luftës, se si ishte të të vriteshin të afërmit, miqtë e shokët, të kishe ankthin e së papriturës së luftës?Disa herë është thënë dhe është shkruar se pas heshtjes apo mosmiratimit të tij qëndronte hija e Demaçit.

Edhe më sipër u përpoqa të sqaroj se, duke pas pjesë të së vërtetës, kjo pjesë lidhej me respektin ndaj figurës së tij; nuk ishte e gjitha.E vërtetë është se për Thaçin pakkush kishte dëgjuar deri atëherë në kancelaritë perëndimore, ose më saktë nuk kishin dashur të dëgjonin atë që po bëhej e qartë. Jo rrallë, shikimi i këtyre zyrave, edhe për UÇK-në, ishte i mjegulluar, hidheshin si në vorbull fjalë dhe ide për financimin e saj ilegal, për kontrabandë dhe më keq se kaq, e megjithëse kanë shkuar më shumë se 15 vjet, në asnjë rast nuk janë dëshmuar si të sakta vorbullat e tyre. Mirëpo atëherë, dashje pa dashje, por më shumë e para, ky ishte mendimi edhe për drejtuesit politikë e ushtarakë të UÇK-së apo të LPK-së. Kjo do të bënte që dalja e Thaçit në pozitën e kryesuesit të ishte e papritur, të ishte njëra nga befasitë e para të Konferencës. “Ne as që e kishim idenë se kush ishte ai” – do të shkruante më pas James Rubin, por shumë shpejt, tepër shpejt, ata mësuan të vërtetën se “pjesa tjetër e delegacionit shqiptar tashmë kishin bërë të ditur se ata do të përkrahnin çdo gjë që do të vendoste ai”.Kjo do të ndodhte për dy arsye themelore, e para, sepse në figurën e tij u veshën tiparet e UÇK-së dhe respekti për të, ishte në të njëjtën kohë edhe shenjë nderimi për luftën dhe, së dyti, sepse edhe anëtarët e tjerë të delegacionit, në veten e tyre, ishin të bindur se ajo që po u afrohej, jo vetëm që nuk ishte më e mira e mundshme, por mund të kishte edhe të papritura.

Ndoshta, pikërisht këto kundërshtime, të Demaçit në Prishtinë dhe të Thaçit në Rambuje, do të bënin që herë pas here të zgjidhej diçka nga lëmshi i pasigurisë.Në se në draftin e parë ishte shkruar e zeza mbi të bardhë se UÇK-ja do të zhdukej në një periudhë kohore 3 ose 4 muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Thaçi nuk kishte se si të ishte i një mendje me këtë. Kjo do të çonte drejt shndërrimit ose transformimit të saj, si një periudhe kalimtare, e nevojshme për sigurinë e Kosovës.Nëse ishte menduar se në Kosovë, edhe një vit pas Marrëveshjes, do të ishin 5 mijë forca policore e ushtarake, ai përsëri nuk do të mund të ishte i një mendje me të.Pa folur për anekset e tjera politike, të sigurisë apo ushtarake.Presioni mbi të ka qenë, mendoj unë, ndoshta i papërballueshëm.

Kur zonja Allbright arriti në Rambuje, disa ditë pasi kishte filluar Konferenca, O’Brien, njëri ndër negociatorët kryesorë amerikanë, njohës i mirë i rrjedhave të ngjarjeve në Kosovë, për një kohë të gjatë ndihmës i sekretares së shtetit amerikan, i tregoi asaj se personaliteti kryesor i delegacionit shqiptar ishte Hashim Thaçi, lideri i krahut politik të UÇK-së. Ky do të ishte sinjali i parë për të se ku duhej përqendruar vëmendja, por jam i bindur se kurrë nuk do e ketë menduar se ky djalë i ri, të cilit i tha në mirëdashje se “shpresoj që ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës”, do të ishte njëkohësisht edhe guri i provës. Ata u takuan për herë të parë në një dhomë të vogël, të fshehtë në bodrumin e kështjellës dhe ky do të ishte në vargun e takimeve të tjera, herë të qeta, herë të papërmbajtura, nga të cilat do të vareshin shumë gjëra.Mirëpo përse ai ngurronte të firmoste, përse dilte kështu kundër rrymës dhe ngulmonte deri në momentin e fundit se duhej shtuar edhe diçka më tepër në Marrëveshjen e përcaktuar.Mendoj se kjo është thënë në një fjali të zonjës Albright, në njërin nga takimet e shumta me Thaçin.Ajo do i thotë atij tepër e zemëruar: “E di se e ke shumë të vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon nuk do ta kesh më përkrahjen e perëndimit.

Do ta rrezikosh miqësinë me mua dhe me zotin Rubin. Nuk ke miq më të mirë se mua e Rubinin në perëndim”.Ky do të ishte thelbi i kundërshtimit të tij, ndoshta do të ishte i njëmendtë të hiqte dorë nga miqësia me dy nga personazhet më të respektuar të kësaj ngjarje, por nuk do të hiqte dorë, të paktën deri në momentin e fundit, nga pavarësia e Kosovës.Mendoj se kjo ishte edhe deviza e qëndrimit të tij.Në fund të fundit, gjithçka ishte mes dy zgjedhjeve: të perëndimit që kërkonte qetësimin e situatës, për të kaluar hallet në një kohë tjetër, dhe të Kosovës, që përmes Thaçit, kërkonte zgjidhjen përfundimtare, ose, së paku, rrugën drejt përfundimtares. Po ashtu, në bisedat e gjata, të koklavitura, plot tension e rrëshqitëse, zonja Ollbrajt e kërkonte Rambujenë si një fitore të saj, si një Dejton të saj; ndërsa Thaçi e kërkonte atë si një fillesë të re për kombin, dhe, në fund të fundit ai e dinte se, edhe po ta kishin detyruar të nënshkruante jashtë vullnetit të tij, pak kush do i bindej atij nënshkrimi. Sepse edhe ai vetë, i pari, nuk do i bindej. Unë vazhdoj të jem i bindur se qëndrimi i Thaçit ishte i vetmi i saktë në atë Konferencë dhe krejt ndryshe nga qëndrimi i Rugovës, i cili, që pas draftit të dytë, që ishte drafti i nënshtrimit, nuk bënte asgjë tjetër, veçse i binte me bërryl Thaçit, dhe i thoshte: “Nënshkruaje, bre Hashim, dhe të ikim në shtëpi”. Si do të thoshte më pas analisti i njohur, Blerim Shala, “është interesant që dr. Rugova jo vetëm kësaj here, por gjithmonë gjatë Konferencës së Rambujesë është treguar tejet pasiv dhe jo fort i interesuar për zhvillimet rreth tij, në delegacionin e Kosovës apo edhe në qarqet e Konferencës”.Ditët po rrokulliseshin shpejt. Ishte një vorbull brenda së cilës mund të humbisje, apo edhe më keq, të mbyteshe. Mbi Konferencën ishte vetëm një njeri që mund të dëgjohej, Kadare, dhe vetëm një dorë që mund të zgjatej pa mëdyshje, pakëz romantike, por gjithnjë e dobishme, shteti shqiptar.

Mendimi i Kadaresë kishte më shumë vlerë se qindra konferenca shtypi, ai ishte zëri i elitës dhe i figurës kombëtare, pa asnjë dyshim me më shumë autoritet në Lëvizjen Çlirimtare, megjithëse nuk besoj se ai e dinte këtë, asnjë lider tjetër nuk kishte vlerën e tij dhe çdo thënie e Kadaresë në mbështetje të luftës ishte si një kambanë alarmi. Ndaj letra e dërguar prej tij kishte në vete ankthin e tij, por edhe ankthin tonë. Ndërsa shteti shqiptar kishte një dimension tjetër, ndoshta për herë të parë në këto vite ai po bënte një pjesë të rëndësishme të detyrës së tij.Në mbrëmjen e natës së parafundit u nisa për në Bruksel, së bashku me Xhevat Bislimin. Bisedova me Thaçin për qëndrimin që do të mbahej dhe mbështetjen e organizatës. Ai nuk ndjehej i lëkundur, megjithëse e dija se sa vështirë e kishte. Ne shqiptarët jemi të çuditshëm. Jo rrallë, për të mos thënë gjithnjë, miratojmë gjithçka vjen nga larg. Themi vetëm “urra” dhe bëjmë më tej, pa e ditur se strukturat e mëdha kanë edhe dobësitë e tyre, lojën e tyre. Sidoqoftë, Thaçi, ndërsa po bëhej problemi i të tjerëve, nuk po ishte më “problemi” i shqiptarëve.

Exit mobile version