Procesverbali: Si u shpartalluan për 12 ditë batalionet e Berishës për shtypjen e Jugut, kur dorëzohej Gazidede dhe arratisej ministri i Mbrojtjes, akuzat për tradhti në Parlament
Nga Adriatik Doçi
Ka ndodhur në Shqipëri. Mbrëmjen e 2 marsit 1997, Sali Berisha, nisi drejt Jugut të Shqipërisë batalionet me militantë të PD dhe punonjës të SHIK, me në krye ushtarin e tij Bashkim Gazidede, për të shtypur me zjarr rebelimin popullor në Jug të Shqipërisë.
Vetëm disa orë para nisjes së operacionit kriminal, Parlamenti, me urdhër të Berishës, u mblodh me urgjencë dhe në kohë rekord miratoi ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, bashkoi SHIK-un me Ministrinë e Brendshme, ndërsa emëroi Bashkim Gazideden gjeneral të përgjithshëm për udhëheqjen e operacionit, duke i vënë nën komandë policinë, SHIK dhe ushtrinë. Para lejes formale nga Parlamenti, Gazidede, me urdhër të Berishës, i kishte krijuar ndërkohë batalionet, përmes disa urdhrave sekretë. Militantët ishin armatosur me arsenalin e ushtrisë dhe po stërviteshin.
Po çfarë ndodhi më pas? 12 ditë më pas, në 14 mars 1997, batalionet e Berishës dhe Gazidedes janë shpartalluar. Në datën 14 mars, Bashkim Gazidede ka dezertuar, është fshehur dhe ka nisur lëvizjet për t’u arratisur, për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë dhe hakmarrjes së mundshme për dhunën, reprezaljet, torturat dhe zhdukjen e njerëzve me anë të SHIK. Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali është arratisur në drejtim të paditur. Një pjesë e deputetëve ia kanë mbathur gjithashtu me anije, avion dhe rrugë të tjera. Jashtë Parlamentit dëgjohen krisma. Deputetët që kanë gjetur guximin për të marrë pjesë në seancë e konsiderojnë veten më trimat.
Seanca e Parlamentit e 14 marsit 1997, siç duket nga diskutimet e zbardhura nga Shqiptarja.com, mund të jetë një nga seancat më të pazakonta dhe të pabesueshme në historinë e parlamentit Shqiptar. Deputetët e PD-së, 12 ditë pasi miratuan operacionin për shtypjen e rebelimit me urdhër të Sali Berishës, kërkojnë gjeneralët e operacionit, por gjeneralët ia kanë mbathur në drejtim të paditur. Kryetari i Kuvendit Pjetër Arbnori akuzon haur ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulalin si tradhtar, i cili kishte braktisur Berishën dhe Gazideden në momentin më të vështirë, në përpjekjen e tyre për të ruajtur me çdo çmim pushtetin. Sali Berisha ndërmerr një lëvizje taktike, duke kërkuar pajtim dhe pranuar krijimin e një qeverie të pajtimit kombëtar.
Diskutimet në seancën e Kuvendit të datës 14 mars 1997
–Pjetër Arbnori: Seanca hapet. Sot, në mbledhjen e Kryesisë me kryetaret e grupeve parlamentare, u vendos që të paraqitet votëbesimi i Qeverisë së re të Pajtimit Kombëtar, gjithashtu Kryetari i Këshillit të Ministrave të paraqesë programin e Qeverisë së tij.
Gjithashtu u vendos qe në vendimin që ka bërë Kuvendi Popullor për emërimin e zotit Gazidede si komandant te operacionit, të bëhet një ndryshim. Meqenëse z. Gazidede ka dhënë dorëheqjen, vendimi do të ndryshohet dhe do të caktohet Ministri i Brendshëm si komandant i operacionit. Ky njoftim, në bazë të rregullores, u behet te gjithë deputeteve për programin e punës dhe rendin e ditës.
-Alfred Serreqi: Ai ka dhënë dorëheqjen si komandant i përgjithshëm i operacionit, apo si drejtues SHIK-ut?
-Pjetër Arbnori: Ai ka dhenë dorëheqjen, së pari, si komandant i operacionit dhe kjo na intereson neve për vendimin, por ka dhënë dorëheqjen edhe si kryetar i SHIK-ut.
-Alfred Serreqi: Kjo do të thotë që ministri i porsaemëruar do të jete edhe kryetar i SHIK-ut?
-Pjetër Arbnori: Jo, zotëri, ai do të komandojë forcat e Ministrisë së Brendshme dhe forcat e SHIK-ut që janë inkuadruar në Ministrinë e Brendshme.
-Belul Çelo: Dëgjova që Bashkim Gazidede ka dhënë dorëheqjen nga detyra që ka pasur si komandant i operacionit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në Shqipëri. unë gjykoj që të mos
ngarkohet vetëm Ministria e Rendit, për shume arsye, por duhet te jenë ndoshta të dyja ministritë në këtë pozicion.
-Pjetër Arbnori: Z. Çelo, derisa janë angazhuar forcat e Ministrisë së Brendshme, nuk
ka se si te jenë dy ministra, sepse ne në fakt ushtri nuk kemi. Ministri i Mbrojtjes do te ndihmojë ne ato gjëra që kanë te bëjnë me sigurimin e reparteve. Ne as s’e kemi futur ushtrinë për shtypjen e rebeleve, as s’e kemi futur ushtrinë për shtypjen e demonstratave dhe shpresojmë qe ushtria të paktën do të ruaje ato depo, ato reparte të cilat duhej t’i kishte ruajtur. (Zëra në sallë) Do ta diskutojmë gjatë shqyrtimit te vendimit, zotëri.
-Jemin Gjana: Unë mendoj se, meqë më në fund mundën të mblidhen ata që kanë mbetur këtu, që s’kanë marrë tragetet, do t’ju bëja një propozim lidhur me rendin e ditës. Do të dëshiroja që të kalonim pikën e parë, sepse Qeveria e sapokrijuar, në ato pak çfarë është dhenë, është prononcuar që do të rrijë gjithë kohën në punë dhe e mbledhur. Pra, të mbarojmë me pikën e parë te rendittë ditës, ta miratojmë Qeverinë, ajo të shkojë në punën e saj dhe ne pastaj të vazhdojmë, se do të kemi edhe shumë pika e probleme të tjera. Të mbarojmë pjesën e parë, që është pjesa më e rëndësishme, është një pjesë që jep një mesazh poshtë, ta lëmë Qeverinë në punën e saj dhe ne këtu të rrimë, sepse kemi dhe shume gjëra të tjera, nuk është vetëm ajo punë. Ka një pjesë politikanësh shqiptarë që janë këtu sot, që nuk janë ashtu siç përbalten, dhe duhet ta dinë mirë të gjithë se ne që jemi këtu në sallë, ata që na dëgjojnë nga llozhat, ata që janë jashtë, ta dinë mirë se ne qoftë se populli shqiptar nga disa lakej është një herë i tradhtuar, ne që jemi në këtë sallë jemi dy herë te tradhtuar dhe mund të rrimë të gjykojmë më ndryshe, më me qetësi e më vonë, pasi t’i japim votëbesimin Qeverisë.
-Pjetër Arbnori: Jemi në një nga ditët me të zeza për Shqipërinë… Tani kemi për të shqyrtuar një ndryshim në vendimin e Kuvendit Popullor nr. 298, datë 2.3.1997. Pika 2 e këtij vendimi ndryshohet si më poshtë: “Për kryerjen e detyrave të mësipërme, këto forca të armatosura do të komandohen nga Ministri i Brendshëm, z. Belul Çelo”.
-Pjetër Arbnori: Jo, jo, nuk bashkohet. Ne kemi marrë vetëm disa forca dhe i kemi venë në dispozicion të Ministrisë se Brendshme dhe asgjë tjetër. Dhe është e përkohshme.
-Agron Musaraj: Kur bëmë vendimin për caktimin e z. Gazidede si Komandant i Përgjithshëm i Operacionit, thamë që aty inkuadrohen disa forca të Ministrisë se Brendshme, disa forca të SHIK-ut dhe disa forca të ushtrisë. Këto të ushtrisë janë më?
-Pjetër Arbnori: Ne nuk e kemi shkruar në vendim, por gjendja e jashtëzakonshme i jep kompetenca për përdorimin e disa forcave te ushtrisë, por në vendim nuk është.
-Agron Musaraj: Tani, më fal, ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme, apo jo? I ka këto te ushtrisë apo jo? Se jemi deputete e do të votojmë. I ka apo s’i ka?
-Pjetër Arbnori: Ushtria vetëm do të ruaje repartet, do të ruajë depot dhe institucionet. .
-Agron Musaraj: Kë repart do të ruajë? Se s’ka më reparte.
-Pjetër Arbnori: Ato që ka, po pati mbetur ndonjë.
-Agron Musaraj: Këta që kanë ardhur këtu janë trima. Për nder, unë për vete kam ardhur nga turpi, nuk kam ardhur nga trimëria. Kam ardhur nga turpi për ta bërë mirë atë që e kanë bërë keq. Na jep mundësinë të bëjmë ndonjë gjë, në qofte se ka mbetur për të bërë mire tani. Mos na ço dhjete herë në dite poshtë e lart, mos na sorollatni të vijmë natën dhe ditën këtu. Në qofte se kërkojmë pak dinjitet tani, të vendosim pak dinjitet te ky parlament. Boll u muar nëpër këmbë, u tall. Kemi nja 8 muaj që kemi kërkuar një mbledhje, po nuk është koha te bëjmë vërejtje. Dhe këto janë rrjedhoje e gjithë atyre që i kemi bërë keq. Hajde te bëjmë nja dy gjera mirë, në qofte se kemi mundësi.
-Hysen Selfo: …Do të ishte në nderin e atyre zotërinjve që dhanë dorëheqjen, qofte të zotit Gazidede, qofte të Ministrit të Mbrojtjes, që të vinin këtu, para këtij Parlamenti, të na tregonin pse japin dorëheqjen dhe pse e lanë vendin në këtë ditë. Atyre u besoi populli një detyrë të rëndësishme, një funksion shume të rëndësishëm, një nga funksionet me te larta të shtetit. Të dy personat u zhduken, njëri na jep dorëheqjen sot këtu, tjetri u zhduk pa lënë gjurme. Parlamenti duhet të jete transparent. Edhe ju duhet të jeni transparent me ne deputetet, që të dimë se çfarë t’u themi elektoratit tonë dhe njerëzve që përfaqësojmë. Është turp për një Qeveri te tille qe
të ike në momentet e fundit, të dezertoje në momentet e fundit. Dezertori në çdo kohë është quajtur tradhtar. Dhe këta njerëz quhen tradhtarë, në qofte se ikin në këto momente.
-Pjetër Arbnori: Unë po ju sqaroj për transparence dhe i kam sqaruar të gjithë deputetët se unë, që nga data 2 mars, kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, kam refuzuar
te marr pjese në Këshillin e Mbrojtjes, derisa aty ishte dhe Safet Zhulali, sepse e kam quajtur tradhtar, jo sot që e kam marre vesh që ka ikur, por që nga ajo ditë, edhe përpara kësaj, që ta dini për transparencë.
-Dukë Muça: Do t’ju besoja me gjithë shpirt, në rast se këtë punë do ta kishit bërë me një mocion mosbesimi këtu në Parlament së bashku me pjesëtarët e Parlamentit apo të grupit tuaj parlamentar. Mandati i deputetit nuk merret për të lundruar në det te qete, por në 7 balle, sepse parlamentet kanë funksionuar edhe ne vende të tjera kur kanë pasur tragjedi, ndoshta jo si e jona, dhe kurrë mos paçim, që kanë funksionuar edhe mes predhave, jo mes plumbave në ajër. Më vjen shumë keq që mungojnë parlamentaret atëherë kur Shqipëria ka nevoje për fjalën e tyre, në qofte se janë për Shqipërinë, që mungojnë e vijnë vërdallë nëpër tragete, nëpër avionë apo nëpër skuta, që nuk dihet se ku janë, përveç atyre që janë në krye të detyrës nëpër rrethe.
-Bashkim Kopliku: Më vjen keq t’ju kujtoj një ndër parimet bazë të demokracisë. Një njëri prezumohet i pafajshëm derisa të jetë vërtetuar fajësia e tij. Ne jemi Parlament dhe nuk jemi gjykatë. A ka faj Safet Zhulali, a ka faj Bashkim Kopliku, a ka faj Agron Musaraj, a ka faj Pjeter Arbnori apo të tjerë e të tjerë, mund t’i përmend të gjithë emrat, që te mos u mbesë hatri: pse ma përmende, pse s’ma përmende emrin. Ju lutem, jemi të mërzitur, e di qëllimin e mirë që keni, e di që dëshironi të kontribuoni për mbrojtjen e Shqipërisë, por Shqipëria më mirë se me çdo gjë mbrohet duke zbatuar ligjet e standardeve evropiane. Z. Kryetar, nuk jam dakord fare me ju që
paragjykoni një koleg tuajin duke e quajtur tradhtar.
-Pjetër Arbnori: Jo, ai ka shkuar për te na “mbrojtur” atje! Ai është tradhtar dhe tradhtar i ndyrë shumë madje.
-Tritan Shehu: Unë do t’u bëj thirrje të gjithë deputeteve që ne të gjykojmë këtu e të diskutojmë pa nota emocionale, të gjykojmë të qetë, me përgjegjësi e në përputhje me ligjet e vendit tonë. Së dyti, dua të them se fjalët që thuhen që deputetët janë larguar apo gjera të tilla, pa dyshim janë pa baza. Unë ju siguroj ju se pjesa dërrmuese e deputetëve sot janë nëpër rrethe, janë duke punuar për vendosjen e gjendjes normale në rrethet ku janë, janë duke u përpjekur me vështirësitë, janë në krye të përpjekjeve që po bëhen atje. Unë personalisht kam folur sot në telefon me një numër të madh prej tyre dhe ju garantoj se po punojnë me ndershmëri, me vetëmohim për realizimin e idesë sonë: vendosjen e paqes dhe krijimin e qetësisë sociale. Prandaj mos të biem pre e emocioneve, të mos biem preh e një presioni psikologjik, të jemi të qetë në gjykime, kemi kohë, më vonë do të gjykojmë ne, do të gjykojnë institucionet përkatëse, që i ka caktuar ligji për të bërë gjykimet. Pra, unë mendoj që sot ne duhet te jemi sa më të qetë dhe të përpiqemi ashtu si kolegët tanë nëpër rrethe që po punojnë sot për stabilizimin e gjendjes.
-Vasil Melo: Mendimi që u hodh për ish-Ministrin e Mbrojtjes, më duket se duhet të merret në konsideratë, sepse ne nuk duam te gjykojmë njëri pa baza, por vete faktet atë e gjykojnë dhe e dënojnë. Largimi i tij mendoj se është diçka jashtë çdo logjike. Unë nuk mendoj se në historinë e shteteve do të kishte një ministër të tillë të Mbrojtjes. Të ishte këtu dhe ta mbronte veten, do të ishte dinjitoze. Unë nuk e di se çfarë arsyesh dhe justifikimesh mund të ketë, por të ishte këtu, të qëndronte këtu dhe me dinjitetin e personalitetin që duhet të ketë një ministër i Mbrojtjes, ta përballonte situatën.
-Pjetër Arbnori: Ai e kreu detyrën, hapi panik mes gjithë deputetëve, dorëzoi për faqe të zezë të gjitha repartet dhe unë s’e di se çfarë detyrash të tjera mund të ketë.
-Sabri Godo: Shkatërrimi i ushtrisë dhe dezertimi i saj, që ka marrë detet, është turpi më i madh që mund t’i ndodhte këtij kombi. Dhe befasisht morëm vesh qe paskemi jetuar mbi një gjë krejt të kalbur. Por nuk është, më duket, momenti sonte për të diskutuar për këtë. Problemi që ngre unë ka të beje me këtë parlament. E kam ngritur edhe më pare, por s’më ka dëgjuar njëri. Tani dua një fjalë të fundit. Unë e konsideroj ketë Parlament si institucionin suprem te kombit dhe ai duhet të merret me punët e këtij vendi, te informohet hollësisht mbi gjendjen dhe jo të merret me dekrete, siç u propozua këtu, e me punë kot, sa për t’u gjendur ne në pune. Unë them që ky Parlament duhet të kërkojë një mbledhje permanente të Këshillit te Mbrojtjes, që e përmendët ju më parë. është sulmuar kombi, dhe për këtë duhet Këshilli i Mbrojtjes, jo nga jashtë, por është sulmuar keqas nga brenda. Kur do teë dalë në dritë ky Këshill i Mbrojtjes? Kur do t’i thotë fjalën e vet Parlamentit dhe popullit shqiptar? Ose ky Këshill i Mbrojtjes nuk ekziston dhe duhet formuar me urgjence. Nëse bëhet kjo, që ne në Parlament të informohemi për gjendjen çdo dite dhe te merremi me këtë punë, me këtë hall që ka zënë kombin dhe jo me përralla, siç jemi marrë deri tani në më të shumtën e kohës, le të rrime këtu dhe të vazhdojë çdo ditë mbledhja e Parlamentit. Nëse jo, na thoni të shkojmë në shtëpi.
-Pjetër Arbnori: Do t’jua jap përgjigjen menjëherë. Ju thoni qe duhet të mblidhet Këshilli i Mbrojtjes. Unë ju them që ai mblidhet edhe dy herë në ditë, në doni ta dini, mblidhet edhe përditë. Por Këshilli i Mbrojtjes nuk është organ pazari që për çdo mbledhje të tij të raportojë. (Ndërhyn nga vendi z. Godo) Jo, jo, zotëri, s’është përgjigje badihava. Ju këtu flisni duke kërkuar interpelanca dhe s’më keni bërë një kërkesë për interpelance, s’keni bëre një kërkese që Këshilli i Mbrojtjes të raportoje këtu. Z. Godo, unë dua që të jem korrekt dhe po ju them që nuk
ekziston një kërkesë e juaj në Kryesine e Kuvendit për këto çështje qe shtroni ju. Ju faleminderit! Me kaq seanca mbyllet! (Shqiptarja.com)